E Shtunë, 31 Tetor 2026

Krimet e Rënda i dërguan gjykatës 54 dosje kriminale

Vetëm 22 raste me objekt hetimin e trafikut të narkotikëve. Të pandehur në këto çështje, gjithsej 374 persona, 248 në burg
Tiranë - Mbi 54 dosje penale për grupe apo eksponentë kriminalë janë dërguar për shqyrtim gjyqësor gjatë vitit të kaluar nga Prokuroria e Krimeve të Rënda. Ndër çështjet më të trajtuara janë ato me objekt hetimi trafikun e drogës, qenieve njerëzore, por edhe të trafikut të municioneve dhe armëve luftarake. Të pandehurit e këtyre dosjeve janë vënë në pranga nga policia falë informacioneve të sigurta dhe aksioneve të organizuara nga strukturat operacionale të Policisë së Shtetit.
Rezultatet
Sipas burimeve zyrtare nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, 22 dosje kanë pasur objekt hetimi trafikun e lendeve narkotike, ku të pandehurit në pjesën dërmuese të tyre akuzohen se kanë vepruar në kuadër të grupit të strukturuar kriminal. Ndërsa 7 dosje të tjera kishin objekt veprën penale të trafikut të qenieve njerëzore, ndërkohë që 4 dosje të tjera ishin për trafik të armëve dhe municioneve luftarake. Burimet zyrtare bënë të ditur se, të pandehur në këto çështje janë 374 persona, nga të cilët 248 ndodhen në burg.
Dosjet
Dërgohet për shqyrtim gjyqësor dosja në ngarkim të Damiano Toshit, i cili akuzohet për veprën penale të “trafikut të femrave për qëllime prostitucioni”. Një tjetër është ajo e ish-shoferëve të Kuvendit dhe Gjykatës Kushtetuese, Armando Gjinushi dhe Gentian Alizoti, për akuzat e prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike. Së bashku me ta, në të njëjtën dosje, do të gjykohen edhe Bastri Asllani dhe Xhelo Gerveshi, të cilët, respektivisht ishin personat që kishin porositur dhe siguruar lëndën narkotike. Ngjarja për të cilët akuzohen katër të pandehurit e lartpërmendur ka ndodhur në qershor të vitit 2006, kur Policia e Gjirokastrës ka gjetur në automjetet zyrtare që drejtoheshin nga Gjinushi dhe Alizoti, një sasi prej 120 kilogramësh lëndë narkotike e llojit Cannabis sativa. Droga u gjet në bagazhet e dy automjeteve, që i përkisnin Kuvendit dhe Gjykatës Kushtetuese. Gjatë hetimit është identifikuar dhe porositësi nga Maqedonia, si dhe personi që mori përsipër të kalonte drogën në kufi. Janë dërguar për gjykim edhe dosjet e Enver Boriçit, klasifikuar si anëtar i grupit të strukturuar kriminal, bandës së Lushnjës, apo “Poter-Al”, “Shoferët”, “Kastrati”, “Bandës së Lushnjës”, “Maloku” dhe të tjera.

Janë dërguar nga Prokuroria në Gjykatën e Krimeve të Rënda

Dosja e Damiano Toshit
Akuzohet për veprën penale të “vrasjes dhe trafikut të femrave për qëllime prostitucioni”. Ai u ekstradua nga Gjermania pasi është dënuar me burgim të përjetshëm nga Gjykata e Elbasanit për vrasjen e basketbollistëve Sokol Jahollari dhe Rafael Riza dhe plagosjen e Julian Beckës në shtator të vitit 2004 në Korçë.

Dosja “Poter-Al”
Katër të pandehurit akuzohen për “trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike”. Të pandehurit e kësaj dosjeje janë Bledi Balliu, Aleksandër Kolçi, (i dënuar më parë), Leonard Çobaj dhe Ervin Tavanxhi. Ata akuzohen se kanë organizuar trafikimin e një sasie prej rreth 22 kilogramësh kokaine nga Holanda për në Gjermani, e cila u sekuestrua nga autoritetet gjermane më 15 prill të vitit 2005. Në Maj të 2007 Gjykata e Krimeve të Rënda vendosi lirimin nga dhomat e paraburgimit të dy të arrestuarve të këtij operacioni, Geron Tolen dhe Zamir Vardardhën.

Dosja e Enver Boriçit
Akuzohet si anëtar i bandës së Lushnjës. Mbi të rëndojnë akuzat e “dhunimit të varreve” dhe “shkatërrimit të pronës me anë të zjarrit”, vepra penale të kryera në kuadër të organizatës kriminale në vitin 1998 në qytetin e Lushnjës.

Dosja “Shoferët”
Në ngarkim të të pandehurve Xhelo Gerveshi, Armando Gjinushi, Gentian Alizoti, Basri Asllani, të cilët akuzohen “për trafik të lëndëve narkotike”. Të pandehurit u arrestuan nga forcat e policisë pas bllokimit të 120 kg lëndë narkotike e llojit marijuanë, në qershor të vitit të kaluar, në aksin rrugor Gjirokastër-Tepelenë.

Dosja “Banda e Durrësit”
17 të pandehurit e këtij procesi janë, Lulzim Berisha, Indrit Dokle, Altin Olloni, Kujtim Buna, Sardjan Sulejmani, Adriatik Coli, Julian Meçe, Plaurent Dervishaj e Indrit Taullau, Jurid Xhunga, Edvin Hoxhosmani, Selman Heti, Spartak Kalthi, Alban Neli, Altin Nikolla si dhe dy kosovarë. Këta persona akuzohen për “pjesëmarrje në organizata kriminale”, “vrasje me paramendim në bashkëpunim”, “vrasje me paramendim në bashkëpunim të mbetur në tentativë” dhe “mbajtje pa leje të armëve luftarake” etj., të kryera disa vite më parë, kryesisht në qytetin e Durrësit.

Dosja “Kastrati”
Me tre të pandehur, vëllezërit Qamil e Abedin Rexhaj dhe Ibrahim Geca. Dy vëllezërit Rexhaj akuzohen për veprën penale të “rrëmbimit ose mbajtjes peng të personit me pasojë vdekjen, të kryer në bashkëpunim”. Ndërkohë që Ibrahim Geca akuzohet për moskallëzim krimi. Prokuroria pretendon se motivi i kësaj vrasjeje ka qenë vdekja e vëllait të Rexhajve (Ganiut), në Spitalin e Krumës në vitin 1995, ku mjek roje ka qenë mjeku Kastrati.

Dosja “Banda e Lushnjës”
Prokuroria dërgon në Gjykatën e Krimeve të Rënda dosjen e 2-të penale në ngarkim të të pandehurve të bandës së Lushnjës”. Të pandehur në këtë dosje janë Arben Boriçi, Afrim Hoxha, Ilir Stërgu, Rexhep Gina dhe Erion Cici, të arrestuar, dhe Jorgo Muzaka (Agur Musaku) dhe Arjan Aliçi, në kërkim. Ata akuzohen për disa ngjarje kriminale të ndodhura disa vite më parë në qytetin e Lushnjës, mes tyre edhe për vrasje.

Dosja “Maloku”
Prokuroria e Krimeve të Rënda përfundon hetimet dhe çon në Gjykatë dosjen penale në ngarkim të katër personave që akuzohen për trafik klandestinësh. Të pandehurit e kësaj çështjeje janë Ergest (Gesti) Rabaj, Hodo Çorri, Arben Sulaj (Maloku), Krenar Boci (Narja), Leonidha Caro, Lorenc Meçi, Ermal Kaçi (Kulja), Ermal Fidhi, Eugen Garenxaj, si dhe Kreshnik Gerbi.

14 Shkurt 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›