Masakra e Cërrikut, policia në kërkim të ish-kreut të Bashkisë
Tiranë- Ish-kryetarja e Bashkisë së Cërrikut, Mishelina Xhelo, bashkëshorti i saj Xhevdet Koçia dhe dy dëshmitarë të tjerë pritet të shoqërohen forcërisht nga policia në procesin ndaj të akuzuarve si autorë të kësaj masakre. Kërkesa është bërë gjatë seancës së djeshme nga përfaqësuesi i akuzës, i cili tha se është e treta seancë ku dëshmitarët nuk paraqiten për të dëshmuar, edhe pse është kërkuar nga policia lokale të kryejnë shoqërimin e tyre të detyrueshëm në Gjykatën e Krimeve të Rënda. Për këtë arsye, akuza i kërkoi kryesuesit të trupit gjykues, Klodian Kurushi, të vërë në dijeni drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Hysni Burgajn, për mosekzekutimin e vendimit të gjykatës nga policia lokale e Cërrikut, që ka varësi nga Drejtoria e Policisë së qarkut Elbasan. Duke qenë se as adresat zyrtare të dëshmitareve nuk janë gjetur ende nga policia, prokurorët i thanë gjykatës se uniformat blu nuk kishin zbatuar urdhrat e saj. Pas këtij pretendimi të ngritur nga Prokurorët e Krimeve të Rënda, gjykatësi Klodian Kurushi vendosi të njoftojë zyrtarisht kreun e Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj. Gjykata vendosi t’i lërë afat një javë policisë dhe oficerëve të Policisë Gjyqësore, për të gjetur adresat dhe shoqërimin e detyruar të katër dëshmitarëve në gjykatë. Katër dëshmitarët, Mishelina Xhelo, ish-kryetarja e Bashkisë së Cërrikut, gjatë ngjarjeve të vitit 1997 ku u vranë gjashtë gardistë dhe u plagosën 16 punonjës policie e gardistë, bashkëshorti i saj Xhevdet Koçia, Xhemal Bardhoshi dhe Luan Gjonprenga janë katër dëshmitarët e fundit në procesin gjyqësor ndaj të akuzuarve si autorë të masakrës së Cërrikut. Dëshmitë e katër personave pritet të fusin procesin gjyqësor në fazën përfundimtare të tij, kur gjykata do t’u japë të drejtën avokatëve mbrojtës të paraqesin provat dhe dëshmitarët e tyre. Gjatë seancës së djeshme, e cila u shty për mungesën e dëshmitarëve, gjykata u la kohë prokurorëve të çështjes të depozitojnë certifikatën e vdekjes së një dëshmitari të akuzës, i cili ka ndërruar jetë pak kohë më parë. Si autorë të masakrës së Cërrikut, prokuroria akuzon Llazar Bicjan, Met Bozin, Roland Xhepexhiun, Arjan Toskën, Alban Toskën, Skënder Canin, Tomorr Buzanin, Bujar Buzani dhe Entel Gashin.
L.Bakillari