Kriza financiare, Fullani: S’rrezikohemi
Fabiola Çela
Kreu i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, i ka garantuar dje të gjithë shqiptarët se nuk do të preken nga kriza ndërkombëtare financiare. Por për të parandaluar çdo situatë të pakëndshme, Banka e Shqipërisë ka forcuar kontrollet ndaj bankave të nivelit të dytë. Në një deklaratë për mediat, Guvernatori Fullani ka sqaruar në detaje të gjithë hapat që po ndërmerr banka qendrore.
Kriza
"Asnjë prej bankave që operon në Shqipëri nuk ka investuar në asnjë lloj forme në aktivet e intoksikuara, të cilat siç dihet, kanë qenë faktori kryesor që ka rënduar situatën financiare globale", ka theksuar dje Fullani. Pyetjes se cilat do të jenë masat që do të marrë Banka Qendrore, Fullani i është përgjigjur: "Bankat shqiptare nuk kanë asnjë ekspozim ndaj produkteve të intoksikuara, si fazë e parë. Faza e dytë do të shohim se si do të zhvillohet dhe do të ecë ekonomia botërore, kush do të jenë ndikimet në ekonominë botërore, si do të jetë ngadalësimi dhe sa do të zgjasë ai. Por kjo është një fazë tjetër, e cila nëse do të ndodhë do të ketë pasojat e saj si në ngadalësimin e eksporteve, të investimeve të huaja etj. Ne do të marrim masa për të krijuar të gjitha kushtet që sistemi bankar të jetë një sistem i mirëkapitalizuar, solid dhe likuid". Por pavarësisht kësaj situate pozitive, është shumë e rëndësishme të kontrollohen imtësisht ecuria e cilësisë së aktiveve dhe treguesve të likuiditetit. Vitet e fundit është rritur ndjeshëm niveli i kredidhënies. "Rritja e shpejtë e kredisë dhe vështirësitë që mund të ndeshin sektorë të veçantë të ekonomisë që janë kredituar në mënyrë të ndjeshme, janë faktorë që do të vijojnë të ushtrojnë presion mbi cilësinë e kredisë në të ardhmen. Për këtë qëllim, bankat të ndjekin një politikë të identifikimit sa më të shpejtë të kredisë me probleme dhe të krijojnë menjëherë fondet përkatëse rezervë", është shprehur ai. Banka e Shqipërisë do të rrisë numrin e kontrolleve për të verifikuar këtë proces. Ndërsa në lidhje me likuiditetin, sipas Guvernatorit Fullani, është e nevojshme që strukturat drejtuese të bankave të ndjekin praktika që lejojnë vetë institucionin të plotësojë nevojat e pritshme për likuiditet në mënyrë sa më të pavarur, por duke patur edhe alternativa, të cilat përmirësojnë aftësinë e tyre për të gjeneruar likuiditetet, në rast nevoje.
Rreziku
"Zgjerimi i krizës në tregjet ndërkombëtare financiare drejt Evropës ka bërë që të shtohet rreziku i ndikimit të sistemit financiar në vend. Megjithatë, disa faktorë që janë përmendur në deklaratën e mëparshme, ku veçojmë nivelin relativisht të ulët të ekspozimit të sistemit tonë financiar ndaj institucioneve të huaja financiare, nivelin e ulët të integrimit në përgjithësi dhe mirëkapitalizimin e veprimtarisë së grupeve bankare evropiane dhe të filialeve të tyre që veprojnë në vendin tonë, do të shërbejnë si elemente mbrojtëse për sistemin tonë financiar ndaj këtij rreziku", ka thënë guvernatori në deklaratën e tij. Kjo krizë mund të ndikojë negativisht te dërgesat e emigrantëve, të cilët rrezikojnë të sjellin më pak para për familjarët e tyre. "Ekziston gjithashtu rreziku që përcjellja e vështirësive që ndesh ekonomia e vendeve evropiane dhe më gjerë, të pasqyrohet në vendin tonë, nëpërmjet uljes së fluksit të hyrjeve nga emigrantët, përkeqësimit të deficitit tregtar dhe uljes së investimeve të huaja të drejtpërdrejta. Megjithatë, shkalla e materializimit të këtij rreziku dhe madhësia e tij nuk pritet të jenë të rëndësishme", ka thënë Guvernatori.
Rekomandimet
Të rritet vigjilenca dhe kujdesi nga ana e institucioneve financiare, për të ruajtur ekspozime sa më të ulëta në tregjet financiare ndërkombëtare, si edhe për të siguruar një veprimtari të mirëkapitalizuar dhe likuide.
Bankat e nivelit të dytë duhet të përcaktojnë dhe të ndërmarrin veprimet e nevojshme konkrete, për të ruajtur dhe për të përmirësuar aftësinë për të gjeneruar në vazhdimësi rezultat financiar pozitiv, duke ruajtur cilësinë e aktiveve dhe treguesit e likuiditetit.
Banka e Shqipërisë do t'i orientojë dhe do t'i mbështesë këto veprime nëpërmjet krijimit të stimujve të nevojshëm rregullativë.
Sigurimi i depozitave: Jo si vendet e rrezikuara
Paratë e depozituara në banka nuk rrezikohen nga kriza ndërkombëtare. Sipas Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, sistemi bankar shqiptar nuk ka investuar në produkte të "intoksikuara". "Nuk ka asnjë krahasim me vendet e tjera, të cilat kanë banka dhe institucione financiare me humbje të mëdha nga investimet. Sistemi bankar shqiptar nuk ka aktive të tilla, gjë që shton sigurinë e vetë sistemit dhe qëndrueshmërinë e tij. Ky sistem është brenda parametrave normalë të një sistemi të qëndrueshëm dhe kjo është garancia për sistemin bankar shqiptar. Mbi të gjitha, rezerva e detyrueshme dhe sigurimi i depozitave janë rrjetat mbrojtëse të këtij sistemi", ka thënë ai.
Evropa siguron depozita deri në 50 mijë euro
Ministrat e Financës së BE-së kanë rënë dakord të martën të rrisin minimumin e garancive të depozitave bankare në Evropë në 50. 000 euro, nga 20.000 euro që është aktualisht. Marrëveshja, e cila do të zgjasë të paktën një vit, ishte një marrëveshje jozyrtare dhe i takon secilit vend anëtar të veprojë sipas procedurave të veta nacionale. Kjo marrëveshje shënon hapin e parë të përbashkët të BE-së kundër krizës financiare, pasi disa vende e morën individualisht një hap të tillë gjatë ditëve të kaluara për të mbrojtur depozituesit. Aktualisht ligjet e BE-së iu kërkojnë vendeve anëtare të garantojnë depozitat me të paktën 20.000 euro në rast se bankat falimentojnë, megjithëse shumë vende kanë ofruar shuma më të mëdha mbrojtëse individualisht në bankat e tyre.