E Shtunë, 31 Tetor 2026

Frytet e hidhura të reformës shkencore në bujqësi

Nikollaq Neranxi 

Kanë kaluar mbi dy vjet,  që në kuadrin e reformave, qeveria, me një të rënë të lapsit, fshiu nga realiteti bujqësor institucionet kërkimore shkencore të bujqësisë, ose se ato i konsideroi të tepërta e të padobishme, ose se iu dukën të kushtueshme dhe barra e rëndë e buxhetit të tyre nuk mund të përballohej. Ishin institute me traditë, të konsoliduar, të pajisura me shkencëtarë kompetentë, me laboratorë, biblioteka shkencore e arkiva, që u kishin dhënë zgjidhje me profesionalizëm shumë problemeve me karakter shkencor e teknik, me një gamë të gjerë në fushën e bujqësisë dhe blegtorisë, që ishin premisa të sigurta për zhvillim bashkëkohor dhe intensiv të kësaj dege. Ishin arritja më e çmuar për mbështetjen dhe zhvillimin e bujqësisë. Mund të krahasoheshin me institutet homologe të vendeve të tjera. Ishin por nuk janë më! Sa për buxhetin, i gjithi ishte më pak se kosto e 1 km rruge në autostradën Durrës-Morinë! Institutet u zëvendësuan me disa Qendra Rajonale të Transferimit të Teknologjisë, të cilat nuk kanë statusin e kërkimit dhe eksperimentimit shkencor dhe janë kthyer në qendra parazitizmi të militantëve partiakë.
A duhej kryer reforma në institucionet shkencore të bujqësisë? Natyrisht, përgjigjja është: po. Edhe ky sektor e kishte të nevojshëm reformimin, por ama jo likuidimin!
Ashtu siç u zbatua, reforma shkencore në institutet e bujqësisë, nuk dha veçse fryte të hidhur. U keqpërdor dhe u braktis fondi shkencor njerëzor, profesorati akademik. Shumë prej tyre u nxorën në pension, një pjesë u lanë në qendrat e krijuara, por pa të drejtë eksperimentimi e kërkimi, iu hoq oksigjeni që i jepte frymëmarrje veprimtarisë së tyre. Profesorët u flakën si gjë pa vlerë, askush nuk i pyet, askush nuk ka më nevojë për ta. Kanë mbetur jo vetëm të papërfillur, por edhe me një pension pleqërie që është për të ardhur keq. Po të pyeteshin shkencëtarët e vërtetë, jo konformistë, kryeministri nuk do të hidhte idenë utopike e donkishoteske për të mbjellë 20 milionë rrënjë ullinj në 4 vjet! Pasojat nuk vonuan të duken edhe në shumë drejtime të tjera: ishte skandaloz rasti i misrit steril që dha lëpushka e jo kokrra në disa rrethe të vendit, duke u sjellë dëme të pakompensueshme fermerëve. Sikur të mos mjaftonte ky rast, në Korçë e Divjakë, fusha të tëra me patate rezultuan pa kokrra, e për të vazhduar më tej me domatet monstra të serrave që nuk ishin të përshtatshme as për treg as për konsum. Prishja e Institutit të Mbrojtjes së Bimëve dhe e shërbimit të mbrojtjes së bimëve, ka sjellë pasoja të rënda në këtë sektor. Pesticidet që përdoren janë pa efektivitet dhe prodhimi bujqësor mbetet pre e sëmundjeve dhe e dëmtuesve. Dëmtimet janë të mëdha e me pasoja ekonomike për fermerët, të cilëve u shkon dëm gjithë mundi dhe puna. Blegtoria, përsa i përket shëndetit të kafshëve, gjendet në situatë kritike, ato kërcënohen nga sëmundjet, një pjesë e të cilave janë kërcënim edhe për jetën e njerëzve. Mungon prognozimi dhe diagnostikimi në kohë, ndërsa biopreparatet dhe vaksinat janë krejt të pamjaftueshme.
Amullia dhe trajtimi jo shkencor i kësaj dege ka thelluar dukuritë negative që vazhdojnë prej vitesh: në fshat vazhdon të thellohet varfëria, ku katër në çdo pesë veta jetojnë në skamje të thellë. Në një kohë kur rreth gjysma e popullsisë së vendit jeton në fshat, prodhimi bujqësor nuk është në gjendje të sigurojë burimet e jetesës për fshatarësinë dhe për më tepër vazhdon të ndikojë gjithnjë e më pak në krijimin e të ardhurave për ekonominë kombëtare. Rënia e prodhimit bujqësor dhe pamundësia e mbërritjes së tij në tregjet e brendshme e të jashtme, ka rënduar së tepërmi deficitin tregtar të vendit. Importet e prodhimeve bujqësore dominojnë ndjeshëm, ato janë në raportin 10:1, kjo ka sjellë rritjen e paparë të çmimeve të prodhimeve ushqimore, duke bërë që 70% e buxhetit të familjeve shqiptare të shpenzohet vetëm për ushqim! Ka edhe më: migrimi dhe zhvendosja masive e popullsisë së fshatit drejt qyteteve dhe emigracionit, janë një tregues tjetër i dështimit të politikave qeveritare aktuale në fushën e bujqësisë dhe ushqimit.
Bujqësisë shqiptare i duhet më shumë se kujtdo tjetër kërkimi dhe drejtimi shkencor në bujqësi dhe ja sepse: fermat tona bujqësore janë të vogla, me pak tokë e të pa specializuara. Veç masave të tjera, në këndvështrimin shkencor dhe ekonomik, rezerva kryesore për rritjen e prodhimit bujqësor e blegtoral është shfrytëzimi i potencialit prodhues të tokës, klimës, farërave të zgjedhura të bimëve bujqësore dhe racave të blegtorisë. Jemi në rajonin mesdhetar, plot dritë e diell, me klimë të përshtatshme, toka të mira e mundësi ujitjeje, por në krahasim me vendet e rajonit, ne nuk i shfrytëzojmë këto të mira e potenciale. Aktualisht, nga bimët bujqësore, bujqësia jonë merr 1/3 deri gjysmën e potencialit të tyre prodhues, ndërsa në prodhimin e qumështit rreth 1/3-ën! Sa për ilustrim: nga misri hibrid mund të merren 70-100 kv/ha. Ne mesatarisht marrim (po t'u besojmë statistikave) 46 kv/ha. Nga lopët e qumështit mund të merren normalisht 4-5 mijë litra qumësht në vit, ndërsa prodhimi ynë mesatar është 2200 litra. Pa dashur të sjell shembuj të tjerë, vetiu lind pyetja: si do të arrihen këto nivele prodhimi në fermat tona? Natyrisht, nëpërmjet kërkimit dhe drejtimit shkencor, i cili duhet të përqendrohet në arritjen e këtyre synimeve, që natyrisht nuk janë të lehta. Përfitimi do të jetë i madh, gati dyfishimi i prodhimit aktual. Është aksiomë e njohur: investimi më i leverdishëm është ai në shkencë.
Nga ky parashtrim dhe argumentet që u sollën, vetiu lind nevoja e domosdoshme e rishikimit të reformës në institucionet shkencore të bujqësisë. Në vend të likuidimit të tyre, si alternativë do të ishte riorganizimi racional në minimumin e domosdoshëm të instituteve duke reduktuar numrin e tyre, në tre-katër gjithsej ose duke krijuar Qendrën Kombëtare të Kërkimeve Shkencore Bujqësore me stacione shkencore rajonale në varësi. Komplementare do të jenë edhe kërkimet në institucionet e arsimit të lartë. Në këtë kuadër, nuk mund të lihet jashtë vëmendjes profesorati i bujqësisë. Për këtë mund të shërbejë fare mirë krijimi i "Këshillit të Lartë Kombëtar të Ekspertëve të Bujqësisë dhe Ushqimit", i cili mund të përcaktojë përparësitë në fushën e kërkimit bujqësor, si shprehje e nevojave të bujqësisë shqiptare.
Kështu nuk mund të ecet më tej. Ka ardhur koha të korrigjohet një veprim i gabuar dhe shkencës bujqësore t'i jepet vendi që i takon, përndryshe do të kemi dështime dhe fryte të hidhura.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›