PS, Beqja: Përmbytjet, dështim i qeverisë
Partia Socialiste vijoi me akuzat e saj ndaj qeverisë dhe Kryeministrit për situatën e përmbytjeve të krijuara në vend. Deputeti socialist i qarkut të Shkodrës, Ilir Beqja, deklaroi ditën e djeshme se Kryeministri Berisha dështoi që të bënte minimumin për të parandaluar përmbytjet dhe, sipas tij, refuzimi i ofertës së PS-së tregoi se mazhoranca nuk kërkon të zgjidhë problemet e vendit. “Partia Socialiste ka bërë një ofertë konkrete për marrjen e të gjitha masave të nevojshme për mbrojtjen e vendit nga kënetëzimi si dhe për mbrojtjen e të gjitha hapësirave të banuara nga përmbytjet, si ajo e Shkodrës, për të cilat nuk e ka fajin as natyra e as perëndia, por që janë kryekëput një dështim i Sali Berishës”, - theksoi Beqja. Kështu, socialistët vazhdojnë t’ia faturojnë fajin kryesor për përmbytjet në Shkodër vetëm qeverisë, duke mos marrë aspak parasysh shifrat e papara të reshjeve, të cilat kanë qenë rreth dyfish më shumë se një vit më parë. Sipas Beqjes, përmbytjet janë kthyer në një ritual tragjik për dhjetëra mijëra shqiptarë me pasoja të pariparueshme për familjet shqiptare. “Reagimi i vetëm i qeverisë kanë qenë sulmet ndaj opozitës dhe larja e duarve nga çdo lloj përgjegjësie. A thua se nuk ishte po ky kryeministër që dhjetë muaj më parë, pas përmbytjes së parë, edhe të dytë, edhe të tretë e edhe të katërt premtonte se një situatë e tillë nuk do të përsëritej më kurrë”, - përfundoi Beqja.