E Diel, 1 Nëntor 2026

MSH: Numri i personave mbi peshë është trefishuar



Vitet e fundit numri i personave mbi peshë në të gjithë Europën është trefishuar. Për këtë arsye, strukturat shëndetësore në të gjithë botën hartojnë strategji për shmangien e njerëzve mbi peshë, te të cilët shfaqen një sërë sëmundjesh. Lidhur me këtë çështje, Ministria e Shëndetësisë nis promovimin për “Javën e sensibilizimit kundër obezitetit”, për të gjithë ata njerëz që vuajnë dhe kërkojnë një mënyrë kujdesi për shëndetin e tyre. Në vendin tonë faktet flasin se 20% e të rinjve të shkollave të mesme janë mbi peshë dhe te femrat shkon deri 26%. Studimi që është bërë në qytetin e Tiranës për moshat mbi 55 vjeç mbipesha u vu re në 28,6%. Ndërkohë ka filluar studimi më i fundit në të gjithë vendin, i cili do të masë edhe treguesit që do të na tregojnë shkallën e mbipeshës apo të obezitetit tek ne. Sipas specialistëve, obeziteti dhe mbipesha përbëjnë rrezik për zhvillimin e një sërë sëmundjesh të rrezikshme. Shkaktojnë diabet tip 2, hipertension, sëmundje ishemike të zemrës e të arterieve të trurit, sëmundje të tëmthit, disa tipe kanceri si të mitrës, ovareve, gjirit, prostatës, zorrës, tëmthit, mëlçisë etj.
Obeziteti shkakton probleme psiko-sociale, si nocioni i fajësisë së peshës së tyre, ose realiteti social paragjykues stigmatizues që ekziston për të punësuar njerëz obezë. Ndërsa te fëmijët në shkolla shfaqin probleme të përparimit të ulët në mësime.
Gjithashtu, kostot e shoqërisë nga obeziteti janë rritur. Kostot direkte në rajonin europian zënë 6% të kostove për shëndetin, por nuk duhet harruar se ka edhe një kosto indirekte si humbja e jetës, ulja e produktivitetit, e të ardhurave, humbja e ditëve të punës për arsye të sëmundjeve të ndryshme që shfaqin obezët etj.

Ministri i Punës në Komisionin e Punës: “Në 2009-n fondet për ndihmën ekonomike do të jenë 60% më të larta”

Fondet për ndihmën ekonomikë në vitin 2009 do të jenë 60 për qind më të larta se në vitin 2007. Ky fakt është raportuar dje në Komisionin Parlamentar të Punës, Çështjeve Sociale dhe Shëndetësisë nga ministri i Punës, Anastas Duro. Gjatë raportimit të tij në Komisionin Parlamentar të Punës, Duro ka folur për arritjet dhe objektivat e institucionit që ai do të drejtojë deri në fund të mandatit qeverisës. Veçanërisht ministri i ri i Punës është ndalur në politikat në fushën e punësimit, mbrojtjes sociale etj. Ministri Duro bëri një përmbledhje të arritjeve të Ministrisë së Punës në këto tre vjet, duke theksuar se angazhimi i qeverisë në fushën e punësimit, çështjeve sociale dhe mbrojtjes dhe sigurisë në punë gjen pasqyrim më së miri në arritjen e rezultateve konkrete nga Ministria e Punës. Sipas tij, periudha 2005-2008 ka qenë mjaft intensive në hartimin dhe zbatimin e politikave, strategjive, akteve ligjore e nënligjore për përmbushjen e detyrimeve madhore të shtetit ndaj qytetarëve. Duke u ndalur më konkretisht në arritjet për secilën fushë, ministri i Punës theksoi se politikat në fushën e shërbimeve sociale kanë konsistuar në reformimin e sistemit të shërbimeve shoqërore, gjë që ka sjellë rezultate konkrete dhe të prekshme si në rritjen e numrit të shërbimeve për shtresat në nevojë dhe përmirësimin e cilësisë së shërbimit, po ashtu edhe në identifikimin më të mirë familjeve dhe individëve në nevojë dhe rritjen ndjeshëm të masës së përfitimit për ta. “Shpërndarja e ndihmës ekonomike për herë të parë u mbështetet në vlerësimin e varfërisë, sipas Anketës së Varfërisë dhe me fondet e Ministrisë së Punës, tani përfundon edhe Anketa e Varfërisë për vitin 2008, në bazë të së cilës do të bëhet edhe shpërndarja e bllokgrandeve të ndihmës njësive vendore për vitin 2009”, - ka sqaruar Duro. Në fund të mandatit të tij qeverisës kreu i Ministrisë së Punës parashikon që numri i familjeve në nevojë, që mbështeten me ndihmë ekonomike të arrijë në 85 mijë, nga 93 mijë që janë skemë aktualisht. Në fund, ministri Duro i siguroi deputetët se politikat e hartuara deri tani nga qeveria dhe ato që do të hartohen më vonë, do të mundësojnë që shtetasit të kenë një stabilitet ekonomik e social si dhe të përfitojnë vazhdimisht nga rritja ekonomike.
J. Tashi

5 Nentor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›