E Diel, 1 Nëntor 2026

Krimet mafioze, zyrtarët kokë më kokë

 

Trazhgim Sokolaj

Drejtori i Policisë së Tiranës Tonin Vocaj, zhvilloi dje një takim kokë më kokë me kryeprokurorin e Tiranës Genti Xholi, lidhur me ngjarjet e rënda të ndodhura së fundi në kryeqytet.Lajmi konfirmohet nga burime zyrtare sipas të cilave, zyrtari më i lartë i rendit për Tiranën, si dhe ai i hetimit, kanë diskutuar lidhur me ngjarjet e rënda të ndodhura së fundi, vrasja e Elton Deliut dhe nënës së tij, ekzekutimi i taksistit Ramazan Hyka, grabitja me armë e një familje në Kamëz, anëtarët e të cilës u terrorizuan nga autorët e krimit që lidhen kryefamiljarin dhe tre persona të tjerë. Takimi mes kreut të policisë dhe atij të Prokurorisë është zhvilluar nga ora 14:00 deri rreth orës 16:00 në zyrën e kryeprokurorit të Tiranës Genti Xholi. Ky i fundit mësohet se ka diskutuar me kryepolicin e Tiranës Tonin Vocaj hetimet që po zhvillohen me qëllim identifikimin e atentatorëve të vrasjes së dyfishtë të Elton Deliut dhe nënës së tij Flutura Deliu më 27 dhjetor 2008 në katin e gjashtë të pallatit, ku ata banonin në zonën e ish-bllokut në kryeqytet. Nga burime zyrtare të takimit mësohet se është diskutuar konkretisht për dy grupe personash që po hetohen edhe po mbahen në survejim si të implikuar të mundshëm në vrasjen mafioze të biznesmenit Elton Deliu, i skeduar në trafik droge dhe pronar i disa bareve në Tiranë.            
Dosja e taksistit
Drejtori i Policisë së kryeqytetit dhe kryeprokurori i Tiranës kanë vijuar bisedën e tyre gjatë takimit të djeshëm, duke u fokusuar në dosjen e vrasjes së taksistit Ramazan Hyka. Mësohet se dy zyrtarët kanë ndarë mendimin, se pista më e fortë dhe më e besueshme që po hetohet për ekzekutimin e 50-vjeçarit, e mbështetur edhe nga informacionet e mbledhura prej agjentëve është ajo e një grabitje të mundshme apo vrasje për konflikte personale të viktimës. Ashtu si dhe në rastin e diskutimit për dosjen e vrasjes së dyfishtë të Elton Deliut dhe nënës së tij mësohet se edhe në rastin e vrasjes së taksistit janë lënë detyra konkrete për grupin hetimor, me qëllim verifikimin e disa personave të dyshuar, si dhe administrimin e provave të veçanta që mund të lokalizojnë autorët. Më tej, gjatë takimit 2-orësh mes tyre kryepolici dhe kryeprokurori i Tiranës kanë vijuar diskutimin e tyre për hetimet, që po zhvillohen edhe lidhur me grabitjen e ndodhur në fundjavë në zonën e Kamzës. Dy zyrtarët e policisë dhe Prokurorisë kanë ndarë mendimin se me provat aktuale që ndodhen në tri dosjet në fjalë është e pamundur të veprohet për ndalime apo urdhra arresti, megjithatë mësohet se janë piketuar në tri dosjet, persona të dyshuar që do të shoqërohen në polici për t’u pyetur dhe verifikuar si autorë të mundshëm.

Nëna e Elton Deliut “ndiqej” nga policia

TIRANE – Prokuroria ka gjetur në arkivat e policisë disa dosje voluminoze, që përmbajnë raport-shërbime nga agjentë të ndryshëm të policisë së kryeqytetit, të cilët gjatë 5-vjeçarit të fundit mësohet se kanë mbajtur në vëzhgim Flutura Deliun, nënën e biznesmenit të vrarë brenda në apartamentin e tij në Tiranë me 11 plumba në fund të vitit të kaluar. Lajmi konfirmohet nga burime zyrtare të Prokurorisë së Tiranës, të cilat thanë se në drejtorinë e policisë së kryeqytetit ishte hapur vite më parë procedim policor në adresë të Flutura Deliut, 52-vjeçares së vrarë barbarisht bashkë me djalin e saj. Zyrtarët e policisë dhe prokurorisë nuk dhanë më shumë detaje, por thanë se viktima sipas të gjitha dëshmive qëndronte shumë pranë djalit të saj, që është hetuar për disa goditje me armë dhe implikim në trafik lëndësh narkotike.

Dëshmitarë të rinj për vrasjen e taksistit

TIRANE- Vrasja e taksistit Ramazan Hyka dhe ekzekutimi i të dyshuarit si grabitës, Petrit Pjetri, kanë qenë dosjet që janë analizuar dje nga krerët e hetimit të policisë së kryeqytetit për të parë ecurinë e punës për zbardhjen e ngjarjeve. Lajmi është bërë i ditur për gazetën “Panorama”, nga burime të policisë së kryeqytetit. Krerët e policisë kanë pohuar se gjatë këtyre ditëve hetuesit, kanë kryer disa analiza, në lidhje me këto dy ngjarje të ndodhura javën e kaluar në Tiranë. Sipas burimeve të policisë hetuesit kanë analizuar veprimet e kryera deri më tani për të zbuluar dhe për të kuptuar elementë të hetimit, që sipas tyre janë të rëndësishëm për zbulimin e autorëve dhe shkaqeve të ngjarjeve. Për sa i përket Petrit Pjetrit të vrarë në banesën e Feim Llanajt, pronar i një kompleksi servisi, policia ka analizuar veprimet, që janë bërë deri më tani, për kapjen dhe ndalimin e personit të dytë të dyshuar si pjesëmarrës në grabitje. Përsa i përket vrasjes së taksistit Ramazan Hyka, hetuesit kanë analizuar edhe një herë listën e dëshmitarëve të pyetur si dhe kolegëve që kanë dhënë deklarimet e tyre. Sipas policisë është vendosur që disa persona të ripyeten, për të mësuar elementë dhe të dhëna të reja në interes të hetimit. d.b

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›