E Shtunë, 31 Tetor 2026

Krisje në opozitë, Milo-Ramës: Je i padrejtë me aleatët

“Opozita t’u largohet sloganeve bulevardeske”. “Çdo gabim ne konceptimin e kontrates se frontit opozitar do te ishte i pafalshem”

Opozita e Bashkuar pëson një tjetër krisje brenda radhëve të saj. Kryetari i PDS-së, Paskal Milo, akuzoi dje kryetarin e PS-së, Edi Rama, për pabarazi brenda koalicionit të majtë dhe mosrespektim të kontratës mes partive. Madje, ai kërcënoi Ramën se çdo gabim në konceptimin e kontratës së frontit opozitar do të ishte i pafalshëm dhe me pasoja të pariparueshme. Nisur nga kjo, Paskal Milo nuk ngurroi të paralajmëronte dje kryesocialistin Rama në lidhje me zgjedhjet e ardhshme vendore dhe me koalicionin e majtë. Sipas tij, këtë herë në zgjedhje duhet të ketë një barazi brenda koalicionit dhe ai nuk duhet të konceptohet thjesht si njëngjyrësh. “Opozita duhet t’u largohet sloganeve bulevardeske dhe meditimeve spontane para mikrofonave, moralizimeve filozofike dhe politike të huazuara dhe larg realitetit shqiptar. Fitorja nuk duhet konceptuar si njëngjyrëshe, por si një mozaik opozitar. Çdo gabim në konceptimin e kontratës së frontit opozitar do të ishte i pafalshëm dhe me pasoja të pariparueshme”, - u shpreh Milo. Kjo deklaratë e Milos kundërshton ashpër politikën përjashtuese të ndjekur më parë nga kreu socialist Edi Rama ndaj partive aleate të majta, ku vetëm kohët e fundit, më saktësisht, në rastin e protestave kundër qeverisë, ai është afruar shumë me to dhe madje ka krijuar edhe Opozitën e Bashkuar. Gjithashtu, kreu i Demokracisë Sociale njoftoi se prej 2 muajsh po seleksionon kandidaturat e partisë së tij për zgjedhjet lokale, të cilave po u kushtohet një vëmendje e veçantë. Ideja e opozitës për zhvillimin e zgjedhjeve të dyfishta në maj tashmë përbën një ide gjithmonë e më shumë të përforcuar. Kështu, para Milos, ka qenë anëtari i Kryesisë së Partisë Socialiste, Pandeli Majko, i cili dy ditë më parë, në një dalje publike, deklaroi se një ndër planet e PS-së është edhe zhvillimi i zgjedhjeve të dyfishta në 8 maj. “Me këtë qeveri është pothuajse e pamundur që të kemi zgjedhje të lira dhe të ndershme, do të thotë që një mënyrë zgjidhjeje e kësaj që do të kërkojë opozita, mund të jetë mbase bashkimi i zgjedhjeve lokale me ato të parakohshme”. Deklarata e Majkos dhe ajo e ditës së djeshme e Paskal Milos, kreut të PDS-së, tregojnë qartë se opozita ka në planin e saj idenë që së bashku me zgjedhjet vendore të 8 majit, të zhvillohen edhe ato të parakohshme parlamentare. Ekzistenca e një plani të tillë hedh poshtë të gjitha përpjekjet e bëra deri tani për zgjidhjen e ngërçit politik, i cili, në fakt, me propozimin e fundit të Partisë Socialiste, që mund të konsiderohet një hap i madh përpara, megjithëse i vonuar, priste një vazhdimësi pozitive. Por se si do ta realizojë këtë plan opozita mbetet për t’u parë, pasi realisht duket shumë e vështirë që kjo të ndodhë, duke marrë parasysh se mazhoranca nuk do ta pranojë këtë ide të saj.

Ngërçi, opozita tërhiqet nga zgjidhja, kërkon dy palë zgjedhje njëherësh

Kur shumë shpejt pritet edhe përgjigja e mazhorancës, ku pengesë e deritanishme ka qenë situata emergjente në Shkodër, në lidhje me ofertën e re të Partisë Socialiste për hetim të materialeve zgjedhore, opozita kërkoi ditën e djeshme që në zgjedhjet e ardhshme lokale të 8 majit 2011, të zhvillohen edhe zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Kështu, ka qenë kreu i Partisë Demokracia Sociale, Paskal Milo, i cili është shprehur se të majtët duhet të kenë gati platformën qeverisëse, pasi të dielën e zgjedhjeve lokale mund të mbahen dhe ato të përgjithshme, ide e cila bie totalisht në kundërshti me përpjekjet e vazhdueshme për zgjidhjen e ngërçit të tejzgjatur politik. "Zgjedhjet e ardhshme lokale të cilët brenda 8 majit të vitit 2011, mund të mos jenë vetëm lokale, por edhe parlamentare. Opozitës i duhet një platformë alternative qeverisëse", - tha Paskal Milo. Kjo prirje e opozitës për të zhvilluar dy palë zgjedhje nuk është e re, pasi është paraqitur edhe më parë nga ta, duke e vënë theksin kryesor tek largimi i qeverisë dhe jo tek alternativat që mund të sjellë opozita për një qeveri më të mirë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›