E Diel, 1 Nëntor 2026

Vendimi, çmimet e reja të kartave të identitetit

 

ADI SHKEMBI

Qeveria zyrtarizon vendimin për uljen e çmimit të kartës së identitetit për disa kategori. Punonjësit e administratës me të ardhura të ulëta, pensionistët, shtresat në nevojë dhe studentët, nuk do ta marrin letërnjoftimin me çmimin fillestar, prej 1200 lekësh, por me një vlerë më të reduktuar. Kjo masë e qeverisë vjen vetëm pak ditë pasi ka nisur procesi i pajisjes së qytetarëve me kartat e reja të identitetit.
Vendimi
Rreth 800 mijë persona do të përfitojnë ulje të çmimit të letërnjoftimit biometrik. Në mbledhjen e djeshme, me propozim të Kryeministrit Berisha është miratuar vendimi për kompensimin e pagesës për pajisjen me letërnjoftim për shtresat në nevojë. Në këtë mënyrë, çdo qytetar që trajtohet me ndihmë ekonomike dhe që është mbi 18 vjeç; çdo person me aftësi të kufizuara, si dhe anëtarët e familjes mbi 18 vjeç, kur kryefamiljari është me aftësi të kufizuara; personat që përfitojnë asistencë dhe studentët do ta marrin kartën e identitetit me vlerën 500 lekë të reja. Personat që përfitojnë pension pleqërie, të të gjitha llojeve, si dhe ata që kanë në ngarkim pensionistë, do ta blejnë kartën për 800 lekë, ndërsa punonjësit e administratës që marrin pagë bruto deri në 35 mijë lekë, do ta blejnë kartën e identitetit për 1 mijë lekë të reja. Sipas relacionit të qeverisë "Nisur nga impakti që mund të ketë çmimi i përcaktuar për marrjen e letërnjoftimit te shtresa të caktuara të shoqërisë, në politikat e qeverisë parashikohet edhe mbështetja e atyre shtresave, të cilat preken më shumë. Numri i personave që preken nga ky projekt vendim, llogaritet në mbi 800 mijë veta dhe efekti financiar shkon në rreth 500 milionë lekë".
Procedura
Në vendimin e miratuar dje përcaktohet në të njëjtën kohë edhe procedura se si do të kompensohen kategoritë që do të përfitojnë ulje çmimi të kartës së identitetit. Kështu në pikën 2 të tij theksohet se kompensimin do ta përfitojnë të gjithë ata qytetarë të këtyre kategorive, që kanë aplikuar deri më 30 maj 2008, pra afro një muaj para zgjedhjeve të 28 qershorit. Personat që aplikojnë pas kësaj date nuk do ta përfitojnë kompensimin. "Kompensimet jepen, përkatësisht, nga zyrat ku bëhen pagesat për pagat, ndihmën ekonomike, papunësinë dhe pensionet. Për studentët pagesa bëhet nga universitetet, ku ata studiojnë. Pagesa e kompensimit, përfituesit, bëhet menjëherë me fondet buxhetore, të miratuara në buxhetet e institucioneve përkatëse dhe këto të fundit kërkojnë rimbursimin për pagesat e kryera, sipas rregullave të përcaktuara në këtë vendim", thuhet më tej në vendim. Qytetarët që janë në një nga kategoritë që përfitojnë, duhet të shkojnë në zyrën ku kanë bërë pagesën dhe të paraqesin një fotokopje të aplikimit për marrjen e kartës së identitetit, së bashku me mandatin e pagesës së bërë. Në fund të muajit, çdo institucion buxhetor dhe njësi e qeverisjes vendore do të raportojnë, përkatësisht, në ministritë/institucionin qendror, nga i cili varet, dhe në Ministrinë e Brendshme listëpagesën e përfituesve të kompensimit të paguar për muajin, së bashku me fotokopjet e mandateve të përfituesve. "Ministritë dhe institucionet qendrore, bazuar në këto raporte, bëjnë një kërkesë përmbledhëse për rimbursimin e fondeve të shpenzuara, në Ministrinë e Financave, e cila bën çeljen e menjëhershme të fondeve për ministritë dhe institucionet qendrore. Këto të fundit bëjnë, më tej, rimbursimin për institucionet vartëse dhe njësitë e qeverisjes vendore", theksohet më tej në vendim.

Kategoritë që përfitojnë

Shtresave në nevojë t'u kompensohet pagesa për pajisjen me letërnjoftim në shumat, si më poshtë vijon:
a) Në masën 700 (shtatëqind) lekë:
i.  Çdo anëtari të familjes, që trajtohet me ndihmë ekonomike dhe që është mbi 18 vjeç, si dhe të atyre që e mbushin këtë moshë para datës 30 qershor 2009;
ii. Personave me aftësi të kufizuar, të lindur a të bërë të tillë, të cilët deklarohen të paaftë për punë me vendim të KMCAP-së, sipas pikës 3, të nenit 7, të ligjit nr.9355, datë 10.3.2005, "Për ndihmën dhe shërbimet shoqërore", si dhe anëtarëve të familjeve të tyre, që janë mbi 18 vjeç, kur personi me aftësi të kufizuar është kryefamiljar;
iii. Personave, që përfitojnë pagesë papunësie;         
iv. Studentëve.
b) Në masën 400 (katërqind) lekë:
i. Të gjithë personave që përfitojnë pension pleqërie, në fshat apo qytet, të plotë ose të pjesshëm, si dhe pension invaliditeti;
ii.  Personave në ngarkim të pensionistëve, të cilët janë pa të ardhura.
c) Në masën 200 (dyqind) lekë:
i. Punonjësve të institucioneve buxhetore, me pagë mujore bruto jo më të madhe se 35 000 (tridhjetë e pesë mijë) lekë, si dhe personave në ngarkim të tyre, pa të ardhura.

Balla: Kartat e identitetit, proces i dështuar që në nisje

Partia socialiste e konsideroi sërish dje dështim procesin e pajisjes së qytetarëve me karta identiteti. Kryetari i Komisionit të Politikës së Jashtme dhe Integrimit në PS, Taulant Balla tha dje se "procesi i shumëpritur dhe tejet i vonuar i shpërndarjes së Kartave të identitetit dështoi që në ditën e parë, sepse sistemi u bllokua brenda tre orëve të para dhe qytetarët nevojtarë u shtynë në radha". "Sali Berisha lëshoi dy ditë më parë demagogjinë e radhës, duke u munduar të kamuflojë për të suksesshëm një proces që dështoi. Sot, Sali Berisha na tregoi se "kjo ishte loja", duke e cilësuar atë si një provë, por në fakt ai vazhdon të tallet me shqiptarët. Një javë rresht lajmëroi nisjen e procesit në datën 12 janar dhe jo nisjen e provave për shpërndarjen e letërnjoftimeve", tha Balla. Sipas tij, ky proces ka humbur seriozitetin e tij dhe i është lënë gjithçka rastësisë dhe spontanitetit. "Në këtë proces kaq të rëndësishëm për vendin gjithçka i është lënë rastësisë dhe konfuzionit, qëllimisht, ndaj PS përsërit: Sali Berisha duhet ta ketë të qartë se pa pajisjen me karta identiteti të së gjithë qytetarëve, nuk ka zgjedhje në Shqipëri! Për këtë qëllim është i rëndësishëm prioriteti i pajisjes me Karta identiteti të qytetarëve pa pasaporta të vlefshme për votim", tha Balla. Duke komentuar dhe Raportin që qeveria i dërgon Komisionit Evropian socialistët e cilësuan dje pseudo-raport, pasi ai nuk ka rezultate konkrete.

Berisha replika me Nishanin për orarin

Kryeministri Berisha ka replikuar në mbledhjen e djeshme të qeverisë me ministrin Nishani për orarin e zyrave të postës. Sipas kryeministrit, qytetarët kanë shkuar në postë pas punës dhe i kanë gjetur zyrat e tyre të mbyllura. "Një problem tjetër është orari i qendrave të aplikimit. Qytetarët që kanë shkuar pas punës për të aplikuar për dokumentet, i kanë gjetur zyrat të mbyllura. E kuptoj që ata bëjnë një punë të lodhshme, të pandërprerë dhe që kërkon përqendrim, por, zoti Ministër i Brendshëm, duhet të ngarkoni një Task Force për të ushtruar kontroll të përgjithshëm, të njoftohet publiku që zyrat do të jenë të hapura deri në 12 orë në dispozicion të qytetarëve", është shprehur Berisha. Ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, ka ndërhyrë duke thënë se "në këto zyra që ditën e hënë është punuar me 12 orë", është shprehur Nishani. Por sipas kreut të qeverisë, një gjë e tillë nuk është e vërtetë. "Kjo nuk është e vërtetë, pasi dje qytetarët kishin gjetur zyrat e mbyllura pas orarit zyrtar", u përgjigj Berisha pretendimit të ministrit Nishani.

Kuvendi zgjedh KQZ
Pas hyrjes në fuqi të Kodit Zgjedhor, Kuvendit i duhet të  përzgjedhë Komisionin e ri Zgjedhor. Ky institucion do të ketë në përbërje shtatë anëtarë gjithsej. Mbi bazën e saj katër anëtarë i përkasin maxhorancës parlamentare, ndërsa katër të tjerë i përkasin opozitës parlamentare. PD-ja ka dy anëtarë, ndërsa PS-ja ka dy anëtarë në KQZ. Ndërsa dy anëtarët e tjerë zgjidhen nga partitë e tjera parlamentare, një e maxhorancës dhe opozitës, të cilat marrin më shumë firma nga pro kandidatëve të tyre. Zyrtarisht Kuvendi nis punimet e këtij sesioni të fundit më 19 janar. Të hënën partive politike i duhet të paraqesin në mënyrë të shpejtë emrat e rinj që do të jenë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, pasi duhet të ngrihet me urgjencë infrastruktura e re zgjedhore.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›