Policia negociata per dorezimin e ekzekutorit te Edmond Mullajt
Besmir Uka, autori i dyshuar se i mori jetën pas një zënke për një vajzë Edmond Mullajt një javë më parë në Sarandë, u detyrua të vetëdorëzohej në Tiranë. Për dy ditë me radhë, uniformat blu kanë organizuar operacione për shoqërimin e të afërmve të Ukës në kryeqytet duke mos i lënë atij asnjë mundësi strehimi. Kanë qenë të afërmit e 24-vjeçarit ata që e kanë bindur që të shkojë me këmbët e tij në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, duke i dhënë fund arratisjes. Policia e Sarandës dispononte informacionin e sigurt se Besmir Uka ndodhej te të afërm të tij në Tiranë dhe ka sinjalizuar kolegët kryeqytetas për të hetuar më shumë rreth kësaj çështjeje. Policia kryeqytetase ka organizuar operacione të shpeshta në kontrollin e banesave ku mendohej se mund të strehohej i kërkuari, por nuk ka mundur ta kapë. Uka kishte nuhatje dhe për t’u shpëtuar prangave policore i ndërronte shpesh vendstrehimet e tij. Taktikës së të kërkuarit i janë përgjigjur edhe agjentët antikrim, të cilët kanë menduar të shoqëronin 20 persona të afërt të Besmir Ukës dhe u ka kërkuar atyre që jo vetëm të mos e strehonin, por të negocionin vetëdorëzimin e tij. Kanë qenë të afërmit që i kanë sugjeruar të riut të dyshuar për vrasje se rruga e vetme që i kishte mbetur atij ishte ardhja me këmbë në dhomat e ndalimit në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, pasi asnjë prej të afërmve nuk do të rrezikonte burgun për të. Të gjitha llogaritë e bëra nga autori i dyshuar e çonin atë në përfundimin se mund të përfitonte ndjeshëm nga vetëdorëzimi në polici dhe pranimi i vrasjes atje. Edhe pse e dispononin informacionin se i dyshuari për vrasje më shumë gjasa kishte të strehohej larg Sarandës, por jo në Laç, dyshimet më të mëdha ishin për një vendndodhje të tij në kryeqytet, efektivat e policisë të qytetit jugor po e mendonin të vështirë kapjen e tij. Por, lajmi i mirë nuk vonoi t’u vinte dje nga uniformat blu të Drejtorisë së Policisë të Qarkut të Tiranës, që kanë pranuar se vetëdorëzimi i të dyshuarit për vrasjen me thikë të 31-vjeçarit Edmond Mullaj, ka ardhur pas disa operacioneve të pasuksesshme për kapjen e tij, organizuar nga policia e tre qyteteve. Pas vetëdorëzimit, për Besmir Ukën, kanë nisur menjëherë procedurat e transferimit për në qelitë e Komisariatit të Sarandës.