E Shtunë, 31 Tetor 2026

I kërkon pagen pronarit, i përgjigjet me plumba



LUSHNJË – Ka shkuar për ti kërkuar pagën e fundit pronarit, por ky i fundit i është përgjigjur me plumba. Ngjarja e rëndë ndodhi dje pasdite në mjediset e një hoteli që shtrihet përgjatë autostradës Lushnje-Fier. Burimet zyrtare të policisë së Qarkut të Fierit bëjnë të ditur se Emiljano Mone u plagos dje në lokalin “Monpereja". Autori i ngjarjes është shtetasi Besnik Sulaj, 30 vjeç, pronar i lokalit ku ndodhi plagosja, i cili është arrestuar nga policia. Burimet zyrtare të policisë bëjnë të ditur se konflikti mes punëdhënësit dhe punëmarrësit ndodhi për çështje borxhesh.
Plagosja
Pas disa konfliktesh me pronarin, Emiljano Mone është larguar nga puna që bënte në një hotel që ndodhet bri autostradës Lushnjë-Fier. 26-vjeçari ka shkuar ti kërkojë pronarit, Besnik Sula pagën e fundit, por ai ka refuzuar. Këmbëngulja e vazhdueshme e Mones ka tensionuar situatën. Për pasojë 30-vjeçari Sula ka nxjerrë pistoletën dhe ka qëlluar ndaj tij. Burimet në Drejtorinë e Policisë së Fierit bëjnë të ditur se ngjarja ndodhi në orën 14.30 në mjediset e hotelit “Monpereja”. Mësohet se ish-punonjësi i hotelit ka marrë dy plumba në trup. Ai është dërguar menjëherë në spitalin rajonal të Fierit, ku po merr ndihmën mjekësore. Burimet spitalore pohojnë se gjendja e Emiljano Mones është shumë e rëndë.
Hetimet
Një telefonatë mbërriti në policinë e Lushnjës në lidhje me ngjarjen e ndodhur në një lokal. Forcat e rendit pasi mbërritën në vendngjarje, identifikuan dhe ndaluan brenda 30 minutave autorin e plagosjes. Burime zyrtare të policisë vendore pohojnë se është ndaluar shtetasi Besnik Sulaj, pronar i hotelit “Monpereja”. Sipas tyre, autori i ngjarjes nuk ishte në skedën e të kërkuarve për vepra penale. Policia ende nuk ka dhënë një version zyrtar për ngjarjen, por pohohet se konflikti mes tij dhe 26-vjeçarit Mone ka ndodhur për motive të dobëta. Dëshmitar të pranishëm në vendin ku ndodhi konflikti bëjnë të ditur se i lënduari ka qenë punonjës në hotel deri para pak ditësh.
Një grup hetimor është ngritur për zbardhjen e motiveve të kësaj ngjarjeje, ndërsa Besnik Sulaj është shoqëruar në mjediset e komisariatit të policisë së Lushnjes.

21 Prill 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›