Zhduket pa lene gjurme fadroma e Komunes Levan
Prej disa ditësh fadroma e Komunës Levan në rrethin Fier ka humbur pa lënë gjurmë. Çudia ka ndodhur disa ditë më parë, kur siç do mëngjes ajo nuk është parë në vendparkimin e zakonshëm pranë fshatit Ferras. Pasi kanë kërkuar në zonat përreth dhe kanë humbur çdo shpresë për rigjetjen e mjetit, përfaqësuesit e komunës kanë kryer denoncimin në polici, duke e konsideruar atë të vjedhur. Policia me gjithë punën zbuluese që ka bërë në harkun kohor prej më shumë se 8 ditësh, ende nuk ka arritur të bjerë në gjurmët e mjetit të rëndë të Komunës Levan. Sipas policisë, fadromës për t’u larguar nga vendi i ngjarjes i duhej një mjet i transportit të rëndë që transporton mjete të kësaj natyre, por nga dëshmitë që policia ka marrë nga banorët e zonës, askush nuk ka dëgjuar apo parë ndonjë lëvizje të tillë. “Supet ngrenë” edhe personat që kanë punuar gjatë kësaj kohe me këtë mjet, të cilët sipas policisë janë të parët që u bënë pjesë e hetimit policor. Aktualisht, puna e policisë vazhdon edhe pse pritshmëria e këtij zbulimi është shumë larg për dhënien e rezultateve pozitive. Fadroma është blerë një vit më parë plot 60 mijë euro. Ajo u soll në komunë me bujë të madhe e vendosur mbi një trajler. Gjatë vitit të kaluar dhe këtij viti, fadroma ka punuar në çdo avari dhe infrastrukturë, ku ka ndërhyrë komuna me fondet e saj duke kryer volume të mëdha pune. Këtë vit, me daljen e lumit Vjosë nga shtrati, ky mjet i rëndë ka kryer me sukses përforcimin e argjinaturës së lumit, që mbronte fshatin Ferras të kësaj komune nga vërshimet e tmerrshme të ujit.