Teuta Topi në zonat e përmbytura, dhuron ilaçe
Zonja e Parë, Teuta Topi, ishte dje në qytetin e Shkodrës, ku vizitoi familjet e përmbytura, të cilat janë strehuar në konviktin e Shkollës Industriale dhe në atë të Muzikës.
Pasi është informuar për kushtet dhe shëndetin e tyre, zonja Topi i ka dorëzuar ekipit shëndetësor një sasi të konsiderueshme medikamentesh si antibiotikë, hipertensivë, antidiabetikë etj.
Duke vlerësuar punën e bërë nga ekipet mjekësore të ngritura nga Ministria e Shëndetësisë, Zonja e Parë deklaroi se ardhja e saj në Shkodër është në mbështetje të të gjitha familjeve të dëmtuara, “që sot më shumë se kurrë kanë nevojë për ndihmën e të gjithëve”. “Sot (dje), pashë gatishmërinë e përkushtimin e ekipeve mjekësore për të asistuar këta banorë në nevojat e tyre shëndetësore, e veçanërisht studentët e infermierisë të impenjuar për të dhënë ndihmesën e tyre vullnetarisht. Ia vlen të përshëndeten, pasi mendoj se solidariteti është virtyti me i rëndësishëm që po evidentohet, e duhet të vazhdojë të inkurajohet, për të ndihmuar këta banorë që po kalojnë momente të vështira në jetën e familjet e tyre”, - u shpreh znj. Topi. Një vlerësim të veçantë zonja Topi bëri për mediat të cilat e kanë përcjellë hap pas hapi situatën dhe ecurinë e saj në mënyrë sistematike: “Ndihma më e madhe që mund t’u jepet këtyre familjeve është natyrisht ndihma materiale, por edhe ndihma psikologjike që ne u japim atyre, është pa dyshim e rëndësishme, sepse kjo situatë sigurisht që i ka goditur edhe emocionalisht. Prandaj, kujdesi, humanizmi, mirësia e solidariteti mbarëkombëtar do t’i ndihmojnë që ta kapërcejnë sa më lehtë këtë traumë psikologjike përveçse materiale”, - përfundoi znj. Topi.