Sherr me thika plagosen rende dy vellezer
Tre persona kanë mbetur të plagosur me thika sapo kanë dalë nga një dasmë. Ngjarja ka ndodhur dje në drekë, ku të dëmtuarit janë dy vëllezër, të cilët ndodhen në gjendje të rëndë në spital dhe një i afërm i tyre, jashtë rrezikut për jetën. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në rrugën “Josif Pashko” në Tiranë, ndërkohë që policia ka arrestuar tre autorët e ngjarjes. Burimet policore të kryeqytetit bënë të ditur se gjithçka ka filluar rreth mesditës. Erjon dhe Klogert Sulçi, përkatësisht 20 dhe 16 vjeç, bashkë me një të afërmin e tyre, kishin shkuar te xhaxhai për dasmë. Besim Sulçi është personi, i cili banon në rrugën e lartpërmendur. Pasi dy vëllezërit kanë dalë nga dasma, janë nisur për të ikur, por rrugës janë përplasur me tre persona të tjerë. Sipas të dhënave policore, të dy palët ishin në gjendje të pirë dhe mes tyre ka plasur një debat i ashpër. Në këto kushte, Lavdrim Koçeku, Besart Lamnica dhe Andi Haziraj kanë nxjerrë thikat dhe me tre personat e tjerë ka plasur sherri. Nga goditjet me thika, kanë marrë plagë të rënda dy vëllezërit, të cilët ndodhen në gjendje kritike të shtruar në Spitalin Ushtarak. Pas konfliktit, menjëherë janë njoftuar shërbimet e policisë dhe në vendin e ngjarjes kanë shkuar uniformat blu të Komisariatit Nr. 3. Me ta janë bashkuar edhe shërbimet e tjera të policisë, sidomos ato të seksionit kundër krimeve ndaj jetës. Në një kohë të shkurtër, policia ka mundur të identifikojë të dyshuarit e këtij konflikti, duke bërë shoqërimin e tyre. Megjithatë, motivi i ngjarjes ka qenë tejet konfuz, pasi sipas të dhënave, fillimisht është menduar se ka qenë një konflikt i momentit për shkak të gjendjes së pirë të të gjithë protagonistëve. Por, më vonë grupi hetimor ka marrë informacion se ata kanë pasur konflikte të mëparshme dhe e gjitha kjo mendohet se është bërë për hakmarrje. Personat e dyshuar për ngjarjen kanë dhënë deklaratat e tyre në polici, proces i cili ka vijuar deri në orët e vona të natës, ndërkohë që pritet edhe dëshmia e të dëmtuarve për të dokumentuar plotësisht këtë krim. Policia shpjegoi se tre personat e dyshuar janë arrestuar për vrasje me dashje të mbetur në tentativë.