Sëmundja që vret 8 mijë shqiptarë në vit
Ministria: ”Sëmundjet kardiovaskulare kanë shifra më të larta”. ISHP-ja ka gati një program parandalimi për mjekët e familjes
Emanuela Sako
Sëmundjet kardiovaskulare janë shkaku kryesor i vdekjeve në Shqipëri. Rreth gjysma e vdekjeve të shqiptarëve çdo vit kanë në bazë një shkak të lidhur me sistemin e qarkullimit të gjakut. Të dhënat bëhen publike nga Ministria e Shëndetësisë, sipas së cilës rreth 8 mijë persona në vit vdesin nga kjo sëmundje. Ritmet e rritjes së numrit të të prekurve nga sëmundjet kardiovaskulare është tepër i lartë. Specialistët bëjnë të ditur se kjo rritje vjen si pasojë e ndryshimeve moshore dhe të mënyrës së jetesës.
Për këtë arsye, Ministria e Shëndetësisë ka hartuar një program udhëzimi për mjekët e familjes, në mënyrë që të bëjë të mundur parandalimin e sëmundjes dhe kapjen që në fazat e para. Deri në vitet ’90, numri i vdekjeve arrinte në 6 mijë në vit, gjë që tregon qartë evoluimin e sëmundjes.
Faktorët që ndikojnë
Sipas specialistëve, faktorët kryesorë që ndikojnë janë të lidhur me mënyrën e jetesës dhe me kontrollin e disa treguesve biologjikë të organizmit. Në këta faktorë janë përfshirë duhanpirja, konsumi i shtuar i alkoolit, ushqyerja e pabalancuar, mbipesha, menaxhimi i keq i stresit apo parametra biologjikë të rrezikshëm si tensioni i lartë i gjakut, kolesterolemia e lartë apo glicemia e lartë. Për kontrollin e këtyre faktorëve negativë duhet futur shërbimi që parashikon depistimin e të gjithë individëve që vizitojnë qendrat shëndetësore të kujdesit parësor. Informimi i duhur dhe krijimi i kushteve për një jetë të shëndetshme nga ana e shtetit do të ndihmonte që të ulej numri i të prekurve. Hartimi i një strategjie të tillë do të bënte që personat e prekur të kishin një jetë më të gjatë. Kjo gjë prej disa dekadash është duke u provuar në Europën Perëndimore dhe ka filluar të vërehet edhe në disa vende të Europës Lindore.
Sistemi shëndetësor
Ministria e Shëndetësisë sqaron se në sistemin shëndetësor të Shqipërisë bëhet ende pak lidhur me kapjen e hershme të problemeve dhe trajtimin në kohë të tyre. Gjithashtu, këshillimit të individëve në risk u kushtohet pak rëndësi. Në një studim të vitit të kaluar të kryer nga Instituti i Shëndetit Publik, vetëm 40 për qind e mjekëve të përgjithshëm e kryejnë vlerësimin e tensionit të gjakut në formën e një depistimi rutinë te personat në dukje të shëndetshëm. Një situatë e ngjashme vërehet edhe për vlerësimin e duhanpirjes te pacientët. Rezultatet në lidhje me matjen e faktorëve të tjerë të riskut për sëmundjet kardiovaskulare janë akoma më të ulëta. Mjekët vlerësojnë nivelin e glicemisë (sheqeri në gjak), indeksin e masës trupore (mbipeshën), mënyrën e ushqyerjes, konsumin e alkoolit dhe nivelin e stresit vetem në prani të shenjave klinike apo ankesave nga pacientët. Nga ana tjetër kanë munguar udhëzuesit e duhur për këtë qëllim.
Parandalimi
Instituti i Shëndetit Publik ka përgatitur një model të ri shërbimesh pranë Mjekut të Familjes me qëllim kapjen e hershme të shkaqeve të mundshme të sëmundjeve kardiovaskulare dhe trajtimin në kohë të tyre. Synimi i këtij programi është të nxisë kapjen e hershme dhe trajtimin e përshtatshëm me këshilla apo trajtim të faktorëve risk për sëmundjet koronare dhe ato cerebrovaskulare me qëllim final parandalimin e pasojave shëndetësore në popullatën shqiptare. Në thelb të këtij programi është një udhëzues me të gjitha të dhënat e duhura për parandalimin e sëmundjes për t’u ardhur në ndihmë mjekëve, por edhe infermierëve, nëse është e nevojshme. Në udhëzues janë përfshirë në mënyrë skematike edhe standardet e klasifikimit dhe të këshillimit të qytetarëve për secilin prej 8 faktorëve të ndryshueshëm, madhorë dhe minorë, të sëmundjeve kardiovaskulare. Gjithashtu, programi parashikon vlerësimin në mënyrë të rregullt të një sërë treguesish të lidhur me mënyrën e sjelljes si dhe me parametra biologjikë për të gjithë përdoruesit e shërbimeve të mjekut të familjes. Çdo person i siguruar ka të drejtën që të përfitojë nga shërbimet e reja. Aplikimi në praktikë i depistimit nuk do të kërkonte një rritje të ngarkesës së punës shtesë për personelin mjekësor. Ai thjesht do të nxiste dhe përmirësonte produktivitetin lidhur me detyrat e shërbimet e kujdesit shëndetësor. Produktiviteti i mjekut të përgjithshëm dhe aksesi në shërbimet shëndetësore në Shqipëri është ndër më të ulëtit në botë ndaj zbatimi i programit të depistimit do të arrinte, veç efekteve lidhur me kontrollin e sëmundjeve kardiovaskulare, edhe efekte pozitive shtesë lidhur me përmirësimin e cilësisë së shërbimeve, sidomos rritjes së aksesit.
Aplikimi i programit
Rolin kryesor në përcaktimin e menjëhershëm të sëmundjeve kardiovaskulare e ka mjeku i familjes, por ai mund të mbështetet nga specialistët kardiologë dhe nga infermierët. Udhëzuesi është një ndihmë për punën profesionale dhe mund të mos jetë i detyrueshëm, por efektet e zbatimit të tij do të monitorohen nga drejtoritë e shëndetit publik, në bashkëpunim me ISHP-në. Programi do të fillojë menjëherë dhe pas një periudhe njëvjeçare testimi do të përhapet në të gjithë sistemin shëndetësor të vendit.
14 Shkurt 2008