E Diel, 1 Nëntor 2026

Ceremonia mortore për Leka Zogun, sot ditë zie kombëtare

Tiranë- Ceremonia mortore e varrimit të pretendentit të Fronit Mbretëror Leka Zogu I  do të zhvillohet sot, ditë e cila u shpall ditë zie kombëtare nga qeveria shqiptare.

Me një protokoll të posaqëm shtetëror do të përcillet Leka Zogu I për në banesën e tij të fundit.

Përmes një deklarate për shtyp të Familjes Mbretërore mesohet se gjatë ditës së djeshmë shprehën ngushëllimet e tyre Presidenti i Republikes, Bamir Topi, Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, ministrat Bujar Nishani, Genc Pollo, Aldo Bumçi, Fatmir Mediu, Ridvan Bode, Eduart Halimi, zv/ministrja e punëve të jashtme zj. Edit Harxhi, etj.

Po ashtu ngushëlluan Familjen Mbretërore edhe kreu i Komunitetit Musliman, Selim Muça; Fatos Nano, Ilir Meta, Neritan Ceka, Kryetari i Këshillit të Qarkut Tiranë Tasim Mema; Drejtoi i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Hysni Burgaj si dhe mjaft personalitete të tjera.

Po ashtu, Familja Mbretërore ka marrë me mijëra telegrame ngushëllimi si nga Juan Carlos mbret i Spanjës, nga Familja Mbretërore Britanike, si dhe një telefonatë nga Familja Mbretërore Belge.

Mesohet se në ceremoninë e sotmë do të marrin pjesë Prici Paul i Rumanisë së bashku me Princeshën,  Baroni Rafael Henri Estramant, si dhe përfaqësues nga Unioni Monarkist Italian.

Mesohet se në ora 10:00, arkivoli me trupin e pajetë të Mbretit Leka I do vendoset në oborrin e Selisë së Parlamentit,  ku 4 përfaqësuesit e feve Islame, Ortodokse, Katolike dhe Bektashiane do te bëjnë lutje për shpirtin e Mbretit Leka I. Pas lutjeve do të ketë një fjalim lamtumire dhe nderimet ushtarake ceremoniale nga Garda e Republikës.

“Më tej, kortezhi i përmotshëm do të niset drejt varrezave të Sharrës, ku trupi i pajetë i Mbretit Leka I do të prehet pranë eshtrave të Mbretëreshës Geraldinë dhe Mbretëreshës Suzanë”- thuhet në deklaratën e Familjes Mbretërore.

Ndërkohë Policia e Tiranës ka njoftuar se duke filluar nga ora 08:00 deri në orën 13:00 janë marrë masa për ndalimin e trafikut dhe moslejimin e parkimëve në segmentin rrugor përgjatë rrugës “Xhorxh W. Bush” nga sheshi Sulejman Pasha deri tek Bulevardi Zhan DArk,  dhe tek Ura në  rrugën e Elbasanit.

Mesohet se itinerari për përcjelljen e Leka Zogut I do të niset nga godina e Kuvendit të Shqipërisë, ku do të mbahen homazhet nga ora 10:00 deri në orën 12:00, për të vazhduar më pas tek Bulevardi Zhan DArk, Bulevardi Deshmoret e Kombit,  Sheshi Skenderbej Rruga  e Kavajës si dhe tek Varrezat e Sharrës.

Pretendenti Leka Zogu I, ndërroi jetë më 30 nëntor në spitalin Nënë Tereza pas vuajtjëve me mushkëritë dhe zemrën.

Shkrime të tjera me interes:

  1. Përmisohet gjendja e mbretit Leka Zogu I
  2. Leka Zogu I, Braçe kundër ceremonisë mortore në Kuvend
  3. Pavarësia, Familja Mbretërore uron diasporën në Amerikë

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›