PS, nismë për heqjen e TVSH në arsimin privat
Grupi i deputeteve të PSSH-së ndërmerr nismën ligjore në Kuvend për heqjen e TVSH nga arsimi privat. Kryetarja e grupit të PS-së, Valentina Leskaj bëri të ditur se "Grupi parlamentar i PS ka depozituar në parlament një nismë ligjore, e cila mundëson lehtësimin e arsimit nga TVSH. Vizioni ynë mbi politikat fiskale për të mbështetur arsimin është në përputhje të plotë me legjislacionin modern të vendeve evropiane". Sipas saj nëse kjo nismë nuk do votohet nga maxhoranca, natyrisht do të jetë një nga nismat e para që ne do bëjmë sa të vijmë në pushtet, pasi arsimi mbetet prioritet për PS". Pas rrëzimit të amendamentit të deputetes socialiste, Ermelinda Meksi për heqjen e TVSH për librat në arsimin publik dhe jo publik, PS ka paraqitur një nismë të veçantë, pasi i jep rëndësi të veçantë përmirësimit rrënjësor të cilësisë së arsimit, i cili mbetet prioritet në zhvillimin e vendit. Rrëzimin e amendamentit, Leskaj e cilësoi "njëherësh si cinizëm i maxhorancës, pasi kostoja e përjashtimit të arsimit nga TVSH nuk është e lartë. Kjo politikë shtrënguese penalizon të gjithë ata fëmijë dhe prindër, që kërkojnë arsimim sa më cilësor qoftë ky publik apo privat". Sipas Leskajt, shteti që nuk është në gjendje t'u ofrojë fëmijëve atë që u ofron shkolla jo publike, në vend që t'i rëndojë me taksa duhet të mendojë për mekanizma të tjera, që lehtësojnë koston e arsimit. Për PS-në nuk është hera e parë që shërbimet jo publike shihen me sy të shtrembër, rrjedhojë e mentalitetit komunist.