E Diel, 1 Nëntor 2026

Mediu: Gërdeci është tragjedi, por të tilla ka patur dhe më parë

Nga Armand Maho

Ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, një ditë pasi iu komunikua akuza nga Prokuroria e Përgjithshme, për shpërdorim detyre në lidhje me ngjarjen e Gërdecit, sulmoi nga foltorja e Kuvendit prokurorinë, duke e quajtur atë prokurori politike.

Mediu megjithatë tha se ai është i vendosur që t’i shkojë në fund zbardhjes së ngjarjes së Gërdecit. “Me dorëheqjen nga posti i ministrit të Mbrojtjes dhe me dorëzimin e imunitetit, bëra vetëm detyrën, por, nëse do të doja ta fshihja të vërtetën, nuk do të vihesha në dispozicion të drejtësisë. I ndërgjegjshëm se asnjë gjë nuk mund ta zbusë dhimbjen e familjarëve të Gërdecit, vendosa të jap dorëheqjen si ministër dhe të dorëzoj imunitetin, si reflektim i përgjegjësive të mia politike dhe morale, por edhe vendosmërisë për të zbardhur të vërtetën e këtij aksidenti tragjik”, - tha Mediu.

Veprimet e prokurorisë ai i quajti tendencioze. “Ky akt i organit të akuzës nuk ishte i papritur për mua, sepse veprimet e ndërmarra nga ky institucion, që nga kërkesa për heqjen e imunitetit si deputet, ishin tendencioze dhe kanë patur vetëm një qëllim, dërgimin e kësaj çështjeje në gjykatë. Pavarësisht nga e vërteta dhe përgjegjësitë për tragjedinë e Gërdecit, prokuroria kërkon vetëm të lajë duart, duke çuar më shumë se 20 zyrtarë të kësaj ministrie në dyert e gjykatës”, - tha Mediu.

“Mbas tragjedisë, prokuroria nxitoi të deklaronte publikisht se ministri i Mbrojtjes ka shmangur Forcat e Armatosura, deklarim që synonte të krijonte përshtypjen se pas kësaj ngjarjeje fshihej interesi privat. Dje prokuroria ndryshoi akuzën duke më akuzuar tashmë se kam bashkëpunuar me ushtarakët në Ministrinë e Mbrojtjes. Po, e kam bërë një gjë të tillë, pasi kjo ka qenë pjesë e detyrimit tim ligjor si ministër. Ne kemi punuar me bindjen se municioni i tepërt ishte dhe është një rrezik real për Shqipërinë”, - vijoi më tej ish-ministri.

Ai u përpoq të zbuste efektet e kësaj tragjedie duke thënë se të tilla ka patur edhe më parë. “Gërdeci ishte një tragjedi, por të tilla ishin edhe ato ngjarje që ndodhën më parë, sepse çdo humbje jete është një tragjedi”, - tha Mediu.

Sipas tij, konjuktura politike po bën që ai të akuzohet. “Arrij të kuptoj konjukturën politike, e cila ndodh jo rrallë në media, por nga ana tjetër e konsideroj të pafalshme pavarësinë zero të organit të prokurorisë. Kam duruar çdo akuzë për shkak të atyre viktimave që duan zbardhjen e së vërtetës dhe kam vepruar në mënyrë institucionale, sepse respektoj institucionet e këtij vendi. Për shpifjet në media ndaj personit tim, unë i jam bindur vullnetit të mazhorancës dhe nuk kam kërkuar ndjekje penale për asnjë, pavarësisht se shpif. Por, nëse prokuroria kthehet në instrument të politikës, kjo jo vetëm që është e turpshme, por është e rrezikshme”, - u shpreh Mediu.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›