E Shtunë, 31 Tetor 2026

Krimi në Dajç, zbardhen orët e rrethimit

 

LEZHE / ROLAND NIKOLLI

Zbardhet nga policia e Lezhës ngjarja e rëndë e ndodhur mbrëmjen e së hënës në fshatin Dajç. Nga këqyrja e vendit të krimit rezulton se File Pjetri u qëllua 3 herë nga i shoqi, për t'u vrarë nga një plumb pas shpine. Rrok Pjetri ka shkrehur automatikun sapo 75-vjeçarja vuri këmbën në pragun e shtëpisë, për të biseduar me të shoqin e kërkuar për vrasje. Por, kjo lëvizje ishte fatale për jetën e saj, për t'u pasuar nga vetëvrasja e 80-vjeçarit. Pjetri prej dhjetëra vitesh fshihej nga hakmarrja për krimet e kryera dhe prej frikës së gjakut nuk kishte lënë pas asnjë trashëgimtar.
Vrasja e gruas
Sipas të dhënave zyrtare të policisë, aksioni i koduar "Gracka" u organizua për të kapur të kërkuarin për vrasje që në prill të vitit 2007. Drejtori i policisë së Qarkut Lezhë, Mërgim Hoxha pohoi se, informacioni që i kërkuari për vrasje ishte afruar në banesën e tij u mor rreth orës 18:20. "Në fshat kishte një festë fetare dhe ai pritej të largohej pas mesit të natës. Forcat e policisë organizuan rrethimin e banesës, duke i kërkuar të dorëzohej". Kryepolici thotë se për 80-vjeçarin që njihej si person me rrezikshmëri të lartë është kërkuar ndihmë dhe nga repartet speciale, si FNSH dhe RENEA. Gjatë kësaj kohe, gruaja e Pjetrit po sistemonte bagëtitë jashtë godinës dhe është gjendur papritur e rrethuar nga policia. Ndërsa policia po fliste me të, 80-vjeçari ka pikasur praninë e policisë, duke shuar menjëherë dritat. Në këto kushte File Pjetri ka këmbëngulur të hynte në banesë për të bindur bashkëshortin e saj që të dorëzohej, pavarësisht kundërshtimit nga ana e policisë. Burime nga vendi i ngjarjes thonë se 75-vjeçarja i ka thirrur disa herë të shoqit: Rrok, jam unë gruaja jote dhe po vij vetëm brenda të flasim bashkë! Por ajo nuk ka marrë asnjë përgjigje. Me t'u afruar te dera ajo është qëlluar nga ana e Rrokut, duke gjetur vdekjen e menjëhershme. Sipas policisë, File Pjetri është qëlluar me 1 plumb të vetëm pas shpine, pasi Rrok Pjetri ka qëlluar edhe dy herë më parë dhe ajo po tërhiqej nga dera e shtëpisë. Për pasojë ajo ka mbetur e vdekur në shkallët e banesës së saj. Me shpejtësi Rroku është ngjitur në katin e dytë të ndërtesës dhe ka komunikuar nëpërmjet telefonit me një të afërm të tij, për të qëlluar më pas veten në gjoks. Gjatë kësaj kohe, policia ka vazhduar t'i thërrasë për t'u dorëzuar. Megjithë pushimin e krismave është pritur ardhja e forcave RENEA. Ata kanë futur fillimisht një qen në oborr, por sërish asnjë shenjë, derisa kanë ndërhyrë vetë, duke gjetur dhe autorin e krimit pa jetë. Në banesë u gjetën dy armë të Pjetrit dhe dhjetëra krehër me fishekë.
Pjetri, një jetë në fshehje
Burime zyrtare të policisë së Lezhës bëjnë të ditur se Rrok Pjetri pothuajse gjithë jetën e tij e kishte kaluar nëpër burgje. Para vitit 1990 ai ishte arrestuar e dënuar për një vrasje, por në qeli vret dhe një tjetër të burgosur, pasi ky i fundit e kishte qëlluar me pëllëmbë. Ndërkohë që pas viteve '90, kur dhe kishte lënë qelitë e burgut ishte vendosur në banesën e tij, duke qenë vazhdimisht i mbyllur dhe lëvizjet i kryente me kujdes për shkak të hasmërive që kishte. E megjithatë, Rrok Pjetri pas një konflikti me Lazër Nikollin, më 19 prill 2007 e ka vrarë atë me armë zjarri për motive pronësie. Nipi i Pjetrit kishte investuar duke i ndërtuar edhe shtëpinë, të cilën e kishte në rikonstruksion. Ndërkohë që frika e hakmarrjes pas vrasjes nga ana e Nikollit si dhe kontrollet e policisë i kishin vështirësuar qëndrimin në banesë. Gjatë kësaj periudhe mësohet se lëvizte sa në një vend në tjetrin, te të afërmit e tij. Banorët e zonës tregojnë se ai kthehej në shtëpi natën e lëvizte po natën, veprime që sinjalizuan policinë.

Nipi: Policia vrau hallën, e la të hynte në shtëpi

Tepër i revoltuar ka qenë gjatë gjithë kohës nipi i File Pjetrit, i cili ka akuzuar policinë për vdekjen e hallës së tij 75-vjeçare. Ndoc Daia ka shkëmbyer akuza të vazhdueshme ndaj forcave të policisë, që ishin të pranishëm në vendin e ngjarjes, madje edhe i ka kërcënuar ata se nëse e kanë kryer ata vrasjen, nuk do mbyllet kjo punë.
Si e mësuat lajmin e vrasjes së hallës tuaj?
Më ka marrë vëllai im nga Italia, duke më thënë: Ik te shtëpia e Rrokut se është vrarë halla në derë të shtëpisë. Kjo ka ardhur pas një telefonate të kryer nga vetë Rrok Pjetri me njerëzit e tij. Erdha menjëherë këtu, por jam ndaluar nga policia duke mos më lënë të rregulloja hallën time të vdekur, të paktën ta drejtoja.
A morët informacion se si ka ndodhur ngjarja?
Po, kam marrë të dhëna dhe unë kërkoj që shteti të zbardhë të vërtetën se kush më ka vrarë hallën. Dihet se kush vret edhe vritet, por halla ime është vrarë padrejtësisht dhe ka qenë shpirt njeriu. Policia nuk duhej ta kishte lënë të afrohej në shtëpi. Kështu unë e di që në botë mundohen të mos lënë njerëz pengje nëse një person rrethohet, por tek ne ndodh e kundërta, duke u munduar ta fusin brenda.
Cila është e vërteta sipas jush?
Unë kam mësuar se kur hallë Filja po afrohej te dera dhe kërkonte të hynte brenda pas asaj ka qenë edhe një polic i specialëve. Me të drejtë unë kërkoj si u vra halla ime dhe nuk u vra polici. Po kështu ajo është qëlluar me një plumb të vetëm në trup nga pas shpine. Nëse e ka vrarë bashkëshorti, nuk kam çfarë flas, por nëse e ka vrarë policia do i shkojmë deri në fund kësaj pune. Për këtë ne kërkojmë ekspertizë speciale.

Nipërit varrosin çiftin Pjetri

Rrok e File Pjetri janë përcjellë për në banesën e fundit pasditen e djeshme nga nipërit e tyre. Çifti i të moshuarve nuk kanë pasur fëmijë, por megjithatë policia e Lezhës ka mbajtur nën vëzhgim të gjithë ceremoninë mortore. Frika për shkak të hakmarrjes nga familjarët e viktimave të shënuara nga Rrok Pjetri gjatë disa dekadave te nipërit e tij ka detyruar forcat e rendit të jenë të pranishme gjatë varrimit. Mësohet se në përcjelljen e Rrok Pjetrit, 80 vjeç dhe gruas së tij 75-vjeçare, Files kanë mbërritur dhe të afërm të tyre nga jashtë vendit. Megjithatë, sipas policisë, ceremonia është zhvilluar në mënyrë normale. Dy pleqtë janë varrosur pranë njëri-tjetrit, duke mbyllur kështu historinë e jetës së tyre, e cila asnjëherë nuk kishte qenë e qetë.

Polici: S'qëlluam asnjëherë, do ndërhynim në mëngjes

Një nga policët që ndodhej në aksion mbrëmjen e së hënës tregon për gazetën, se prej forcave blu nuk është qëlluar asnjëherë drejt shtëpisë së Pjetrit.
Kur ka nisur rrethimi i banesës së Rrok Pjetrit?
Ka qenë ora 18:30, pasi morëm informacionin. Terrenin e kishim studiuar më parë dhe e dinim që ishte i vështirë, pasi shtëpia ishte në majën e një kodre. Sapo kemi rrethuar banesën dhe zumë pozicion i kërkuari ka fikur dritat, ndërkohë që fshati kishte. Kjo e bëri më të rëndë operacionin.
Ku ndodhej bashkëshortja e personit të armatosur?
Ajo ka qenë duke mbyllur bagëtinë kur ne jemi afruar. Pasi erdhi në oborr ajo kërkoi me insistim për të hyrë brenda. Për një moment ajo u shkëput dhe hyri pikërisht në sheshin e oborrit, ku ne nuk po hynim pasi mund të qëlloheshim nga ana e Rrok Pjetrit. I ka thirrur disa herë të shoqit, duke i thënë se po hynte brenda, që të flisnin bashkë. Ndërsa i është afruar derës, sapo ajo ka vënë dorën për ta hapur është qëlluar tre herë me automatik. Njëri nga plumbat ka kapur Filen, duke i shkaktuar vdekjen. Mbaj mend që sapo ka marrë plumbin ajo tha "hë mo t'u thafshin krahët, gjuajte", për të rënë e pajetë.
A ka qëlluar policia mbi banesën e Rrok Pjetrit?
Jo, asnjëherë, pasi ne as që kishim mundësi të qëllonim. Sapo ishim futur në operacion dhe nuk e shikonim Rrokun se ai fiku dhe dritat. Në këto kushte ne vendosëm që të ndërhynim në banesë vetëm në mëngjes. Pas 10 minutash që ka vrarë Rroku gruan ai ka folur në telefon me një person, nuk e di me kë dhe më pas ka qëlluar vetëm një herë. Ishte një e shtënë e mbytur. Ne i kemi bërë disa herë thirrje për t'u dorëzuar, por ai asnjëherë nuk na u përgjigj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›