Topi shkarkon nga detyra prokurorin e Krujës
Tiranë - Presidenti ka firmosur dje shkarkimin nga detyra të prokurorit Bujar Çiçi. Burime pranë presidencës pohuan dje se me anë të dekretit kreu i shtetit ka pranuar propozimin e kryeprokurores, Ina Rama për largimin nga puna të prokurorit që punonte prej vitesh në institucionin e akuzës së qytetit të Krujës. Të njëjtat burime shpjeguan se propozimi i Ramës kishte ditë që ishte dërguar në presidencë duke u shoqëruar dhe me një material të hollësishëm që flitej për abuzimet me detyrën të prokurorit në fjalë, pas shumë ankesave të mbërritur në adresë të tij.
Gurakuqi i drejtohet gjykatës për kreun e PDK-së
Tiranë - Konflikti në partinë e PDK-së ka përfunduar në Gjykatën e Tiranës. Anton Gurakuqi pak ditë më parë depozitoi një padi civile në këtë gjykatë për të kërkuar ligjërisht postin e kryetarit të kësaj partie. Pas vendimit të kongresit ku arriti të marrë një pjesë të votave për kreun e PDK-së, Gurakuqi i është drejtuar gjykatës për t’i dhënë formën e prerë këtij ndryshimi. Shorti që u hodh dje përcaktoi si gjyqtar për ta gjykuar këtë padi civile, gjyqtarin Artur Gaxhi.
Grup i posaçëm hetimor për zbardhjen e ngjarjes në Kashar
Tiranë - Policia ka ngritur një grup të posaçëm hetimi për zbardhjen e vrasjes së Altin Hoxhës, 35 vjeç, mëngjesin e tre ditëve më parë në afërsi të radio-stacionit në Kashar. Ekspertët e policisë kriminale, që kryen këqyrjen e vendit të ngjarjes konkluduan, se Hoxha ishte vrarë me sende të forta (sëpatë). Burime zyrtare thanë dje se grupi hetimor, po punon për zbardhjen e rrethanave të kësaj ngjarjeje, pasi ajo është klasifikuar si “vrasje me dashje”. Po ashtu janë marrë në pyetje nga hetuesit edhe disa persona, të cilët mendohet se kanë dijeni për rrethanat e ngjarjes.
9 Maj 2008