E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tiranë, 2 të plagosur me armë

 

Etleva Delia

Dy persona mbetën të plagosur mbrëmjen e të hënës në Tiranë.  Një grua 28-vjeçare është plagosur aksidentalisht nga një plumb që ka bërë rikoshetë në një shtyllë në Shkozë, ndërsa në Babrru dy persona i zunë pritë e më pas plagosën me pistoletë një 19-vjeçar. Të plagosurit, Lefteri Muça dhe Ilir Mala ndodhen në Spitalin Ushtarak jashtë rrezikut për jetën, ndërkohë që në pranga ka përfunduar autori i njërës prej ngjarjeve, Florian Xhindi, 25 vjeç, i cili sipas policisë ka qenë në gjendje të dehur kur qëlloi me armë. Dy autorët e plagosjes së 19-vjeçarit Ilir Mala janë identifikuar, por arrestimi ende nuk është realizuar nga policia. Burimet hetimore thanë se ngjarja që ka ndodhur tek ura në hyrje të Babrrusë, ende nuk është sqaruar, pasi pritet dëshmia e të plagosurit, i cili ende nuk është marrë në pyetje nga policia. Paraprakisht autorët e plagosjes së Ilir Malës janë identifikuar dhe besohet se janë Elis Qokaj, 17 vjeç dhe Edison Cara, 22 vjeç, të shpallur në kërkim.
Të shtënat në Shkozë
Një grua 28-vjeçare ka mbetur e plagosur aksidentalisht, kur ka qenë duke ecur në rrugë në Shkozë të kryeqytetit. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 22:00 të së hënës dhe policia e Komisariatit nr.1 është njoftuar vetëm disa minuta më vonë. Sipas policisë, autor i plagosjes është 25-vjeçari Florian Xhindi, i cili tashmë është arrestuar dhe ndodhet në qelitë e paraburgimit në Drejtorinë e Policisë së Tiranës. Xhindi besohet se ishte në gjendje të dehur kur ka qëlluar disa herë në ajër me automatik. Një nga plumbat, pasi është përplasur në një shtyllë korrenti ka bërë rikoshetë dhe ka goditur në këmbë 28-vjeçaren Lefteri Muça.
Pritë në Babrru
Konfliktet mes të rinjve për mbajtjen e “titullit” të të fortit të lagjes, kanë vijuar me një tjetër të plagosur në lagjen Babrru të Tiranës. Tre të rinj me origjinë nga Tropoja dhe banues në kryeqytet, pas një sherri që kanë pasur një javë më parë në një lokal në qendër të Babrrusë, janë përballur sërish me njëri-tjetrin mbrëmjen e së hënës. Por këtë herë debati mes Edison Carës, Elis Qokajt dhe Ilir Malës, kanë marrë përmasa më të mëdha se konflikti i mëparshëm. Pas fyerjeve dhe kërcënimeve Cara dhe Qokaj kanë qëlluar me pistoletë në drejtim të Malës dhe një nga plumbat e ka plagosur 19-vjeçarin në dorë. Më pas dy autorët janë larguar nga vendi i ngjarjes, në hyrje të Babrrusë dhe ende nuk janë kapur nga policia. Sipas dëshmive të disa personave që ishin në dijeni të konfliktit mes 3 djemve, mësohet se ata kanë pasur debate edhe më parë me njëri-tjetrin, por sipas tyre motivet nuk janë marrë vesh. Policia tha se po pret dëshminë e të plagosurit për të mësuar më shumë rreth ngjarjes.

Dy të plagosurit në spital
Dy të plagosurit e mbrëmjes të së hënës ndodhen në Spitalin Ushtarak dhe, sipas tyre, gjendja e tyre shëndetësore është përmirësuar, pasi edhe plagët nuk kanë qenë të rënda. Lefteri Muça është plagosur me një plumb në këmbë dhe plumbi fatmirësisht nuk ka prekur arterien, duke mos i rrezikuar jetën. Gjithashtu edhe i plagosuri tjetër, Ilir Mala, i cili është plagosur në dorë, është në gjendje të mirë shëndetësore.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›