Krishtlindjen e ardhshme do ta festojmë si qytetarë të BE, të lirë dhe pa regjime vizash
Kryeministri Sali Berisha uron besimtarët e krishterë Kryeministri Berisha përshëndeti dje besimtarët e krishterë dhe uroi për më shumë mirësi dhe begati për të gjithë shqiptarët kudo që jetojnë. Përmes urimeve të tij kryeministri u shpreh se festa e ardhshme e Krishtlindjes do t’i gjej shqiptarët në gëzim të plotë pasi do të jetë realizuar një tjetër ëndërr, siç është liberalizimi i vizave me BEKryeministri Sali Berisha i shoqëruar nga bashkëshortja e tij Liri Berisha, kanë uruar dje nga qyteti i Shkodrës, festën e Krishtlindjes. Gjatë vizitës së zhvilluar në Kishën Ortodokse, kreu i qeverisë Sali Berisha në urimin e tij tha se në Krishtlindjet e ardhshme shqiptarët të udhëtojnë pa viza në BE. “Kjo Krishtlindje gjeti Shqipërinë në NATO, urojmë që në Krishtlindjet e ardhshme shqiptarët të udhëtojnë pa viza në BE”, u shpreh ai.Kryeministri Berisha uroi që, “Krishtlindjet e tjera t’i bëjmë edhe më mirë, të na gjejnë edhe me afër projekteve tona familjare, kombëtare dhe të ecim më shpejtë e më të sigurt drejt Evropës”. Kryeministri Berisha shprehet se shqiptarët i festojnë këto Krishtlindje si qytetarë të një vendi anëtar të NATO-s dhe shumë pranë lëvizjes së lirë në mbarë Evropën. Po sot, Kryeministri Sali Berisha, i shoqëruar nga bashkëshortja e tij Liri Berisha, vizitoi Katedralen e qytetit të Shkodrës.Duke uruar besimtarët katolikë të Shkodrës dhe mbarë Shqipërisë, Kryeministri Berisha u shpreh se, “Lindja e Krishtit ka shënuar një ndryshim të madh për njeriun dhe njerëzimin. Kjo është një ditë frymëzimi për besimin te Zoti dhe tek e ardhmja. Kjo është një ditë shprese dhe mirëkuptimi për mbarë shqiptarët”.Më tej, Kryeministri Berisha theksoi se shqiptarët i festojnë këto Krishtlindje si qytetarë të një vendi anëtar të NATO-s dhe shumë pranë lëvizjes së lirë në mbarë Evropën.“Le të urojmë së bashku që Krishtlindjet e tjera të na gjejnë më afër ëndrrave, më afër dëshirave dhe më afër projekteve tona. Këto Krishtlindje ne i festojmë pasi Shqipëria është anëtarësuar në NATO dhe flamuri i saj, më i vjetër flamur shtetëror i Evropës, qëndron sot mes flamujve të kombeve më të zhvilluara të Evropës dhe botës. Sot, ne jemi më afër se kurrë lëvizjes së lirë të qytetarëve shqiptarë në mbarë Evropën dhe më afër progresit të ndejshëm, të thellë, për anëtarësim në Bashkimin Evropian”, u shpreh Kryeministri. Në mesazhin e tij, Kryeministri Berisha uroi që “Krishtlindjet e tjera ti festojmë me një besim më të madh te Zoti, te vetja dhe te Shqipëria, si dhe të lëvizim të lirë në mbarë Evropën si qytetarë të një vendi të lirë. Gëzuar!”, ishte urimi i kreut të qeverisë shqiptare Sali Berisha.Gjithashtu, në këto vizita Kryeministri Berisha shoqërohej edhe nga Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli.Edhe Presidenti i Republikës Bamir Topi iu bashkua dje urimeve për festën e Krishtlindjes. Pas një vizite në Kishën Ortodokse, ku u prit nga kryepeshkopi Anastas Janullatos, presidenti Bamir Topi theksoi se të gjithë qytetaret duhet t’i ofrojnë njëri-tjetrit besim, paqe e dialog. “Duhet me shume komunikim njerëzor pasi është tepër i rëndësishëm për një vend si ne”, u shpreh Topi. Kryetarja e Kuvendit viziton Katedralen e Shën Palit dhe Kishën ortodokse autoqefale/Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli u përcolli të gjithë shqiptarëve e në mënyrë të veçantë besimtarëve të krishterë, urimet e saj më të ngrohta për festën e Krishtlindjes. Gjatë vizitave në Katedralen e Shën Palit dhe Kishën ortodokse autoqefale në Tiranë, ajo tha se kjo festë është festa e shpresës për kombin tonë, për njerëzimin dhe ne përjetojmë sot këtë festë të bukur me optimizëm. Ajo tha se viti i ardhshëm është viti i lëvizjes së lirë për të gjithë shqiptarët. “Dita e Krishtlindjeve, tha ajo, është një ndër festat më të hareshme është dita në cilën lind shpresa për një botë të re, për një paqe të re dhe kjo na bën që në familjet tona të gjithë shqiptarët, pavarësisht nga besimet e tyre fetare ta shohin si një festë shumë të ngrohtë që të jep optimizëm dhe besim për të ardhmen. Ne shqiptarët, në mënyrë të veçantë po mbyllim një vit që ka qenë ndër vitet më të mbara për historinë e kombit tonë dhe hyjmë në vitin 2010 në të cilin shqiptarët do të mund të lëvizin, pas më shumë se një shekulli të izoluar, pa viza dhe pa nevojën për të qëndruar në ambasada. Në këtë kuptim, viti i ardhshëm është vit i lëvizjes i lirë, gjë që përputhet me kohën e globalizmit dhe unë shfrytëzoj rastin për t’ju bërë urimet të gjithë shqiptarëve dhe ju gazetarëve e përfaqësuesve të medies, për më shumë paqe, shëndet e lumturi.”...