E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vendimi, universitetet këtë vit 400 pedagogë më shumë

Këshilli i Ministrave përcaktoi dje kuotën e re për këtë vit. Berisha: “Këto kuota të shërbejnë për rikthimin e trurit”
Jonida Tashi

Në trupën pedagogjike të universiteteve publike do të shtohen edhe 400 vende të reja pune. Kjo është bërë e ditur dje nga kryeministri Berisha, gjatë mbledhjes së Këshillit të Ministrave. Gjatë kësaj mbledhjeje qeveria ka marrë vendimin për hapjen e 400 vende të reja për tërheqjen në trupën pedagogjike të universiteteve publike të vendit të pedagogëve me grada shkencore. Kryeministri e ka veçuar këtë vendim si më të rëndësishëm në rendin e ditës së mbledhjes së djeshme. Sipas tij, me këtë vendim synohet të përmirësohet dhe rritet cilësia e mësimdhënies në universitetet publike, duke tërhequr pranë tyre edhe të shkolluarit në universitetet më të mira jashtë vendit, nëpërmjet krijimit të hapësirave të reja në kuadër të procesit të “rikthimin e trurit. “Situata aktuale në universitetet publike lidhur me gradat e mësimdhënësve, pedagogëve është e papranueshme. Doktoraturat e fituara në universitetet Perëndimore përbëjnë vetëm 5 për qind të të gjithë mësimdhënësve, ndërkohë që në vende të tjera është 5 dhe 7 herë më e lartë. Në tërësi shumica e këtyre doktoraturave janë të para viteve ‘90”, - pohoi kryeministri.
Thirrja
Kryeministri Berisha u bëri thirrje drejtuesve të universiteteve të shfrytëzojnë mundësitë e reja që ofron ky vendim për rekrutimin e më të mirëve në stafin akademik të tyre. Për këtë ai u shpreh: “Unë dëshiroj dhe shpresoj se qarqet akademike universitare të vendit do ta përdorin këtë vendim për të përthithur e rikthyer në Shqipëri celebritete shqiptare, studiues që kanë mbrojtur doktorata apo grada shkencore në universitetet më të mira dhe që kanë dëshirë, në përputhje me kushtet e reja, të rikthehen në vendin e tyre”. Gjithashtu, ai i ka bërë të ditur drejtuesve të rinj të universiteteve dhe fakulteteve të vendit, ta trajtojnë këtë problem me seriozitetin më të madh e ta shfrytëzojnë këtë moment për të shënuar një hop të rëndësishëm në rekrutimin e pedagogëve në universitetet tona publike, si një kusht, absolutisht, përcaktues që t’i rezistojnë kohës dhe të qëndrojnë në lartësinë e saj. Sipas kryeministrit, rritja e cilësisë në universitete dhe shkollat tona është interesi më i mirë i publikut dhe i vendit. Duke e konsideruar një arritje të madhe dyfishimin e numrit të studentëve, krahasuar me vitin akademik 2004-2005, ku nga 52 mijë studentë, sot janë mbi 100 mijë, kryeministri siguroi se ky numër do të rritet edhe më shumë, çka kërkon, gjithashtu, rritjen e kapaciteteve dhe cilësisë së mësimdhënies në universitetet tona.

Investimet për kërkimin shkencor

Përveç shtimit të numrit të trupës pedagogjike, kryeministri Berisha tha dje se qeveria do të rrisë investimet për modernizimin e kërkimit shkencor në universitetet publike në vend. “Qeveria do të rrisë në mënyrë të ndjeshme fondet për kërkimin shkencor në universitetet tona, do të investojë për modernizimin, informatizimin e plotë dhe librarinë dixhitale të tyre”, - pohoi Berisha. Duke e konsideruar arsimin një nga sektorët prioritarë, ku qeveria ka investuar shumë, veçanërisht në Arsimin e Lartë, kryeministri theksoi se qeveria është e vendosur dhe po bën të gjitha përpjekjet për dyfishimin e buxhetit për arsimin.

14 Shkurt 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›