E Shtunë, 31 Tetor 2026

Trebicka, ekspertët shqiptarë: Aksident

 

Trazhgim Sokolaj

Raporti i ekspertëve shqiptarë konfirmon aksidentin e ndodhur me biznesmenin Kosta Trebicka, i konsideruar si dëshmitar në dosjen "Gërdeci". Pas raportit të ekspertit amerikan Kevin Teter, mbajtur në SHBA më 23 shtator 2008, në dosjen penale të ngjarjes është administruar edhe një tjetër dokument, i cili shkencërisht shpjegon çfarë ka ndodhur me 52-vjeçarin dhe makinën e tij mesditën e 12 shtatorit 2008 në Lekas të Korçës. Burime nga Prokuroria e Përgjithshme konfirmuan dje se edhe ekspertët shqiptarë, ashtu sikurse autotekniku amerikan i policisë së Virxhinias, e konsiderojnë ngjarjen aksident, duke rindërtuar në detaje skenën e përmbysjes së makinës, daljen e kufomës prej saj deri te pozicionimi i automjetit 43 metra larg trupit të shoferit në krah të kundërt me drejtimin fillestar të lëvizjes që po kryente fuoristrada kur hyri në aksident. Sipas organit qendror të akuzës, raport-ekspertiza e autoteknikëve shqiptarë është paraqitur zyrtarisht në Prokurorinë e Korçës dhe po shqyrtohet nga grupi hetimor i këtij institucioni. Hetuesit, të cilët nuk pranuan të citonin detaje nga raporti i ekspertit që dorëzoi mendimet e tij në Prokurori, thanë se edhe pas administrimit në dosje të këtij raporti, në pistat hetimore të ngjarjes nuk ka ndryshuar asgjë, përveçse janë shtuar argumentet që mbështesin tezën e një aksidenti. Pjesë e raportit të ekspertëve shqiptarë mësohet se do të jetë një relacion lidhur me shpejtësinë e makinës, e cila nuk është matur ende përfundimisht për shkak të mungesës së mjeteve për vlerësimin e koeficientit të frenimit në gjurmët që kanë mbetur në vendin e ngjarjes. Eksperti amerikan Kevin Teter, në raportin e tij theksonte se makina e Kosta Trebickës doli nga rruga si pasojë e një kthese të fortë në të majtë, e cila përqendroi peshën në të djathtë para dhe u bë shkak për përmbysjen e fuoristradës. Në këtë moment trupi i shoferit doli nga ana e sipërme e hapur, kurse makina lëvizi indietro deri 43 metra larg kufomës, ku u gjet e ndezur nga policia në afolio.
Hetimet s’mbyllen
Prokuroria shqiptare e konsideron të zbardhur ngjarjen ku mbeti i vdekur Kosta Trebicka. Një fakt i tillë konfirmohet prej burimeve zyrtare, të cilat thanë se hetimi ka zbardhur çdo moment të nevojshëm në veprimet që ka kryer Kosta Trebicka që prej nisjes së tij nga Tirana më 11 shtator deri të nesërmen rreth orës 13:57, kur banorë të zonës kanë gjetur në mes të rrugës në Lekas, kufomën e 52-vjeçarit. "Por për shkak të kërkesave të ligjit procedural, Prokuroria ende nuk ka marrë një vendim përfundimtar për këtë dosje, pasi është në pritje të disa informacioneve që janë kërkuar nga kompanitë celulare", thanë burimet zyrtare të akuzës. Sipas tyre, kompanisë përkatëse të telefonisë celulare i është kërkuar zyrtarisht lista e telefonatave hyrëse dhe dalëse në telefonin e Kosta Trebickës, për intervalin kohor para dhe pas vdekjes së tij. Me këtë listë të telefonatave dhe mesazheve Prokuroria kërkon të verifikojë nëse biznesmeni ka marrë kontakt me persona të panjohur apo të dyshimtë, apo këta të fundit kanë komunikuar me të për ta tërhequr në ndonjë kurth. Prokuroria e konsideroi shumë të rëndësishëm për dosjen këtë informacion lidhur me telefonatat, jo vetëm për të verifikuar ndonjë element të veçantë që mund të dalë në dritë, por edhe për shkak se në dosje ndodhet një kërkesë zyrtare e drejtuar kompanisë celulare dhe, si rrjedhim, në bazë të ligjit, në dosje duhet të administrohet edhe përgjigjja e mbërritur për këtë kërkesë para se të merret një vendim përfundimtar për këtë çështje.

Vendimi për dosjen “Trebicka” nga Ina Rama

TIRANE - Dosja penale e hapur në Prokurorinë e Korçës pas vdekjes së Kosta Trebickës, duket se do të kalojë në një procedurë të ndërlikuar para se të marrë drejtim. Pasi të përfundojnë të gjitha veprimet hetimore, Prokuroria e Korçës do të mbajë qëndrimin e saj mbi çështjen. Organi i akuzës në qytetin juglindor do të propozojë si vendimmarrje në Prokurorinë e Përgjithshme, qëndrimin e bazuar në provat dhe hetimet e kësaj çështje. Prokuroria e Përgjithshme, e cila është në dijeni të dosjes deri tani pasi ka ndihmuar hetimet, do të shqyrtojë vendimin e Prokurorisë së Korçës dhe, sipas ligjit, do ta miratojë atë ose nëse nuk është dakord do ta rrëzojë për të marrë një vendim tjetër, i cili firmoset në çdo rast nga Kryeprokurorja Ina Rama.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›