Ushtarakët, pensionet sipas kontributit

Ministri i Mbrojtjes: Do te njihen kontributet e ushtarakeve. Pensionet, ne perputhje me çfare ofron buxheti i shtetit
Ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, siguron ushtarakët se do të përfitojnë pension suplementar në bazë të kontributeve të tyre dhe në përputhje me kapacitetet që ka buxheti i shtetit. Sipas tij, nuk mund të procedohet ndryshe pavarësisht pretendimit të ushtarakëve për një rritje të pensioneve të tyre.
“Pensionet do të jepen me kapacitet që ka buxheti i shtetit. Ne po bëjmë të mundurën dhe s’mund të dalim jashtë asaj që ofron buxheti i shtetit. Askush nuk mohon kontributet e ushtarakëve tanë, ndaj ata do të vlerësohen sipas ligjit në fuqi”, - deklaroi z. Imami. Para disa ditësh qeveria ndryshoi mënyrën e llogaritjes së pensioneve suplementare për ushtarakët. Madje, në mbledhjen e tij më të fundit, Komisioni i Ligjeve miratoi aktin normativ nr. 5 datë 10.11.2010, ku parashikohet që llogaritja e pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimi të bëhet mbi pagën mesatare referuese neto të çastit kur një përfitues merr pension. Në këtë mënyrë, përfitimi nga pensioni përllogaritet si pjesë e përfitimit faktik mujor nga puna dhe, teorikisht, nuk mund të jetë më i madh se paga neto që një ushtarak apo punonjës policie merrte gjatë kohës që ishte në punë. Sipas këtij akti, detyrimi financiar i shtetit do të jetë rreth 250 milionë lekë në vit dhe jo 1.2 miliardë, siç përcaktohej me vendimin e Gjykatës Kushtetuese.
Në zbatim të dispozitave të nenit 14 të ndryshuar me këtë vendim të Gjykatës Kushtetuese dhe të koordinuara me rregullat e përcaktuara në nenin 29 të ligjit, efektet financiare vjetore shtesë mbi ato të llogaritura sipas dispozitave fillestare të ligjit për përfituesit aktual dhe ata që presin llogaritjen e përfitimeve pasi kanë dalë në lirim në periudhën 30.6.2009 deri në 1.7. 2010 përllogariten rreth 1.2 miliardë lekë. Këto efekte financiare shtesë i përfitojnë rreth 7400 persona nga 11340 persona që trajtohen me pensione të parakohshme për vjetërsi shërbimi. Përfitimi mujor për personat që kanë dalë në reforma nga 2004 e në vazhdim përllogaritet nga 41 mijë lekë e lart ndërkohë mbi këto të ardhura nuk aplikohet tatimi mbi të ardhurat personale ndërkohë që pensioni maksimal i pleqërisë për 35 vite shërbim është i kufizuar me dyfishin e pensionit bazë ose me 21380 lekë në muaj. Veç kësaj për këta persona buxheti i shtetit paguan dhe kontributin e sigurimeve shoqërore ndërkohë që të gjithë të gjithë të punësuarit kontributin në masën 11.2% të pagës e përballojnë nga të ardhurat e tyre mujore. Kështu siç është dispozita pas respektimit të ndryshimeve të vendosura nga Gjykata Kushtetuese përllogaritja e këtyre përfitimeve të pakufizuara bëhet mbi pagën referuese bruto duke mos aplikuar tatimin si në rastin e pagës ashtu dhe në rastin e përfitimit duke u evidentuar mundësitë që një person me 30 vite shërbim të merrte të ardhura nga pensioni më shumë se paga neto nga puna. Prandaj në këtë akt normativ parashikohet që llogaritja e pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimi të bëhet mbi pagën mesatare referuese neto të momentit kur një përfitues përfiton pension. Gjithashtu projekti parashikon që kontributi suplementar nga 2% që është aktualisht të bëhet 5% me një efekt shtesë në të ardhurat e skemës prej 20 milionë lekë në muaj ose 240 milionë lekë në vit dhe parashikohet të fillojë nga muaji janar i vitit 2011.
Opozita e ka kundërshtuar draftin e paraqitur nga qeveria duke kërkuar dhe mendimin e grupeve të interesit.