E Diel, 1 Nëntor 2026

Ruçi: Berisha, shantazh opozitës me dosje të rreme

 

Aristir Lumezi

Partia Socialiste e akuzoi Kryeministrin Berisha, se me figurën e biznesmenit të shumëpërfolur në Ballkan për afera të dyshimta, Fazlliç, po përpiqet të njollosë opozitën. Kryetari i Asamblesë Kombëtare të PS-së, Gramoz Ruçi, tha dje se sa herë Berisha kapet në afera korruptive, kërcënon opozitën. “Dëshmia e djeshme e Sali Berishës qe e paqartë, qe konfuze, qe e rreme, pra qe dëshmia e njeriut që e ka gjithnjë e më të vështirë të përballet me të vërtetat e tharta. Megjithatë, dje Sali Berisha nuk doli para shqiptarëve për t’i sqaruar ata, pasi tashmë një gjë e tillë i është bërë e pamundur. Sali Berisha foli dje për të bërë shantazh të hapur publik ndaj opozitës në sallën e Kuvendit”, u shpreh dje gjatë një konference për shtyp, Ruçi. Socialistët, përmes numrit dy të tyre, deklaruan se nuk do të tërhiqet përballë këtyre shantazheve, madje ai zbardhi pyetjet për të cilat kërkoi mocionin me debat për Berishën. Ruçi i bëri thirrje Kryeministrit Berisha që të japë urgjent përgjigje për 15 çështjet e përfshirjes me Fazlliç. “Cili është roli i Damir Fazlliç në kompaninë BG&R dhe në marrëdhëniet me Sali Berishën dhe Partinë Demokratike? Sa është vlera e kontratës midis BG&R dhe Sali Berishës për fushatën e zgjedhjeve të vitit 2005? Cili ka qenë roli i Damir Fazlliç gjatë fushatës zgjedhore 2005 dhe a është paguar ai për këtë rol? Çfarë aktiviteti kanë kryer në Shqipëri 5 kompanitë e denoncuara publikisht në media me emër e mbiemër, me data, akte themelimi e adresa të sakta, tre prej të cilave kanë për administrator Erion Isufin, kunat i ministrit pa imunitet Lulzim Basha?”, ishin disa nga pyetjet që përsëriti PS-ja, për të cilat kërkoi mocionin e debatit me Berishën në Kuvend. Sipas selisë rozë, përgjigjja e pyetjeve është në detyrim të opozitës dhe shqiptarëve. Duke denoncuar mënyrën se si Kryeministri Berisha i përgjigjet akuzave mediatike dhe politike ndaj tij, Ruçi tha se kryeministri i lëshohet opozitës sa herë del në pah korrupsioni i tij. “Është edhe ligjërisht e dënueshme mbajtja si mjet shantazhi e dosjeve që pretendon Berisha, që edhe nëse ekzistojnë, duhet të jenë në zyrat e Prokurorisë dhe jo në dollapin e fshehtë të Sali Berishës. Duhet të marrë fund një herë e mirë ky mjet shantazhi që i bën pis të gjithë, ndaj i themi Sali Berishës: Zbrazi dollapët e fshehtë nga gjitha dosjet tona nëse ke, por mos harro që t’u përgjigjesh shqiptarëve për pyetjet që t’u drejtuan këtu”, tha Ruçi.

Pyetjet e mocionit të PS për Berishën
Cili është roli i Damir Fazlliç në Kompaninë BG&R dhe në marrëdhëniet me Sali Berishën dhe Partinë Demokratike?
Sa është vlera e kontratës midis BG&R dhe Sali Berishës për fushatën e zgjedhjeve të vitit 2005?
Në ç’rrugë janë paguar paratë dhe sa tatime ka paguar në Shqipëri Kompania BG&R?
Cili ka qenë roli i Damir Fazlliç gjatë fushatës zgjedhore 2005 dhe a është paguar ai për këtë rol?
Cili është aktualisht roli i Damir Fazlliç pranë qeverisë shqiptare dhe vetë Sali Berishës?
Sa herë dhe me çfarë statusi ka qenë Damir Fazlliç në zyrën e zotit Berisha, cilat janë projektet për të cilat ka negociuar ai me qeverinë shqiptare?
Sa është vlera financiare e tyre, sa prej tyre janë pranuar nga ana e Qeverisë dhe a janë zhvilluar gara për këto projekte?
Kush dhe cilat kompani kanë qenë përfituese direkt të këtyre projekteve?
Çfarë aktiviteti kanë kryer në Shqipëri 5 kompanitë e denoncuara publikisht në media me emër e mbiemër, me data, akte themelimi e adresa të sakta, tre prej të cilave kanë për administrator Erion Isufin, kunat i ministrit pa imunitet, Lulzim Basha?
Sa tatime i kanë paguar shtetit shqiptar në 4 vjet këto 5 kompani dhe çfarë projektesh kanë realizuar ato deri tani?
Kur janë shitur dhe sa është vlera e tatimeve të paguara për shitjen, për tre nga kompanitë e mësipërme?
Kush i ka kryer procedurat ligjore të shitjes së kompanive të mësipërme dhe cili është blerësi i tyre?
Me cilat banka janë kryer transaksionet e mësipërme nga ana e Damir Fazlliç dhe a i janë nënshtruar këto transaksione ligjit për parandalimin e pastrimit të parave të pista?
A ka të dhëna Agjencia shtetërore e luftës kundër pastrimit të parave të pista për këto transaksione të shitjes së këtyre kompanive?
A i njeh personalisht Sali Berisha pronarët e kompanisë RUDNAP dhe veprimtarinë e saj në Serbi? Sa tenderë ka fituar kjo kompani në Shqipëri dhe me ç’vlerë?
Cili është raporti i kësaj kompanie me Ministrinë shqiptare të Mbrojtjes?

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›