E Diel, 1 Nëntor 2026

Shpërblimet për administratën, përcaktohen punonjësit përfitues

Punonjësit buxhetorë që humbasin të drejtën e përfitimit të rrogës shtesë. 107 mijë punonjës buxhetorë do të shpërblehen me një bonus prej 10 mijë lekësh nga qeveria

Jonida Tashi

Punonjësit e administratës do të shpërblehen për punën e kryer gjatë vitit me një bonus prej 10 mijë lekësh nga qeveria. Ndërsa shembullorët në punë (punonjësit që kanë realizuar programin vjetor të punës), përveç shpërblimit, do të marrin edhe një rrogë shtesë. Shpërblimi për rezultate të mira në punë gjatë vitit, për çdo punonjës, nuk do të jetë më shumë se 1 (një) pagë mujore. Ky shpërblim, në ministritë dhe institucionet qendrore, të cilat janë në fushën e veprimit të ligjit të shërbimit civil, do të jepet në bazë të rezultateve individuale në punë, sipas parimeve dhe procedurës së përcaktuar në legjislacionin e shërbimit civil. Aktualisht ka nisur puna për hartimin e udhëzimit zyrtar në Ministrinë e Financave, i cili pritet të bëhet publik pas datës 10 të këtij muaji. Njëkohësisht, drejtuesit e institucioneve përkatëse po vlerësojnë punën e bërë nga punonjësit buxhetorë gjatë vitit për të përcaktuar se cili prej tyre do të përfitojë këtë fundviti edhe pagën shtesë. Numri maksimal i punonjësve buxhetorë, që do të përfitojnë shpërblim nga qeveria, sipas të cilit është përgatitur Buxheti i Shtetit i vitit 2009, është 107 000 veta.
Llogaritja
Vlerësimi i mbarëvajtjes në punë bazohet në arritjen e objektivave për çdo vend pune dhe në aftësitë kryesore që nevojiten për të kryer detyrat. Vlerësimi i përgjithshëm bëhet në katër nivele të mbarëvajtjes në punë, që janë: “Shumë mirë”, “Mirë”, “Kënaqshëm” dhe “Jo mjaftueshëm”. Tre nivelet e para janë vlerësime pozitive, që lidhen drejtpërdrejt me procedurën e konfirmimit në fund të periudhës së provës, të lëvizjes paralele dhe ngritjes në detyrë. Gjithashtu, për këto tre nivele, nëpunësi civil shpërblehet në vlerë monetare në fund të vitit të vlerësimit të rezultateve individuale, ndërkohë që niveli 4
është vlerësim negativ. Për të gjitha shkallët, shpërblimet janë: Niveli 1, “Shumë mirë” një pagë mujore; Niveli 2, “Mirë” 70 për qind të pagës mujore; Niveli 3, “Kënaqshëm” 50 për qind të pagës mujore. Punonjësit, mbarëvajtja e të cilëve është vlerësuar me nivelin “Jo mjaftueshëm” (niveli 4), nuk marrin shpërblim. Normalisht, vlerësimi kryhet nga eprori i drejtpërdrejtë, por në raste të veçanta mund të zbatohen procedura të tjera. Për rastet e veçanta, procedura vendoset nga bashkëpunimi i njësisë përgjegjëse për menaxhimin e burimeve njerëzore të institucionit përkatës dhe Departamentit të Administratës Publike.
Dhënia
Dhënia e shpërblimeve bëhet në një pagesë të vetme, gjatë muajit dhjetor, pasi është mbyllur viti i vlerësimit dhe është bërë vlerësimi i mbarëvajtjes. Shpërblimi llogaritet në bazë të pagës totale, që ka marrë individi gjatë vitit të vlerësimit. Rrjedhimisht, personat që janë emëruar ose ngritur në detyrë gjatë vitit të vlerësimit do të marrin një shpërblim që reflekton periudhën e tyre të punës, në rast të emërimeve të reja dhe të pagave të niveleve të ndryshme që ka marrë në rastet e ngritjeve në detyrë. Nëpunësit që pushohen nga puna para fundit të tetorit, nuk përfshihen në shpërblimet për mbarëvajtjen në punë. Ata nëpunës që dalin në pension, që japin dorëheqje, transferohen në një strukturë tjetër të administratës shtetërore ose kalojnë në listë pritjeje, marrin shpërblim. Nëse në fund të vitit të vlerësimit fondi i shpërblimeve nuk konsumohet plotësisht, për shkak të vlerësimeve “Jo mjaftueshëm” të mbarëvajtjes në punë, sekretari i përgjithshëm mund të autorizojë një rritje të masës së shpërblimeve për punonjësit e vlerësuar me nivelet nga 1 deri në 3, brenda fondit të përcaktuar.
Përfituesit
Ministria e Financave po përgatit udhëzimin konkret që përcakton mënyrat dhe format e shpërblimit për punonjësit e administratës. Njëkohësisht, është përcaktuar edhe një fond i veçantë për shpërblimet. Ndërsa qeveria ka përcaktuar edhe kriteret se kur mund të përfitohet një shpërblim, i cili në rastin më ideal është kur punon në bazë të parashikimeve. Shpërblimi që mund të përfitohet nga të gjithë është një pagë shtesë mujore në bazë të rezultateve, por që e vendos titullari dhe për këtë kërkohet një marrëdhënie ideale me shefin e zyrës. Udhëzimi i ministrisë përmban detajet se kush punonjës administrate mund të përfitojë një shpërblim shtesë. Ministria ka përcaktuar se punonjësit me kontratë mund të përfitojnë shpërblime të zgjeruara, por njëkohësisht edhe punonjësit në listë pritjeje. Në listën e përcaktuar nga ministria, shpërblim mund të përfitojnë edhe ushtarakët në reformë, punonjësit arsimorë në dispozicion, si dhe do të ketë pagesa për bashkëshortët e ushtarakëve. Lista përmban shpërblime edhe për studentët ushtarakë dhe punonjësit me kontratë të përkohshme.

Boc???????

Shpërblimet sipas kategorive
Shpërblimet që përfitojnë punonjësit buxhetorë për fundvitin janë të llojeve të ndryshme. Udhëzimi ka përcaktuar se kur mund të përfitohet një shpërblim. Në të është përfshirë shpërblimi i punonjësve për rezultate të mira në punë, shpërblimi i punonjësve në fund të vitit kalendarik, shpërblime të tjera të parashikuara me akte të tjera ligjore apo nënligjore, si dhe dhënie ndihmash të menjëhershme për raste fatkeqësish dhe raste të tjera veprimtarish social-kulturore. Shpërblimi për rezultate të mira në punë gjatë vitit për çdo punonjës do të jetë i diferencuar, por nuk duhet të jetë më shumë se një pagë mujore për person. Ky shpërblim, në ministritë dhe institucionet qendrore, të cilat janë në fushën e veprimit të ligjit të shërbimit civil, jepet i diferencuar në bazë të rezultateve individuale në punë, sipas parimeve dhe procedurës së përcaktuar në legjislacionin e shërbimit civil dhe në përputhje me fondin e shpërblimit në dispozicion. Shpërblimi në fund të vitit i jepet çdo punonjësi buxhetor për festat e fundvitit në masën 10 mijë lekë. Kurse për rastet e vdekjes së punonjësit ose të një anëtari të familjes së punonjësit (prindërit apo fëmijët), kur bashkëjetojnë, pagesa jepet nga titullari i institucionit e diferencuar nga 10-30 mijë lekë për çdo rast. Edhe në rastet e sëmundjeve të rënda të punonjësit, kur kërkohet një ndërhyrje shëndetësore jashtë vendit, pagesa jepet nga titullari i institucionit e diferencuar nga 30-50 mijë lekë për çdo rast. Në rastet e daljes së punonjësve në pension pleqërie, pagesa jepet nga titullari i institucionit në masën e një page mujore. Veprimtaritë që kanë karakter social apo kulturor, sikurse janë ato të organizuara për rastet e daljeve në pension, të festimeve të fundvitit dhe të tjera organizime të realizuara nga institucioni, mund të përballohen nga fondi i veçantë. Në këto veprimtari social-kulturore, kur ato organizohen jashtë qendrës së punës, shpenzimet e transportit dhe akomodimit paguhen nga vetë punonjësit.

Shpërblimet për mbarëvajtjen në punë bëhen në bazë të performancës vjetore të secilit nëpunës civil
Për të gjitha shkallët, shpërblimet janë si më poshtë vijon:
Niveli 1, “Shumë mirë”, një pagë mujore
Niveli 2, “Mirë”, 70 për qind të pagës mujore
Niveli 3, “Kënaqshëm”, 50 për qind të pagës mujore
Punonjësit, mbarëvajtja e të cilëve është vlerësuar me nivelin “Jo mjaftueshëm” (niveli 4), nuk marrin shpërblim.

Niveli 1, “Shumë mirë”
Mbarëvajtja në punë është në nivelin e pritshëm. Nëpunësi ka përmbushur saktësisht të gjitha objektivat e përcaktuara në fillim të vitit apo edhe ato të shtuara gjatë vitit të vlerësimit.
Niveli 2, “Mirë”
Mbarëvajtja në punë arrin nivelin që pritet në pjesën më të madhe të objektivave, por, gjithsesi, në disa prej tyre pritet realizim në nivele më të larta.
Niveli 3, “Kënaqshëm”
Mbarëvajtja në punë përmbush kërkesat bazë të vendit të punës, pa dobësi serioze.
Niveli 4, “Jo mjaftueshëm”
Arritjet në punë janë nën nivelin e pritshëm, të paktën në disa prej fushave kryesore dhe kërkon përkushtim më të madh dhe aftësi për të arritur një nivel të përgjithshëm, të kënaqshëm.

Kush përfiton shpërblim
Punonjësit me kontratë
Punonjësit në listë pritjeje
Ushtarakët në reformë
Punonjësit arsimorë në dispozicion
Bashkëshortët e ushtarakëve
Studentët ushtarakë
Punonjësit me kontratë të përkohshme

Punonjësit që do të marrin shpërblim
Punonjësit e Presidencës
Punonjësit e Kuvendit
Punonjësit e ministrive
Punonjësit e instituteve
Punonjësit e Shërbimit Informativ Shtetëror
Punonjësit e Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave
Punonjësit e Akademisë së Shkencave
Punonjësit e Kontrollit të Lartë të Shtetit
Punonjësit e prokurorive
Punonjësit e gjykatave
Punonjësit e Këshillit të Lartë të Drejtësisë
Punonjësit e Avokatit të Popullit
Punonjësit e Agjencisë Telegrafike Shqiptare
Punonjësit e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare
Punonjësit në arsim (mësues, pedagogë, etj)
Punonjësit në mjekësi(mjekë, infermierë, etj)
Punonjësit e Fondit Shqiptar të Zhvillimit
Punonjësit e Qendrës Kombëtare të Kinematografisë
Punonjësit e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve
Punonjësit e Inspektoratit të Lartë të Deklarimit të Pasurive
Punonjësit e institucioneve të tjera qeveritare

4 Dhjetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›