Strasburgu për “Grorin”,reagojnë avokatët
TIRANE - Dy javë pas vendimit të Strasburgut për heqjen e dënimit të përjetshëm për Arben Grorin, dy avokatët e tij Ardian Kasapi dhe Sokol Koçiu interpretuan atë për mediat gjatë një konference për shtyp paraditen e djeshme. Sipas Gjykatës Europiane, të cilës iu referuan dy avokatët, më 7 tetor të këtij viti pritet që vendimi të bëhet përfundimtar dhe zbatimi i tij do të mbikëqyret drejtpërdrejt nga Komiteti i Ministrave të Këshillit të Europës. Sipas avokatëve, në dispozitivin e këtij vendimi Strasburgu ka gjetur si shkelje të nenit tre të Konventës, lidhur me trajtimin çnjerëzor të Grorit nga ana e autoriteteve kompetente shtetërore. Po kështu Strasburgu e ka cilësuar arrestimin e tij dhe paraburgimin të padrejtë, ndërkohë që është shprehur se ndaj Grorit nuk është zhvilluar një proces i rregullt e ligjor. Po kështu, Strasburgu ka argumentuar se Grori është penguar në të drejtën e vet, për ankim në Gjykatën Europiane lidhur me sëmundjen e tij. Në fund gjykata ka vlerësuar si burgim të padrejtë për Grorin periudhën 15 maj 2002 – 20 dhjetor 2003, të cilën e ka konsideruar si burgim që është bërë për llogari të njohjes dhe konvertimit të vendimit italian. Në lidhje me të gjitha këto, gjykata vendosi që shteti shqiptar deri më datë 7 janar 2010, t’i paguaj aplikantit 8 mijë euro për dëm jo material dhe 7 mijë euro për kosto dhe shpenzime. Ratifikimi i Konventës nga shteti shqiptar bën që ky vendim të ekzekutohet menjëherë dhe në mënyrë të drejtpërdrejtë nga shteti shqiptar. Ndërkohë, sipas dy avokatëve, Koçiu dhe Kasapi, lidhur me jurisprudencën shqiptare, vendimi për Grorin konsiderohet si vendim “pilot-model”, çka do të thotë që të gjitha çështjet analoge që janë në pritje të shqyrtimit apo shqyrtim e sipër do të zgjidhen në frymën e këtij vendimi. Kështu, sipas tyre, të gjitha njohjet dhe konvertimet e vendimeve penale të huaja nga gjykatat shqiptare, të cilat në themel kanë marrëveshje ndërkombëtare të paratifikuara nga shtetet respektive, konsiderohen të paligjshëm dhe duhen prishur në bazë të instrumenteve të ankimit të garantuara nga shteti shqiptar, ndërkohë e njëjta gjë do të ndodhë edhe me vendimet shqiptare për qytetarë të huaj, të mbështetura në marrëveshje të paratifikuara. fa.ma.