As regres, as progres, thjesht stanjacion
Blendi Kajsiu
Së fundmi mediat shqiptare iu sulën raportit të fundit të Freedomhouse, ku thuhej se Shqipëria ka bërë regres në disa fusha, si liria e medias, korrupsioni apo shteti i së drejtës. Një raport i tillë nuk mund të vinte në një kohë më të mirë për aktorët dhe faktorët kritikë ndaj qeverisë Berisha, që për momentin është e ngatërruar në një përplasje me ndërkombëtarët, me ...Prokurorinë, me Presidentin, me gazetën "Tema". Prandaj edhe pse vetë raporti ende nuk mund të gjendet në faqen e internetit të Freedomhouse, gazetarët nuk ngurruan të analizonin konkluzionet e tij, duke theksuar regresin që ka bërë Shqipëria sidomos gjatë vitit 2008, dhe sidomos në fushën e lirisë së medias. Dhe shembull më të mirë se incidenti me gazetën "Tema" në këtë pikë nuk mund të kishte.
E megjithatë ndonëse përplasja e ekzekutivit me gazetën "Tema" është shqetësuese, vështirë të thuash se liria e medias sot në Shqipëri është më e kufizuar se dje, kur p.sh. në pushtet ishin socialistët. Vërtet ndonjë gazetar si Mero Baze sot mund të ndihet i rrezikuar, ama sot më shumë se dje ekzekutivi shqiptar kritikohet nga televizionet, gazetat, gazetarët apo analistët kryesorë shqiptarë si kurrë më parë. Padyshim që kjo ka prodhuar tensione dhe përplasje mes medias dhe ekzekutivit. Padyshim që kryeministri ka akuzuar shpesh kot median si të lidhur me krimin, ama kjo e fundit nuk ka ngurruar ta sulmojë, analizojë apo kritikojë ekzekutivin nga të gjitha anët. Ndonjë viktimë si Mero Baze natyrisht që përbën një sinjal shqetësues, por jo një fenomen përcaktues për lirinë e shtypit në Shqipëri. Edhe pse gazeta "Tema" duhet të mbrohet, ajo nuk mund të njehsohet totalisht me lirinë e medias në Shqipëri, por edhe me problematikën e saj.
Ama, fakti që sot ka tension mes medias dhe ekzekutivit për momentin reflekton prezencën dhe jo mungesën e lirisë së shtypit. Analistë amerikanë që tensionin mes qeverisë dhe medias e njehsojnë me mungesën e lirisë së shtypit, duket se nuk njohin mirë dinamikën e medias shqiptare. Atëherë kur ky tension ka munguar, liria e medias ka qenë më e kufizuar. Rëndom gjatë tetë viteve të qeverisjes socialiste media dhe qeveria kanë bashkëjetuar në paqe dhe harmoni. Madje shpesh kjo e fundit, si në rastin e qeverisë Meta, në emër të lirisë së shtypit edhe i ka financuar mediat në mënyrë direkte. Por kjo nuk do të thotë se media atëherë ka qenë më e lirë, ajo ishte thjesht më e blerë.
Kjo nuk do të thotë sa më shumë tension aq më shumë liri. Tensioni me qeverinë eventualisht mund të rrezikojë vetë ekzistencën e medias së lirë. Prandaj as qeveria sot nuk mund të mburret se e ka thelluar lirinë e medias. Ajo që ka ndryshuar nuk është liria e medias, por stili i qeverisjes dhe tregu mediatik. Qeverisja Berisha ndryshe nga ajo socialiste është më shumë konfrontuese sesa kooptuese, ndonëse edhe ajo i përdor të dyja këto mekanizma sipas rastit. Disa nga mediat sot janë shumë më të fuqishme se dje dhe mund t'i rezistojnë më mirë presionit të qeverisë duke u konfrontuar me të. Tensioni që pason është shenjë e lirisë më të madhe që ato gëzojnë, që buron pavarësisht dhe jo nëpërmjet ekzekutivit. Por është një liri që gjithsesi mbetet e rrezikuar nga mekanizmat e pushtetit. Është një liri që mund të komprometohet si në përplasje ashtu edhe në bashkëpunim me pushtetin.
Prandaj media sot nuk ka bërë as progres dhe as regres, ajo është thjesht në stanjacion. Edhe sot si dje është e vështirë të dallosh funksionimin e medias për përdorim vetjak, parimor, demokratik apo qeveritar. Edhe sot si dje ekzekutivi favorizon mediat afër dhe penalizon ato larg tij. Edhe sot si dje media mund të flasë dhe ekzekutivi mund të mos dëgjojë. Shprehja lapidare e Berishës "ju bëni pyetjet tuaja dhe unë jap përgjigjet e mia" e përmbledh më së miri indiferencën e ekzekutivit ndaj medias që nga dje sot mund të ketë ndryshuar në formë, por jo në përmbajtje. Edhe sot si dje marrëdhënia media-biznes-politikë mbetet problematike. Konfrontimet apo paqtimet ekzekutiv-media dëshmojnë vazhdimësinë e kësaj marrëdhënie që ndryshon në pasoja, por jo në thelb.
E njëjta gjë mund të thuhet edhe për një sërë fenomenesh si korrupsioni, qeverisja, papunësia, prona apo zhvillimi ekonomik, disa nga çështjet kyç që i interesojnë shqiptarëve sot. Në të gjitha këto fusha nuk ka ndonjë ndryshim thelbësor midis qeverisjes së djeshme socialiste dhe asaj të sotme demokrate. Nëse me korrupsion nënkuptojmë përdorimin e pushtetit për interesa thellësisht vetjake, atëherë kemi një ndryshim në formë dhe në pasoja më shumë sesa në përmbajtje. Nëse korrupsioni i socialistëve dje ishte më i decentralizuar ashtu si dhe vetë pushteti socialist, ky i demokratëve sot është më i centralizuar, ashtu si vetë pushteti demokrat. Ndërsa elementë të tjerë si niveli i papunësisë apo zhvillimi ekonomik mbeten të ngjashëm si në formë ashtu edhe në përmbajtje. Shifra e papunësisë në Shqipëri ka vite që nuk ndryshon, edhe pse punësimi mbetet problemi kryesor i shqiptarëve. Rritja e Prodhimit të Përgjithshëm Bruto (GDP) nga ana tjetër ka kohë që mbetet diku tek 5-6%, pavarësisht krizave lokale apo globale dhe shifrave që jep kryeministri. Problemi është se me gjithë këtë rritje impresive që ndodh prej vitesh, struktura e ekonomisë shqiptare vazhdon të jetë po ajo, një ekonomi me sektor kryesor shërbimet, ndërtimin, që prodhon pak, importon shumë dhe mbahet me remitancat apo lekë që vijnë nga aktivitete të tjera informale. Pas kaq shumë vitesh rritje as qeveritë e djeshme as kjo e sotmja nuk na thonë dot se si konkretisht do të zhvillohet ekonomia shqiptare, duke u bërë konkurruese në tregun evropian. Të vetmet përgjigje që kemi deri tani janë parullat e zakonshme NATO, integrimi, BE-ja, forcimi i institucioneve, infrastruktura apo antikorrupsioni.
Pikërisht për këtë arsye krahasimi mes qeverisjeve thellohet tek detajet e qeverisjes së PS dhe PD; numri i rrugëve të shtruara, kush e nënshkroi marrëveshjen me BE-në, numri i zyrtarëve të dënuar për korrupsion, emri i bandave apo banditëve të arrestuar apo sjellja e liderëve të veçantë me media të veçanta. Madje po të shikojmë të dhënat e fundit të qeverisë përsa i përket zhvillimit ekonomik, ato filluan të bëheshin nga shtatë në tremujore. Derisa në analizën e fundit qeverisja reduktohet tek karakteri i liderit; të majtët vlerësojnë karakterin liberal dhe tolerant të qeverisjes së Nanos ku "hanin të gjithë", ndërsa të djathtët vendosmërinë dhe vullnetin e Berishës me të cilin hanë "vetëm të tijtë".
Por sa më shumë ndryshojnë detajet e qeverisjes dhe karakteret e liderëve, aq më pak ndryshon Shqipëria. Sa më shumë ne sforcohemi për të kuptuar diferencën nga njëra qeverisje tek tjetra, aq më pak arrijmë të kuptojmë se nuk po bëjmë as progres dhe as regres, jemi thjesht në stanjacion. Gjërat ndryshojnë pafund për të mbetur po njësoj. Këtij qëllimi i shërbejnë edhe raporte si ky i FreedomHouse, që duke u marrë me pemët fshehin pyllin. Në dhjetë vitet e fundit që ky raport vlerëson Shqipërinë në fusha si korrupsioni, qeverisja, demokracia apo media, vendi ynë, herë me 0.25 herë me 0.5 pikë, lëviz pa fund nga viti në vit në çdo sektor, për të mbetur pak a shumë aty ku ishte. Prandaj ndoshta është koha që në vend të debatit pafund për progresin apo regresin e Shqipërisë të diskutojmë se nga buron dhe si mund të dilet nga stanjacion ku jemi. Mundësisht pa parullat e zakonshme, NATO, BE dhe antikorrupsioni, por duke u marrë me çështje më mediokre si punësimi, të ardhurat për frymë dhe dinamizmi i ekonomisë shqiptare. Përndryshe stanjacioni do të përsëritet në një formë tjetër me qeverisjen e ardhshme. Dhe stanjacioni në kohët ku jetojmë është regres.