E Shtunë, 31 Tetor 2026

Krimet e Rënda refuzojnë kërkesën e Sevgjinit dhe Koldashit



Tiranë - Gjykata e Krimeve të Rënda nisi dje verifikimin e masës së sigurisë për të pandehurit Arben Sefgjini, Budjon Meçe dhe Avni Koldashi, të cilët dyshohet se janë implikuar në zhdukjen e biznesmenit Remzi Hoxha. Ndërsa i pandehuri i katërt i kësaj çështjeje, Ilir Kumbaro, ish-drejtues në SHIK, është shpallur në kërkim ndërkombëtar. Avni Koldashi, një nga katër të pandehurit e çështjes së zhdukjes së biznesmenit Remzi Hoxha, u njoh sot me masën e sigurisë “arrest shtëpie”, dhënë në mungesë nga Gjykata e Krimeve të Rënda në Tiranë, më 4 maj. Pas Arben Sefgjinit, në gjykatë u paraqit Koldashi, i cili në fjalën e tij tha se gjithçka që kam ditur lidhur me zhdukjen e Remzi Hoxhës në 21 tetor të vitit 1995, e kam thënë edhe më parë në organet e drejtësisë. “Akuza e ngritur ndaj meje është me prapavijë politike”, tha Koldashi. Gjykata e Krimeve të Rënda vendosi të dielën në mungesë, masën “arrest shtëpie” për të tre personat, ndërsa dje kjo masë iu komunikua atyre në seanca të veçanta. I pari që është njohur me masën e sigurisë ishte Drejtori i Përgjithshëm i Tatim - taksave, Arben Sefgjini, i cili u paraqit në gjykatën e Krimeve të Rënda në Tiranë, i shoqëruar nga avokati. Prokurori i çështjes, Xhevat Hana, kërkoi që të lihet në fuqi kjo masë arresti në ngarkim të Sefgjinit, pasi, sipas tij, nuk ka ndryshuar asnjë nga kushtet mbi të cilat prokuroria u bazua për këtë masë. Sefgjini e cilësoi të padrejtë vendimin e prokurorit, pasi sipas tij, “pretendimet e prokurorit janë të pavërteta”. Unë nuk do të largohem nga Shqipëria, pasi disponoj një vizë Shengen dhe kam hyrë e dalë disa herë edhe kur kam qenë nën hetim paraprak”, tha Sefgjini, ndërsa nënvizoi se me masën e sigurisë është njohur një ditë pas dhënies së saj, në datën 5 maj, ora 17:00. Të padrejtë masën ndaj Sefgjinit e cilësoi dhe avokati i tij Zef Nika, i cili nënvizoi, se “ka pasur shkelje procedurale”. Gjyqtari Fran Prendi u ka bërë të ditur palëve, se kanë të drejtë ankimi deri dy javë nga dita kur është dhënë masa e sigurisë. Ndërkohë që seanca gjyqësore për çështjen e zhdukjes së biznesmenit Hoxha, pritet të nisë më 16 maj.

9 Maj 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›