E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nenshkoder banoret perpiqen te festojne nen uje

Përmbytja Përmirësohet situata. Bie niveli i Liqenit të Shkodrës, “zmbrapset” Buna

Përmirësimi i kushteve të motit ka ndikuar në përmirësimin e situatës të zonave të përmbytura në Qarkun e Shkodrës. Megjithatë, 4500 ha tokë janë ende nën ujë dhe qindra banesa kanë prani uji. Jetesa për banorët e zonës së Nënshkodrës vijon të jetë në kufijtë e mbijetesës, për shkak të mungesave të theksuara në ushqime, ujit të pijshëm dhe ngrohjes. E në këto kushte, ata janë përpjekur të festojnë Krishtlindjet. Lush Gjergji, banor i fshatit Obot, rrëfen për “Shqip”: “Më është dashur të ngjitem sipër në katin e dytë që e kam në ndërtim e sipër, që të festoj Krishtlindjet. Kati i parë i shtëpisë ka ende ujë, rreth 60 cm. S’ka nevojë të shpjegoj shumë se si e pritëm këtë festë. Në kushte tepër të vështira, në mungesë të shumë gjërave që duhet të ishin, u munduam të krijojmë një atmosferë feste, ashtu si mundëm. U lutëm që të mos kemi më kësisoj situatash katastrofike. Vetëm te Zoti i kemi shpresat se do të na i plotësojë dëshirën”.

Përmbytja masive e fillimmuajit dhjetor krijoi një situatë emergjente dhe u cilësua si katastrofa më e madhe natyrore që Shqipëria ka kaluar në 150 vitet e fundit. Nga të dhënat që u mblodhën në terren, mbi 14 mijë persona lanë shtëpitë e tyre. Ndërkohë, uji përmbyti gjysmën e qytetit të Shkodrës. Në 8 lagje uji vërshoi duke detyruar banorët që të përdornin varkat për të lëvizur dhe lidhur me qendrën.

Situata

Dy ditët e fundit vihet re një përmirësim i ndjeshëm në zonat e përmbytura. Uji është tërhequr, pas përmirësimit të kushteve të motit dhe rënies së nivelit të prurjeve nga hidrocentralet.

Ndërkaq, edhe Liqeni i Shkodrës ka pësuar rënie. Niveli i ujit ka rënë me 16 cm dhe për pasojë ka rënë ndjeshëm edhe kuota e lumit Buna, prurjet e të cilit dy javë më parë shkaktuan përmbytjen masive në qytet. Ndërkaq, numri i të evakuuarve në qendrat e pritjeve ka rënë nga 14 mijë të evakuuar që ishte në pikun e përmbytjeve, në vetëm 140 të evakuuar dhe këto pjesa më e madhe janë duke qëndruar te të afërmit e tyre. Sakaq, të kthyerit po bëjnë verifikimet e dëmeve dhe janë në pritje të dëmshpërblimeve nga shteti, për të rinisur jetën.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›