Hiqet tatimi mbi të ardhurat për ish-pronarët dhe të përndjekurit
Hiqet tatimi mbi të ardhurat për ish-pronarët dhe të përndjekurit. Qeveria ka miratuar dje disa ndryshime në ligjin "Për tatimin mbi të ardhurat". Sipas ndryshimeve të bëra dje, nuk do të tatohen më paratë që marrin nga kompensimi financiar ish-pronarët si dhe paratë e kompensimit që marrin ish të përndjekurit politikë. Në fakt, kjo kategori këto të ardhura që merr nga buxheti i shtetit nuk konsiderohen si të ardhura për qëllim fiskal dhe si të tilla nuk do të tatohen më. Në mbledhjen e djeshme qeveria ka miratuar edhe disa ndryshime të tjera në këtë ligj. Konkretisht në bazë të ndryshimeve të bëra fitimet e kompanive nuk do të taksohen më dy herë. Ligji i mëparshëm parashikonte një diferencim në përcaktimin e fitimit të tatueshëm të një personi rezident. Sipas ligjit të mëparshëm, nuk trajtoheshin dhe nuk merreshin parasysh si të ardhura për efekt tatimi dividendët dhe ndarjet e fitimit kur ato shpërndaheshin nga shoqëritë dhe ortakëritë rezidente që ishin subjekte të tatimit mbi fitimin dhe kur subjekti përfitues zotëronte një paketë aksionesh jo më pak se 25 për qind në vlerë, ose në numër të kapitalit aksioner, ose të së njëjtës votë dhe për ortakërinë jo më pak se 25 për qind të kapitalit fillestar. Ky trajtim i ligjit bënte që subjektet përfituese të dividendëve, të cilët zotëronin më pak se 25 për qind të kapitalit aksioner ose të së drejtës së votës, ndërsa ortakëritë më pak se 25 për qind të kapitalit fillestar të tatoheshin dy herë. Një herë kur tatohej dividendi dhe një herë tjetër kur tatoheshin të ardhurat. Por me ndryshimet e bëra dje në qeveri, shmanget tatimi i dyfishtë për subjektet përfituese rezidente, të cilët zotërojnë më pak se 25 për qind të kapitalit aksionar apo fillestar të subjektit rezident që shpërndan dividendin.