E Shtunë, 31 Tetor 2026

Krimet e Rënda do të hetojnë pasuritë kriminale

06/11/2009  Sapo ligji i sekuestrove të miratohet, dosjet do t’u kalojnë ekspertëve të Prokurorisë

Barrën e provës për faktimin e burimit të të ardhura do ta ketë personi i proceduar

TIRANE- Menjëherë sapo ligji i ri i sekuestrove të miratohet nga Parlamenti dhe të dekretohet nga Presidenti, tagrin e hetimit të pasurisë për çështjet e pushuara dhe të nisura në vijim, do e ketë Prokuroria për Krime të Rënda. Një gjë e tillë është bërë me dije nga burime pranë akuzës qendrore, të cilat janë shprehur se ligji “Antimafia”, i jep të drejtë Krimeve të Rënda të hetojnë vetëm pasurinë dhe jo për veprën penale të kryer nga personat e proceduar. Duke u nisur nga ky fakt mësohet se të gjitha procedimet e regjistruara në të gjithë prokuroritë e vendit përfshirë këtu edhe njësitë hetimore Task-Forcë, do t’i delegohen Krimeve të Rënda me qëllim që ekspertët e kësaj të fundit të kryejnë verifikimin e pasurisë të personave të proceduar. Nga ky proces, barrën për gjetjen e provave për të faktuar burimin e të ardhurave, do e këtë shtetasi i proceduar dhe jo organi i akuzës. Në qoftë se i pandehuri apo i dyshuari, nuk arrin të faktojë burimin e të ardhurave të tij, atëherë menjëherë Prokuroria kërkon në gjykatë sekuestrimin e tyre dhe më pas konfiskimin. Ligji ka efekt prapaveprues çka do të thotë se disa çështje të bujshme për sekuestrimin e pasurisë që janë pushuar nga gjykata do të rihetohen sërish nga organi i akuzës me qëllim bllokimin e tyre. Dosjet si ajo e “Arjan Kanes”, ish-kryetarëve të komunës Kashar, “Banda e Lushnjës” apo e disa baronëve të tjerë të drogës që kanë mundur të shpëtojnë pasurinë e tyre, mund të kthehen përsëri objekt i hetimeve të Prokurorisë. Ndërkohë ligji në fjalë është kundërshtuar shumë nga Prokuroria e Përgjithshme, e cila shprehet se drafti nuk duhet përdorur në masë të gjerë, pasi shkelen të drejtat dhe liritë e njeriut. Sipas tyre, në këtë ligj duhet të përjashtohet policia si dhe njëkohësisht duhet të hiqet neni, për sekuestrimin e pasurive pa pasur një procedim penal ndaj të dyshuarit. Drafti tashmë po kundërshtohet edhe nga shoqata e avokatëve që shprehet se ligji është antikushtetues.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›