Shehi: LZHK, vetëm në zgjedhje
ADI SHKEMBI
Kreu i LZHK-së, Dashamir Shehi, konfirmon se kjo parti do të dalë e vetme në zgjedhjet e vitit 2009. Në një intervistë për "Panorama", ai flet edhe për afrimin në PD të të larguarve si dhe shqetësimin e të huajve për institucionet e pavarura. Së shpejti do të miratohet në Parlament Kodi i ri Elektoral, i cili do të përcaktojë edhe formën e përbërjes së koalicioneve. LZHK do të dalë e vetme në zgjedhje?
Ne do të dalim vetëm, siç kemi dalë edhe katër vjet më parë për shumë motive. Së pari, gjykojmë se Shqipëria ka nevojë për një lëvizje realisht të djathtë, dhe me këtë nënkuptoj një lëvizje që nuk ka në brendësi të saj ish-komunistë. Ky është rasti më elementar. E dyta ka të bëjë me ato parime të djathta që janë edhe baza: e drejta mbi pronën, e drejta e një shteti autoritar, e drejta e ndarjes së institucioneve. Pra një sërë elementesh që fatkeqësisht kanë munguar gjatë këtyre 18 viteve demokraci. Ne gjykojmë që këto ide që mund të mos jenë të një shtrese, por të jenë të shpërndara në grupe të ndryshme, të kenë mundësi përfaqësimi politik, mundësi e cila ka munguar. Mjaftojmë të shohim parlamentin e këtyre viteve. Përjashto parlamentin e vitit 1991, 1992, pjesa tjetër nuk është gjë tjetër, veçse një shumatore e komunistëve dhe fëmijëve të tyre me një garniturë shumë të vogël që është e djathtë. Sa do të jemi, koha dhe vota do e tregojë. Por ama e drejta e përfaqësimit të kësaj kategorie të mos mohohet, por të ketë një çadër politike, LZHK-ja i përmbush këto elemente. Ka në vetvete edhe të djathtën tradicionale, si nga PLL e Balli Kombëtar, por edhe atë që duhet të jetë e djathta reale e vërtetë, e djathta e mundësive. Gjykoj që e kemi për detyrim politik të përfaqësohemi vetëm.
Ka një ide nga disa ish-deputetë të PD-së për të bërë një koalicion të vërtetë të djathtë. Ka diçka konkrete për këtë projekt, ju e mbështesni?
Realisht kontakte nuk kemi. Këtu ka ide të lëvizshme herë pas herë, por gjithsesi është pozitive. Ka njerëz që e kanë kuptuar që duhet të kemi një të djathtë, për t'i dhënë gjallëri jetës politike. Por s'ka koordinim dhe marrëveshje deri më sot. Ne i mbetemi idesë që LZHK-ja duke qenë një koalicion elektoral është plotësisht i mjaftueshëm dhe i hapur për të pasur mundësi për t'u integruar të gjithë. Nëse do të nisin një start nga e para do të jetë e vështirë, pasi inercia politike është e rëndësishme. LZHK-ja ka bërë një rrugë, ka një profil të vetin, ka hapësirë edhe për t'u modifikuar, por kemi një staturë tonën dhe gjykojmë që të tjerët mund të afrohen, e kanë derën e hapur. Pas dëshirës çdo ditë për të krijuar diçka të re, jo gjithmonë suksesi është i garantuar. Ne e kemi bërë një pjesë të malores, rrugës mund të na bashkohen edhe shumë të tjerë. Jemi të hapur për çdolloj alternative. Ne nuk jemi të idesë se duke bashkuar shumë çikërrima bëhet një gjë e madhe, përkundrazi shumë çikërrima bëjnë një çikërrimë. Gjënë e madhe e bëjnë idetë dhe dëshirat e mëdha. LZHK ka hyrë në dy zgjedhje dhe ka dalë me një farë suksesi, pavarësisht nga manipulimet.
Kryeministri Berisha po afron në Partinë Demokratike figura që janë larguar më parë nga kjo parti, siç është partia e zotit Pollo që po shkrihet me PD-në, apo Neritan Ceka, i cili është çdo ditë e më shumë pranë saj. Si e shikoni këtë lëvizje të tij?
Berisha është njeri oportunist dhe e di që kur vijnë zgjedhjet që ata që janë të faktorizuar në politikë, pavarësisht nga përqindjet dhe vlerat që kanë, duhen akumuluar përqark atij. Kështu që nga kjo pikëpamje bën lëvizjen e vet të radhës dhe e gjykoj se në interesin e tij bën diçka pozitive. Për palën tjetër gjykoj se edhe ata shikojnë që si forca të vetme nuk mund të dalin të pavarur, pra formalisht bëjnë një bashkim. Në fakt, ata janë të bashkuar. Ceka ndoshta diçka, pasi u bë 10 vjet që ka qenë pjesë e qendrës së majtë, ndërsa Pollo është pjesë e qeverisë, është zv.kryeministër. Bashkim më të madh se kaq nuk ka më, bashkimi i Pollos është krejt fiktiv, njëlloj teatri politik dhe është në të mirën e tyre të mos e përmendin më, sepse s'ka më asnjë vlerë. Fjala bashkim presupozon bashkimin e dy gjërave që janë të ndryshme, dy gjëra të njëjta s'kanë çfarë bashkojnë.
Ka një shqetësim ndërkombëtar për prekjen e institucioneve të pavarura në Shqipëri...
Institucionet e pavarura këtu janë prekur gjithmonë nga maxhoranca e kohës. Unë nuk prisja ndonjë gjë të re në këtë mes. Kush vjen në pushtet presupozon të kontrollojë edhe Gjykatën, Prokurorinë, Parlamentin dhe institucionet që derivojnë nga ai. Duhet ta pranojmë që fatkeqësisht i kanë kontrolluar. Kisha shpresë se këtë radhë mund të dalë ndonjë pjesë më indipendente, por fatkeqësisht nuk ka ndodhur. Tendenca politike është po kjo, që t'i kontrollojmë pushtetet e pavarura dhe pjesërisht e kanë mbërritur. Fati ynë këtë radhë është se kemi Topin president, i cili shpresoj të shërbejë për të përballur këto lloj presionesh, që një pjesë e institucioneve, si Drejtësia e Prokuroria ta ruajnë pavarësinë. Në këtë mes unë nuk shoh ndonjë gjë të re që po ndodh për herë të parë, ose që nuk duhet ta prisnim që të ndodhte. Ne jetojmë "kronikën e një vdekje të paralajmëruar".
Nisma e Bakallit dhe Ngjelës
Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Gilman Bakalli, konfirmoi për gazetën pak ditë më parë një nismë për krijimin e një koalicioni, i cili do të dalë më vete në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Sipas tij, pjesë e këtij projekti fillestar janë edhe deputeti tjetër i larguar nga PD-ja, Spartak Ngjela, por edhe kreu i LZHK-së, Dashamir Shehi, ndërkohë që synohet të afrohen në këtë projekt edhe Aleksandër Meksi e Bashkim Kopliku.