E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gërdeci, shtohet fondi për dëmshpërblimin e familjeve

 

zirina llambro

Rritet  me rreth 70 milionë lekë fondi për dëmshpërblimin e familjeve që u dëmtuan nga shpërthimi në Gërdec marsin e shkuar. Gazeta publikon të plotë listën e familjeve që do të përfitojnë. Pas ankesave lidhur me vlerësimin e dëmeve të Enti Kombëtar i banesave ka kryer procedurat përkatëse të verifikimit të dokumentacionit, duke e nisur më pas gjithë këtë praktikë në Ministrinë e Brendshme. Ka qenë kjo e fundit, që në bazë të saj i ka kërkuar qeverisë të bëjë ndryshimet përkatëse si dhe të miratojë listat e reja me emrat dhe vlerën e parave që do të përfitojnë personat e dëmtuar. Kështu për dëmshpërblimin e familjeve, vlera e fondit që do të shpërndahet është 85 198 408 lekë, nga 13 682 192 lekë që ishte në projektin e mëparshëm. "Prej vendimit do të përfitojnë familjet me shtëpi të shkatërruara plotësisht, të cilëve nuk u janë vlerësuar orenditë ose u është bërë një vlerësim i pjesshëm i tyre, këta rezultojnë të jenë 95 famijle", përcakton vendimi. Një tjetër kategori që është përfshirë janë edhe ato familje, të cilëve do të përfitojnë  vlerën e llogaritur nga enti kombëtar i banesave për dëmet në punime ndërtimore dhe pajisje. "Gjithashtu përfitojnë familje në juridiksionin e Bashkisë Manzë, me shtëpi të dëmtuara por të papublikuara në vendimin e Këshillit të Ministrave", ka përcaktuar qeveria. Sipas saj, me vendimin e djeshëm është parashikuar mbyllja e të gjitha problemeve të prezantuara nga Bashkia Vorë, si dhe sistemimi i disa veprimeve me efekte financiare të kryera nga enti kombëtar i banesave gjatë procesit të vlerësimit. Në dy vendime të tjera, të miratuara po dje, qeveria ka shtuar edhe 22 familje përfituese të cilat nuk ishin përfshirë në listat e mëparshme. Kërkesa për familjet shtesë për trajtim me fond për qiranë, është bërë nga Bashkia Vorë. Vendimi parashikon dhënien e një ndihme financiare prej 25 000 lekësh në muaj për qiranë e banesës, për një periudhë 6-mujore, familjeve shtëpitë e të cilëve janë shkatërruar tërësisht nga shpërthimi në Gërdec dhe ndodhen në rrezen jashtë perimetrit me 300 me nga vatra e tij. Fondi i parashikuar për to kap vlerën e 54 527 200 lekëve. Do të jetë Bashkia e Vorës ajo që do të merret me kryerjen e të gjitha procedurave ligjore për shpërndarjen e fondeve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›