Ekstradohen dy të kërkuarit për shfrytëzim prostitucioni
Tiranë - Dy persona të dënuar nga drejtësia shqiptare për shfrytëzim prostitucioni janë sjellë dje në pranga nga Italia. Janë ekstraduar për të vuajtur dënimet e dhëna në mungesë Petrit Liçi, 60 vjeç, nga Elbasani dhe Ymer Shehaj, 32 vjeç, nga Ballshi. Sipas burimeve nga Interpol-Tirana mësohet se të dy të ekstraduarit akuzohen për të njëjtën vepër penale, të realizuar në kohë dhe vende të ndryshme. Gjykata e Elbasanit, me vendimin të datës 28 mars 2006, e ka dënuar Petrit Liçin me 15 vjet burg për veprën penale të “trafikimit të femrave për prostitucion të kryer në bashkëpunim”. Liçi në bashkëpunim me të vëllain, Gentjan Liçin, kanë mashtruar dhe më pas detyruar e shfrytëzuar vajzën me inicialet I.SH., që të ushtrojë prostitucion në Itali. Si rezultat i bashkëpunimit të Interpol-Tirana me Interpol-Romën ditën e djeshme, u bë i mundur ekstradimi drejt vendit tonë i Liçit, i cili iu dorëzua Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve. Gjithashtu, nga Interpol-Tirana është bërë i mundur ekstradimi nga Roma drejt vendit tonë i Ymer Shehajt, 32 vjeç, nga Ballshi i Fierit. Sipas burimeve nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë mësohet se Gjykata e Fierit, me vendimin e datë 16 korrik 2003, e ka dënuar Shehajn me 12 vjet burg për veprën penale të “shfrytëzimit të prostitucionit në rrethana rënduese”. Shehaj ka mashtruar një minorene me inicialet B.D., në bashkëpunim me babain e saj, duke e marrë me vete në Greqi me premtimin se do ta çonte në Amerikë. Më pas në Greqi ka tentuar ta detyrojë që të punonte si prostitutë dhe, pasi ajo nuk ka pranuar e ka keqtrajtuar në mënyrë të vazhdueshme, duke përdorur dhunë fizike ndaj saj. Më pas vajza e mitur ka arritur që të largohej nga tutori i saj dhe më pas e ka denoncuar në polici. Më pas ajo është kthyer në Shqipëri dhe policia ka shpallur në kërkim Ymer Shehajn, i cili kishte arritur që të largohej nga Greqia dhe të shkonte në Ital,i ku edhe është arrestuar me qëllim për t’u ekstraduar në Shqipëri.