E Diel, 1 Nëntor 2026

Zgjedhjet më 28 qershor,Kuvendi cakton mandatet

 

BLEDAR HOTI

Presidenti cakton 28 qershorin ditën e votimeve të përgjithshme në Shqipëri. Kreu i shtetit ka preferuar të caktojë datën e fundit ligjore për të çuar shqiptarët drejt kutive të votimit për të zgjedhur maxhorancën qeverisëse për katër vitet e ardhshme. "Bazuar në nenin 92, pika "gj" e Kushtetutës dhe nenin 184 të Kodit Zgjedhor të miratuar nga Kuvendi në datë 29.12.2008, Presidenti i Republikës vendosi që zgjedhjet e përgjithshme për Kuvendin e Republikës së Shqipërisë të mbahen ditën e diel, në datë 28 qershor 2009", thuhet në njoftim për shtyp. Dekreti i kreut të shtetit mban numrin 6008. Presidenti kishte si mundësi të përzgjidhte dy data, 21 dhe 28 qershorin. Duke iu përmbajtur afatit ligjor, që brenda 7 ditëve nga hyrja në fuqi Presidenti shpall datën e zgjedhjeve, tashmë me dekretin e nxjerrë duhet të startojë edhe ngritja e administratës dhe infrastrukturës zgjedhore. Fushata zgjedhore nis më 28 maj të këtij viti, çka përkon dhe me ndërprerjen e punimeve parlamentare. Brenda një muaji partitë duhet të përfshihen në këto votime, që për herë të parë zhvillohen me sistemin proporcional rajonal. Hapi i parë është ngritja e KQZ-së, më pas dhe përgatitja e infrastrukturës së plotë zgjedhore. Ndërsa brenda pesë ditëve nga dita e djeshme, Këshilli i Lartë i Drejtësisë duhet të zgjedhë tetë anëtarët e Kolegjit Zgjedhor. Gjithashtu me miratimin e këtij ligji, organet e qeverisjes vendore, pra bashkitë, komunat dhe njësitë bashkiake brenda 15 ditëve duhet të shpallen listat paraprake të zgjedhësve. Këto lista duhet të afishohen në vende publike, në mënyrë që shtetasit shqiptarë të verifikojnë nëse janë në këto lista ose jo. Ndërsa 60 ditë përpara zgjedhjeve nuk do të lejohen ndryshime në listat paraprake. Brenda 28 prillit nuk do të ketë ndryshim listash. Ndërsa lista përfundimtare e zgjedhësve duhet të shpallet brenda 30 ditëve nga zhvillimi i zgjedhjeve, më 28 maj. Ndërsa Komisioni Qendror i Zgjedhjeve detyrë ka përcaktimin e mandateve zgjedhore dhe ia dërgon Kuvendit për miratim me procedurë të përshpejtuar. Ndërsa jo më vonë se 60 ditë përpara zhvillimit të zgjedhjeve, duhet të përcaktohet vendndodhja e grupeve të numërimit të votave. Këshilli i Lartë i Drejtësisë brenda pesë ditëve nga dekretimi i datës së zgjedhjeve nga ana e Presidentit duhet të përzgjedhë tetë gjyqtarët e Kolegjit Zgjedhor. Brenda 48 orëve, KLD-ja shpall publikisht vendin ku do të zhvillohet shorti i përzgjedhjes së tetë gjyqtarëve dhe ia dërgon listën katër partive parlamentare. Në këtë proces përfshihen edhe partitë parlamentare, të cilat përzgjedhin paraprakisht emrat e gjyqtarëve. Dy parti parlamentare të maxhorancës që kanë shumicën e mandateve, si dhe dy parti të opozitës që kanë shumicën e mandateve. Pas hedhjes së këtij shorti në publik, secila parti parlamentare ka të drejtën të eliminojë një prej tetë të zgjedhurve nga shorti. Asnjë prej partive nuk ka të drejtën që të kundërshtojë vendimin për të eliminuar gjyqtarët. Mësohet se KLD-ja i ka kërkuar zyrtarisht Kuvendit mbi dy partitë e pozitës dhe dy partitë e opozitës me numrin më të madh të mandateve në Kuvend", përfundon njoftimi i KLD-së.

Topi: Zgjedhjet, çasti më i rëndësishëm i demokracisë

Kreu i shtetit në pritjen e organizuar dje në mbrëmje me trupin diplomatik të akredituar në Tiranë, ka dhënë edhe komente mbi zgjedhjet e ardhshme parlamentare. "Sot unë dekretova datën 28 qershor të këtij viti, si ditën e zhvillimit të zgjedhjeve parlamentare në Shqipëri me mendimin, shpresën dhe besimin se ky është çasti më i rëndësishëm politik i demokracisë shqiptare dhe i pluralizmit në Shqipëri. Kjo datë përbën mundësinë e madhe për t'u shkëputur nga tranzicioni politik në vendin tonë. Këtë përgjegjësi duhet ta ndjejnë të gjitha forcat politike në Shqipëri, si maxhoranca ashtu edhe opozita, duhet ta ndihmojnë të gjitha mediat nëpërmjet lirisë dhe objektivitetit të tyre", deklaroi Topi. Kreu i shtetit theksoi gjithashtu se "pjesë e kësaj përgjegjësie duhet të bëhen të gjithë shtetasit tanë, duke i nxitur të shprehen të lirë, të sigurt dhe të qetë si nëpërmjet ndërtimit të një infrastrukture bashkëkohore, ashtu edhe nëpërmjet zhvillimit të një fushate transparente, civile dhe programore".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›