E Shtunë, 31 Tetor 2026

Krishtlindjet greket bujare me kthimet

“Ndëshkohen” dy doganierë grekë. Problemet e motit, vonesa për tragetet

Në ditën e festës së Krishtlindjes, për herë të parë nuk ka pasur të kthyer nga Pika më e madhe e Kalimit Kufitar të Kakavijës. Ndërkohë, nga burime të sigurta, mësohet se kanë nisur “ndëshkimet” për disa nga policët grekë që kanë qenë “të ashpër” me shtetasit shqiptarë që udhëtonin drejt Greqisë, të pajisur me pasaporta biometrike. Burime të besueshme informacioni në Kakavijë, thanë se disa nga kontrollorët grekë të policisë janë ndëshkuar për qëndrimet ekstremiste që kanë shfaqur me shqiptarët, pas lëvizjes së lirë pa viza të tyre. Sipas këtyre burimeve, dy policë grekë që kanë tejkaluar kompetencat dhe kanë bllokuar në mënyrë të pamotivuar shqiptarët, janë pezulluar nga puna nga eprorët e tyre, deri në një urdhër të dytë.
Ndërkohë, ditën e djeshme ka pasur fluks lëvizjeje në pikën kufitare të Kakavijës. Sipas burimeve zyrtare të policisë kufitare nga territori grek në drejtim të atij shqiptar gjatë 24 orëve të fundit kanë hyrë 1 800 emigrantë, ndërkohë që nga territori shqiptar në drejtim të Greqisë kanë kaluar 1 400 udhëtarë me dhe pa pasaporta biometrike.
Një ditë më parë, nga Kakavija kanë dalë 1636 shtetas me pasaporta biometrike dhe prej tyre u kthyen vetëm 24 persona, të cilët nuk kishin probleme me dokumentacionin, por kishin probleme me të dhënat e tyre në rrjetin informativ ndërkombëtar TIMS. Sipas zyrtarëve në Kakavijë, personat e kthyer kanë pasur precedent dhe probleme në rrjetin ndërkombëtar lidhur me respektimin e afateve të përcaktuara në vizat Shengen. Rrjeti në fjalë ka të shënuar lëvizjet në të gjitha pikat kufitare të hapësirës Shengen dhe të gjithë personat që aplikojnë për kalim në kufi pa vizë me pasaporta biometrike janë të monitoruar në këtë rrjet për lëvizjet e tyre të mëparshme.

Durrës

Ndërkaq, moti i keq në Adriatik ka shtyrë lundrimet e trageteve të linjës detare Bari-Durrës dhe ka krijuar vonesa për emigrantët që kthehen në atdhe për festa. Mijëra emigrantë shqiptarë e kosovarë, që janë nisur për të kaluar festën e Krishtlindjes dhe Vitit të Ri, pranë të afërmve të tyre, u është dashur të kalojnë orë të tëra në Portin e Barit në pritje të nisjes së trageteve dhe më pas në lundrimin që ka zgjatur përtej parashikimeve. Deri në mesditë kanë hyrë pesë tragete, të cilat kanë zbarkuar mbi 8 mijë veta dhe afro 3 mijë automjete. Tre tragete të tjera kanë hyrë gjatë drekës dhe pasdites, duke sjellë të tjerë persona që mbërrijnë në vend për të kaluar festat e fundvitit. Trageti “Rigel” ka mbërritur me më shumë se 5 orë vonesë. Ai duhet të mbërrinte në orën 08.00 të mëngjesit të djeshëm dhe ka ardhur rreth orës 13.30, ku brenda në bord ka pasur edhe shumë gra e fëmijë. Burime nga agjencitë e ndryshme të lundrimit bëjnë të ditur se fluksi i emigrantëve në port është në rritje dhe këtë fundjavë pritet të hyjnë në vend nga vendkalimi kufitar i Durrësit mbi 17 mijë emigrantë. Për të përballuar këtë fluks funksionojnë me kapacitet të plotë të gjitha sportelet e policisë kufitare dhe doganierët në terren. Ndërkohë, kushtet atmosferike parashikohet të jenë të paqëndrueshme edhe për orët në vazhdim.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›