Kriza ekonomike po kërcënon Greqinë, emigrantët më të rrezikuarit
Shteti ynë fqinj, Greqia, duket se ka filluar të ndiejë ethet e para të “virusit” të krizës ekonomike globale në ekonominë e saj. Sipas studimeve të bëra nga ekspertë të ekonomisë në këtë vend, ata që do të goditen më tepër prej saj do të jenë edhe emigrantët e shumtë në këtë vend, mbi të cilët u mbështet në 20 vitet e fundit i gjithë zhvillimi i shtetit helen. “Emigrantët në Greqi do të jenë të parët që do të ndiejnë goditjet e krizës financiare”, - kështu paralajmërojnë pedagogët e Universitetit Bujqësor të Athinës. Sipas tyre: “Tronditjet që do të shkaktohen në tregun e punës do të kenë si rrjedhojë një krizë të thellë sociale, me përplasje ndërmjet vendasve dhe të huajve”. Sipas studimit, emigrantët janë krah pune më i ekspozuar ndaj zhvillimeve negative, ndërsa vështirësitë e mëdha ekonomike do të kulmojnë në fillim të vitit 2009. Haralambos Kasimis, pedagog në Universitetin Bujqësor të Athinës, vëren se kanë nisur të ndihen efektet e para, siç janë mbyllja e ndërmarrjeve të vogla apo reduktimi i numrit të punonjësve. “Emigrantët, numri i të cilëve ka arritur në 1 milion, janë një faktor i rëndësishëm i ekonomisë greke”, - thotë pedagogu Kasimis. Në fushat e rrezikuara si ndërtimi, turizmi dhe bujqësia, ata përbëjnë 35-40 për qind të punonjësve. Situata duket e zymtë kur sipas ligjit grek një nga kushtet kryesore që emigrantët të rinovojnë lejen e qëndrimit është që të kenë të paktën 150 ditë siguracione në vit. Në Greqi jetojnë edhe disa qindra mijëra emigrantë shqiptarë, të cilët prej vitesh kanë punuar në punë mjaft të rënda e të rëndomta shpesh pa siguracione dhe në luftë të përhershme për marrjen e dokumenteve. Nëse paralajmërimi i studimit do të vërtetohet vitin që vjen, atëherë kjo nënkupton edhe një rënie të të ardhurave në Shqipëri, kur dihet se një pjesë e tyre sigurohet nëpërmjet fitimeve të emigrantëve. Emigrantët shqiptarë do ta kenë më të vështirë për t’u larguar nga Greqia për shkak të krizës, sepse shumë prej tyre kanë emigruar familjarisht çka nënkupton angazhime specifike. Për prof. Kasimis ekziston edhe mundësia e shumë emigrantëve që të lëvizin drejt një statusi të paligjshëm dhe punës së zezë. Ndaj, sipas tij, qeveria “Karamanlis” duhet të rishikojë legjislacionin e saj për emigracionin. Ndonëse pedagogu grek përsërit disa herë se të gjitha parashikimet e tij duhen pritur që të vërtetohen, fakti është se në sheshet e Athinës, është rritur numri i njerëzve që dalin pa lindur dielli me shpresën se dikush do të kalojë t’i marrë për punë. Në qendër të Athinës, në sheshin “Omonia”, dominojnë shqiptarët dhe rumunët, ndërsa emigrantët nga vendet afro-aziatike mblidhen në disa rrugica më poshtë. Kjo është një marrëveshje e heshtur për të ashtuquajturat zona të influencës ose një luftë e pashpallur që mund të ashpërsohet e të marrë përmasa të rrezikshme në të ardhmen.
4 Dhjetor 2008