Sigurohen medikamentet falas për të sëmurët me HIV/AIDS
Medikamentet retrovirale për trajtimin e rreth 16 fëmijëve me HIV/AIDS janë siguruar dhe tashmë do të jenë në përdorim të të sëmurëve. Kjo është arritur në bazë të një marrëveshjeje midis Ministrisë së Shëndetësisë dhe UNICEF, i cili siguron prokurimin e medikamenteve sipas specifikimeve të Ministrisë së Shëndetësisë. Sigurimi i antiretroviraleve ka nisur në vitin 2004 dhe u jepen falas të prekurve, pasi këto medikamente paguhen nga shteti shqiptar. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, duke nisur që nga ky vit përmes asistencës së Global Fund, do të sigurohen edhe medikamente specifike, antiretrovirale, të gjeneratës së dytë, për persona të sëmurë me HIV/AIDS që shfaqin rezistencë ndaj medikamenteve të gjeneratës së parë. Aktualisht, në vend numërohen 16 fëmijë dhe 49 të rritur të sëmurë me HIV/AIDS që kanë nevojë për mjekimin specifik me medikamente që shënjestrojnë virusin HIV, shkaktar të sëmundjes. Medikamente të tilla, të quajtura antiretrovirale, i jepen pacientëve të infektuar nga virusi HIV që kanë një ngarkesë të caktuar virale në gjak dhe një komprometim në një nivel të caktuar të imunitetit. Medikamentet jepen sipas gjykimit të mjekut infeksionist në QSUT, bazuar në kritere mjekësore strikte. Kuadri ligjor ekzistues në Shqipëri merr në konsideratë të drejtat e njeriut lidhur me parandalimin dhe kontrollin e HIV/AIDS. Neni 55 i Kushtetutës përcakton se të gjithë qytetarët përfitojnë të drejtën për kujdes shëndetësor të garantuar. Është detyrim ligjor i shtetit të sigurojë çdo lloj kujdesi shëndetësor përfshirë dhe barnat për mjekimin ambulator ose në spital për qytetarët shqiptarë të sëmurë me HIV/AIDS.
14 Shkurt 2008