E Diel, 1 Nëntor 2026

Skema e re e Sigurimeve Shëndetësore përfshihen 42 spitale të vendit



Emanuela Sako
Përcaktohet skema e re e Sigurimeve Shëndetësore, që pritet të shtrihet në 42 spitale në të gjithë vendin. Reforma pritet të fillojë në fillim të janarit, duke bërë praktike të gjitha pikat e përcaktuara nga specialistët. ISKSH-ja organizoi dje takimin me titull “Shtrirja e skemës në spitale, statusi dhe shkalla e autonomisë”, ku ka marrë pjesë dhe ministrja e Shëndetësisë, Anila Godo, dhe grupet e interesit. Ministrja e Shëndetësisë u shpreh se është marrë mbështetja e plotë e qeverisë për të ndërmarrë këtë reformë të rëndësishme për shtrirjen e skemës së sigurimeve edhe në të gjitha spitalet e vendit. Në bazë të reformave që do të kryhen, spitaleve u jepet më tepër autonomi për stafet që do të përzgjedhin, për kërkesat për medikamente, për ndarjen e buxhetit etj.
Reforma
Skema e re e sigurimeve shëndetësore u bë e njohur nga drejtoresha e ISKSH-së, Elvana Hana, e cila deklaroi se ISKSH-ja do të lidhë kontrata me 42 spitalet e vendit dhe më pas do të jetë drejtuesi i spitalit ai që do të lidhë kontratë me stafin. Sipas Hanës, nëpërmjet kontratave që do të lidhen me sigurimin shëndetësor do të kërkohet me këmbëngulje disiplinë administrative, disiplinë financiare dhe disiplinë profesionale për të siguruar eficencën e shërbimeve shëndetësore. Ajo sqaroi se Ministria e Financave ka rënë dakord që të ardhurat dytësore do të përdoren nga vetë spitalet, çka përbën një pikë themelore për funksionimin e skemës së sigurimeve shëndetësore. Tashmë drejtoritë e spitaleve kanë të drejtë t’i shpërndajnë vetë të ardhurat dytësore, sipas problematikës që hasin në spital. Kështu, një pjesë e problemeve në spitale do të mbulohen nga fondet e përcaktuara nga Ministria e Shëndetësisë, ndërsa disa të tjera do të zgjidhen nëpërmjet të ardhurave dytësore. Specialistët u shprehën se reformat do të aplikohen gradualisht, sipas rëndësisë së problematikës.
Ndryshimet
Pranë Ministrisë së Shëndetësisë janë ngritur grupe të përbashkëta pune me ISKSH-në apo me specialistë që po punojnë për ndryshime ligjore të kujdesit shëndetësor, për shtrirjen e reformës. Gjithashtu po punohet për ndarjen e buxheteve përkatëse dhe për hartimin e protokolleve të shërbimeve të ofruara nga çdo strukturë. Protokollet e hartuara do të jenë bazë për të përcaktuar të detajuar çmimin e çdo shërbimi të ofruar, i cili është i domosdoshëm për kontrollin e lëvizjeve të fondeve të akorduara. Sipas ministres Godo, përcaktimi i çdo shërbimi do të jetë i nevojshëm për të vendosur në baza të drejta konvencionet midis sektorit publik dhe privat. Më pas pritet që shtrirja e skemës së sigurimeve shëndetësore të vendoset edhe në sektorin privat për një pjesë të tyre.

MSH: Numri i personave mbi peshë është trefishuar
Vitet e fundit numri i personave mbi peshë në të gjithë Europën është trefishuar. Për këtë arsye, strukturat shëndetësore në të gjithë botën hartojnë strategji për shmangien e njerëzve mbi peshë, te të cilët shfaqen një sërë sëmundjesh. Lidhur me këtë çështje, Ministria e Shëndetësisë nis promovimin për “Javën e sensibilizimit kundër obezitetit”, për të gjithë ata njerëz që vuajnë dhe kërkojnë një mënyrë kujdesi për shëndetin e tyre. Në vendin tonë faktet flasin se 20% e të rinjve të shkollave të mesme janë mbi peshë dhe te femrat shkon deri 26%. Studimi që është bërë në qytetin e Tiranës për moshat mbi 55 vjeç mbipesha u vu re në 28,6%. Ndërkohë ka filluar studimi më i fundit në të gjithë vendin, i cili do të masë edhe treguesit që do të na tregojnë shkallën e mbipeshës apo të obezitetit tek ne. Sipas specialistëve, obeziteti dhe mbipesha përbëjnë rrezik për zhvillimin e një sërë sëmundjesh të rrezikshme. Shkaktojnë diabet tip 2, hipertension, sëmundje ishemike të zemrës e të arterieve të trurit, sëmundje të tëmthit, disa tipe kanceri si të mitrës, ovareve, gjirit, prostatës, zorrës, tëmthit, mëlçisë etj.
Obeziteti shkakton probleme psiko-sociale, si nocioni i fajësisë së peshës së tyre, ose realiteti social paragjykues stigmatizues që ekziston për të punësuar njerëz obezë. Ndërsa te fëmijët në shkolla shfaqin probleme të përparimit të ulët në mësime.
Gjithashtu, kostot e shoqërisë nga obeziteti janë rritur. Kostot direkte në rajonin europian zënë 6% të kostove për shëndetin, por nuk duhet harruar se ka edhe një kosto indirekte si humbja e jetës, ulja e produktivitetit, e të ardhurave, humbja e ditëve të punës për arsye të sëmundjeve të ndryshme që shfaqin obezët etj.

5 Nentor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›