E Diel, 1 Nëntor 2026

Impianti i rigazifikimit në Fier, 500 milionë tonë gaz do të jenë për Shqipërinë



Ministri i Ekonomisë, Energjetikës dhe Tregtisë, Genc Ruli, ka sqaruar dje projektin e nënshkruar një ditë më parë për ndërtimin e një impianti rigazifikimi në zonën e Semanit në Fier. Projekti është marrë përsipër nga grupi italian “Falcone” dhe arrin në rreth 1 miliard euro. Falë këtij investimi, i cili përfshin edhe një linjë nënujore gazpërcjellëse drejt Italisë, Shqipëria pritet të plotësojë më së miri nevojat e veta për gaz, duke ia servirur me kosto më të ulët këtë element si industrive vendase, ashtu edhe konsumatorit shqiptar. Ministri Ruli ka deklaruar: “Rreth 500 milionë tonë gaz i mbeten Shqipërisë dhe pjesa tjetër do të transportohet drejt Italisë”. Sipas tij: “Përveç grupit ‘Falçone’, ka edhe dy kompani të tjera që kërkojnë të investojnë në Shqipëri në këtë fushë”. Impiante të tilla rigazifikimi janë vetëm 6 në të gjithë rajonin e Mesdheut.
Pyetjes se pse u përzgjodh Shqipëria për këtë investim, administratori i grupit “Falcone”, Edmondo Falcione, iu përgjigj: “Zgjodhën vendin tuaj për një projekt të tillë për vetë faktin e lehtësirave ligjore dhe financiare që krijon Shqipëria dhe qeveria e saj”. Sipas tij: “Ky projekt pritet të realizohet për një periudhë 5-6 vjeçare dhe do t’i shërbejë jo vetëm Shqipërisë dhe Italisë, por edhe pjesës tjetër të rajonit”. Zbatimi i kësaj nisme do të kalojë në tri faza: ndërtimi i një impianti industrial për procesin e degazifikimit; formimi i terminalit për ankorimin e anijeve që sjellin gazin; ndërtimi i tubacionit të gazsjellësit që lidh Shqipërinë me Italinë. Negociimi i kësaj nisme ka nisur që në shkurt të këtij viti. Gazi që do të prodhohet do të krijojë tregun e vet edhe në shtetin tonë, sepse vetë kontrata që u nënshkrua i lejon Shqipërisë që të shfrytëzojë 500 milionë m3 gaz.

Marrëveshja e hidrokarbureve, “Albpetrol” do të shfrytëzojë vendburimin e Visokës

Është nënshkruar dje, në praninë e ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Genc Ruli, marrëveshja për zhvillimin dhe prodhimin e hidrokarbureve në vendburimin e Visokës, ndërmjet shoqërisë “Albpetrol sh.a.” dhe kompanisë “IEC Visoka INC”. Nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje është në vijim të strategjisë për zhvillimin e industrisë së naftës dhe të gazit në Shqipëri, sidomos në drejtim të shfrytëzimit të rezervave të provuara të naftës në vendburimet e njohura.Vendburimi i Visokës është në administrim nga shoqëria “Albpetrol sh.a.”. Ky vendburim është zbuluar në vitin 1963 dhe ndodhet 13 km në juglindje të qytetit të Fierit. Ai është në fazën e fundit të shfrytëzimit të tij. Aktualisht, prodhimi mesatar ditor në këtë vendburim arrin në rreth 40 tonë, duke u konsideruar kështu një vendburim modest në territorin e Shqipërisë. Lidhur me këtë vendburim, shoqërisë “Albpetrol sh.a.” i është dhënë e drejta për të hyrë në “Marrëveshje Hidrokarbure” me shoqërinë “IEC Visoka INC” nëpërmjet marrëveshjes përkatëse. Në marrëveshje janë parashikuar të zhvillohen dy faza: 1) faza e vlerësimit, e cila do të zgjasë 18 muaj me mundësi shtimi edhe për 6 muaj të tjerë në varësi të arritjes së rezultateve. Gjatë kësaj faze janë programuar të investohen 600 mijë USD. 2) Pas fazës së parë, në varësi të rezultateve që do të arrihen, do të kalohet në fazën e zhvillimit dhe prodhimit. Kjo fazë do të zgjasë 25 vjet me të drejtë shtyrjeje edhe për 5 vite të tjera.

4 Dhjetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›