E Diel, 1 Nëntor 2026

Braçe: “Privatizimi i aseteve publike, Berisha kërkon të mbushë arkën e boshatisur”

Vendimin e kryeministrit Sali Berisha për privatizimin e aseteve publike, Partia Socialiste e ka argumentuar me nevojën e qeverisë për të mbushur arkën e boshatisur të shtetit. Sipas deputetit Erion Braçe, ky vendim dëshmon për thellimin e krizës ekonomike në vend dhe përhapjen e gjerë të saj, mungesën kronike të parave për funksionet kushtetuese e administrative të shtetit. Gjithashtu, sipas tij, nevoja për privatizimin e aseteve publike ka ardhur si pasojë e mungesës së parave për përmbushjen e detyrimeve ligjore për paga e pensione. Braçe tha se vendimi i qeverisë ka ardhur edhe si pasojë e nevojës për pagesat e faturave ndaj shtresave të gjera në nevojë; për detyrimet në shërbimet publike, arsim, shëndetësi kryesisht; për përmbushjen e objektivave themelore të zhvillimit, investimeve publike. “Urdhri i kryeministrit paralajmëron për dështimin përfundimtar të qeverisë së Sali Berishës e Ilir Metës në përballimin e krizës ekonomike, mungesën e një plani serioz, të qartë dhe të efektshëm shpëtimi të ekonomisë së vendit, në rrënim prej krizës dhe vendimmarrjes së tyre të korruptuar, nisjen e një vale të re grabitjeje të pasurisë publike që nuk shpëton ekonominë e vendit, por pa asnjë mëdyshje do të pasurojë edhe më familjet në pushtet”, - u shpreh Braçe.

Xhaçka: “Pas identifikimit të eshtrave, të organizohet ceremoniali në kujtim të viktimave”

Partia Socialiste i ka kërkuar dje kryeministrit Sali Berisha të identifikojë menjëherë eshtrat e gjetura dhe të zhvillojë një ceremonial të denjë në kujtim të viktimave dhe në nderim të familjarëve të tyre. Deputetja Olta Xhaçka fajëson Sali Berishën, si njeriun që për 20 vjet me radhë ka keqpërdorur kauzën e të përndjekurve politikë, duke e sjellë në vëmendjen publike sa herë i është nevojitur, por pa ofruar kurrë një zgjidhje që do të qetësonte shpirtrat dhe do të rikthente krenarinë e atyre që vuajtën një nga diktaturat më të egra në Europë. “Vërtetimi i dyshimit se eshtrat e gjetura u përkasin 19 personave të ekzekutuar me pushkatim gjatë periudhës së komunizmit, do t’u rikthente shqiptarëve një tjetër makth të diktaturës dhe do të përbënte për të gjithë politikën shqiptare një arsye më shumë për të dënuar me vendosmëri, ashtu si edhe në të shkuarën, krimet çnjerëzore të kryera gjatë regjimit komunist. Krimet e së kaluarës duhen zbardhur. Ato duhen dënuar. Por, në asnjë mënyrë krimet e së kaluarës nuk mund të përdoren për të mbuluar mëkatet e së tashmes”, - u shpreh Xhaçka.

Gjermeni: “Mandatet e PS-së nuk do të digjen, janë mandatet e popullit opozitar”

Deputetja e Partisë Socialiste, Eglantina Gjermeni, deklaroi dje se mandatet e deputetëve socialistë janë mandatet e popullit opozitar dhe se nuk do të digjen. Gjermeni bëri të ditur se bojkoti do të vazhdojë dhe nuk do të ndalet për aq kohë sa nuk do të bëhet transparenca e plotë e zgjedhjeve të 28 qershorit. Sipas saj, vetëm transparenca e rikthen PS-në në Kuvend, ndërsa kutitë e mbyllura do të rinxjerrin popullin në rrugë. “Spikerja e Kuvendit ta lërë diversionin e saj bajat të paktën në prag të tryezës së presidentit. Mandatet e Partisë Socialiste janë mandate të popullit opozitar, as Jozefina e as Saliu nuk i prekin dhe as i djegin apo përvetësojnë dot përmes diversionit ndaj PS-së”, - u shpreh Gjermeni.

11 Shkurt 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›