E Shtunë, 31 Tetor 2026

Punëtorët e Gërdecit kërkojnë borderonë e Minxollit

 

TIRANE - Ish-punëtorët e fabrikës së çmontimit të municioneve në Gërdec kërkojnë nga Prokuroria dokumente që ndodhen në dosjen hetimore për tragjedinë e 15 marsit 2008. Bëhet fjalë për borderonë e ish-drejtorit të fabrikës, Dritan Minxolli. Në këtë regjistër, sipas ish-punëtorëve, provohet se ata kishin tre 15-ditësha pa marrë rrogat në kohën kur ndodhi shpërthimi katastrofik, që shkaktoi 26 persona të vdekur e 300 të plagosur. Për shkak se edhe pas tragjedisë askush nuk është kujtuar t'u paguajë atyre rrogat e prapambetura, punëtorët janë drejtuar në Prokurorinë e Përgjithshme dhe kanë kërkuar dokumente, të cilat ndodhen në dosjen "Gërdeci". Sipas burimeve zyrtare, punëtorët duan t'i përdorin këto dokumente për t'i paraqitur në gjykatë, me qëllim hapjen e padive civile me anën e të cilave do të kërkojnë rrogat e prapambetura. Organi i akuzës tha se ka marrë në shqyrtim kërkesat e punëtorëve të fabrikës së Gërdecit, por sqaroi se ka gjasa që Prokuroria të mos pranojë nxjerrjen nga dosja të dokumenteve të kërkuara. "Gjithçka që ndodhet në dosje klasifikohet sekret hetimor sipas ligjeve të veçanta dhe dorëzimi te persona të tretë nuk është i lejuar", thanë burimet nga Prokuroria e Përgjithshme. Nga ana tjetër, ish-punëtorët e fabrikës së Gërdecit janë shprehur se, përveçse pagave të prapambetura, me dokumentet që kanë kërkuar në Prokurori duan të bëjnë padi edhe për dëmshpërblimin e pasojave të tragjedisë. Disa prej ish-punëtorëve pësuan dëmtime serioze për shëndetin deri në gjymtime, ndërsa rreth fabrikës kishin të parkuara edhe makinat private, të cilat u shkatërruan prej shpërthimit të ndodhur mesditën e 15 marsit të këtij viti në fabrikën që Mihal Delijorgji kishte ngritur brenda ish-repartit ushtarak. Sipas punëtorëve, pjesa më e madhe e dokumenteve që ata mund të përdornin në gjykatë janë zhdukur nga shpërthimi, ndërsa Prokuroria, gjatë hetimeve të saj arriti të sekuestrojë në vendin e ngjarjes borderonë e mbajtur nga drejtori i fabrikës, Dritan Minxolli si dhe dokumente të tjera të shpërndara nga eksplozioni, të cilat banorët e zonës ua dorëzuan prokurorëve.                        tr.so

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›