E Diel, 1 Nëntor 2026

Braçe: “Berisha, i lidhur me qarqet kriminale që vranë ish-kryeministrin serb, Zoran Xhinxhiç”



Nënkryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Erion Braçe, e akuzoi kryeministrin Berisha se jo vetëm ka penguar, por ka arritur të bllokojë hetimet për zbardhjen e krimit shtetëror të Gërdecit. Braçe tha se deklaratat e Berishës për zbardhjen deri në qelizë të krimit të Gërdecit janë vetëm mashtrime të radhës. “Natyrisht, 5 muaj larg këtij krimi i një grupi të strukturuar kriminal, i shtrirë nga qeveria deri në Gërdec, shqiptarët nuk prisnin këtë deklarim, sa të pavërtetë, aq edhe të mjerë, sërish në shërbim të pengimit të drejtësisë. Kryeministri tha dje se nuk i ka penguar hetimet, por në fakt duhet të thoshte se i ka mbyllur hetimet. Se e ka klasifikuar ngjarjen dhe për këtë shkak ka mbrojtur edhe autorët, ku e ka cilësuar ngjarjen me vendim qeverie, si “aksident të thjeshtë teknologjik. Nuk kemi deri sot asnjë analizë të kryeministrit për krimin shtetëror të Gërdecit. Si ndodhi, kush e shkaktoi, kush janë përgjegjësit, cilat janë përgjegjësitë? Madje, sot e kësaj dite kryeministri i vendit nuk ka regjistruar asnjë deklaratë ku të distancohet nga fenomeni korruptim i kapjes së shtetit që shpërtheu në Gërdec”, - u shpreh nënkryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Erion Braçe. Ai akuzoi gjithashtu edhe kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli, e cila sipas deputetit socialist, gjithashtu është implikuar në veprimet për të bllokuar hetimet për tragjedinë e Gërdecit. Braçe tha se tha se Topalli i mori kohë Prokurorisë dhe i dha më pas kohë keqbërësve me letrën e saj skandaloze që dhunonte rëndë pavarësinë e hetimeve, ku urdhëronte me firmën e vulën e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë se duhej hetuar ai apo ai tjetri. “Madje, me letrën e saj, ajo impononte dhe rrjedhën e hetimeve”, - vijoi Braçe. Nënkryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste e akuzoi kryeministrin Berisha se është i lidhur me qarqe të rrezikshme kriminale. “Ky njeri është i lidhur me qarqet kriminale që kanë të bëjnë me vrasjen e ish-kryeministrit serb, Zoran Xhinxhiç dhe me klanin e Zemunit. Gjithashtu ai ka lidhje me trafikantët e armëve”, - deklaroi Braçe.

18 Gusht 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›