Gjermania, Westerwelle: Mbështetje Shqipërisë në BE
Në kuadër të pjesëmarrjes në konferencën me temë “Perspektiva për Evropën Juglindore – Austri, Gjermani dhe SHBA, në dialog me vendimmarrësit e rajonit”, ministri Haxhinasto pati një takim me ministrin e Punëve të Jashtme të Gjermanisë, z. Guido Westerwelle. Gjatë takimit, ministri Haxhinasto falënderoi për mbështetjen e pakursyer të Gjermanisë në procesin e integrimi të Shqipërisë në Bashkimin Evropian dhe veçanërisht për liberalizimin e vizave me vendet në zonën Shengen. Duke vlerësuar kontributin e Gjermanisë si një nga donatorët dhe investitorët kryesorë në Shqipëri, ministri i Jashtëm Haxhinasto ftoi biznesin gjerman që të risë praninë e tij në Shqipëri. “Një gjë e tillë, - tha z. Haxhinasto, - favorizohet edhe nga klima mjaft pozitive e krijuar në Shqipëri për thithjen e investimeve direkte”. Duke vlerësuar marrëdhëniet shumë të mira midis dy vendeve, ministri i Jashtëm gjerman, Westervelle, tha se Shqipëria ka bërë një progres të dukshëm në të gjitha fushat. Ai siguroi se Gjermania do të mbështesë integrimin e vendeve të rajonit në Bashkimin Evropian, sepse Evropa nuk mund të jetë e plotë pa vendet e Ballkanit. Ministri i Punëve të Jashtme, z. Edmond Haxhinasto, së bashku me homologët e vendeve të Evropës Juglindore do të marrë pjesë në konferencën me temë “Perspektiva për Evropën Juglindore – Austri, Gjermani dhe SHBA, në dialog me vendimmarrësit e rajonit”, që organizohet me nismën e përbashkët të ministrave të Punëve të Jashtme të Gjermanisë, z. Guido Westerwelle dhe të Austrisë, z. Michael Spindelegger, në bashkëpunimin me Institutin ASPEN në datat 10-11 dhjetor 2010. Gjatë punimeve të ditës së parë të konferencës do të ketë edhe përfaqësues të njohur të biznesit nga Gjermania, Austria dhe Evropa Juglindore. Diskutimet gjatë kësaj konference do të përqendrohen në perspektivën e integrimit evropian të rajonit të Ballkanit Perëndimor, krijimin e një hapësire të sigurt në Evropën Juglindore, si dhe mbi çështje të bashkëpunimit ekonomik rajonal dhe më gjerë. Gjatë qëndrimit të tij në Berlin, ministri Haxhinasto parashikon të zhvillojë takime të veçanta me ministrat e Punëve të Jashtme të Gjermanisë, z. Guido Westerwelle, dhe të Austrisë, z. Michael Spindelegger, si dhe me homologë të rajonit.