E Diel, 1 Nëntor 2026

Krimi më i madh, Ballkani të lerë pas historinë e dhimbshme dhe të ndërtojë të ardhmen evropiane

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm Ilir Meta, i pranishëm në ceremoninë përkujtimore në Srebrenicë

Zv/kryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta mori pjesë në ceremoninë e 15 vjetorit të tragjedisë së Srebrenicës në Bosnje Hercegovinë, ku u rivarrosën eshtrat e 775 personave të identifikuar. Në ceremoni, kryediplomati shqiptar, Meta u prit nga Presidenti i Bosnjes Haris Silajdziç. Zv/kryeministri dhe ministri i Jashtëm, u takua edhe me familjarë të viktimave si dhe vizitoi ekspozitën me rastin e përkujtimit.
Të pranishëm në këtë ceremoni, me të cilët zëvendëskryeministri Meta ka zhvilluar dhe takime kanë qenë kryeministri turk, Rexhep Taip Erdogan, ministri i Jashtëm francez, Bernard Kushner dhe presidenti serb, Boris Tadiç. Meta bëri homazhe dhe vendosi një kurorë në përmendore. Në fund të ceremonisë, Meta dha një prononcim për mediat, duke deklaruar se masakra e Srebrenicës, është ngjarja më e dhimbshme në të gjithë evropën, pas Luftës së Dytë Botërore. Zv/kryeministri shqiptar, vuri në dukje se vendet e rajonit duhet të shkëputen nga mentaliteti i dhimbshëm i së shkuarës dhe të shohin drejt së ardhmes.
“Nuk mund të mungoja në këtë përvjetor shumë të rëndësishëm të Tragjedisë së Srebrenicës, që është krimi më i madh kundër njerëzimit që pas luftës së dytë botërore.
Jam këtu për të shprehur solidaritetin tonë me të gjithë popullin e Bosnjes dhe me familjarët e viktimave, por njëkohësisht edhe të theksoj angazhimin tonë, që duke përkujtuar ngjarje te tilla kaq tragjike, që nuk kanë ndodhur shumë larg në të kaluarën.
Njëkohësisht, duhet të mësojmë se si të mos përsëriten më ngjarje të tilla, dhe njëkohësisht të garantojmë një të ardhme të sigurt për të gjithë qytetarët e Bosnjes, qytetarët e rajonit dhe për fëmijët tanë”- u shpreh zv/kryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta.
Masakra e Srebrenicës njihet si një nga gjenocidet më të përgjakshme të historisë së njerëzimit, ku afro 8 mijë myslimanë të Bosnje Hercegovinës u masakruar nga ushtria serbe e urdhëruar nga Sllobodan Milosheviç dhe udhëheqësi i serbëve të Bosnjës, Ratko Mlladiç.

Ceremonia
Të paktën 50 000 persona morën pjesë dje në 15-vjetorin e masakrës së Srebrenicës, në Bosnje, ku humbën jetën rreth 8 000 myslimanë boshnjakë, në korrik 1995.
Masakra e kryer nga forcat serb-boshnjake në fund të luftës së Bosnjës (1992-95) është konsideruar gjenocid nga drejtësia ndërkombëtare.
Ceremonitë civile dhe fetare filluan në orët e para të mëngjesit të djeshëm, për të vazhduar gjatë gjithë ditës. Ato filluan me varrosjen e eshtrave të 775 viktimave të masakrës, në qendrën memoriale të Potocarit, ku aktualisht ndodhen edhe 3 749 viktima të tjera.
Në këtë ceremoni morën fjalën kryeministri belg, Yves Leterme, vendi i të cilit ka presidencën e radhës të BE-së si edhe kryeministri turk, Recep Tayyip Erdogan.
Në ceremoni ishin të pranishëm ministri i Jashtëm francez, Bernard Kouchner dhe presidenti serb, Boris Tadiç.
Me një rezolutë të miratuar në mars, parlamenti serb ka dënuar masakrën e Srebrenicës, por nuk ka guxuar ta konsiderojë atë si gjenocid. Pavarësisht qëndrimit të politikës serbe, masakra e 11 korrikut 1995-ë vazhdon të dënohet nga eksponentët ndërkombëtarë.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›