Gjenocidi çam, Idrizi: Me Greqinë do të përballemi me prova

Konferenca, Idrizi: Greqia te shfuqizoje dy ligjet kunder çameve. “Studio ligjore per te mbrojtur te drejtat çame”
PDU intensifikon përpjekjet për ndërkombëtarizimin e çështjes çame, por akuzon Greqinë për shmangien e ballafaqimit me prova të gjenocidit grek. Nisur nga kjo, kreu i PDU-së kërkoi dje nga Greqia shfuqizimin e dy ligjeve diskriminuese ndaj popullsisë çame si dhe një ballafaqim me specialistët grekë për gjenocidin çam. Në mjediset e hotelit “Sheraton” në Tiranë u mbajt dje konferenca e katërt shkencore për çështjen çame, organizuar nga Instituti i Studimeve Çame, në bashkëpunim me shoqatën "Çamëria" dhe Partinë Drejtësi dhe Unitet. Studiuesit sollën të dhëna dhe fakte nga arkivat e ndryshme të Turqisë, SHBA-së etj. për gjenocidin e ushtruar nga shteti grek ndaj njerëzve të pafajshëm të minoritetit shqiptar autokton të Çamërisë në Greqi. Në fjalën e tij, kreu i PDU-së, Shpëtim Idrizi, parashtroi edhe kërkesat që çamët kanë kundrejt shtetit grek e të cilat do të mbrohen nga një studio e njohur ligjore përballë të gjithë organizmave ndërkombëtare. Z. Idrizi konfirmoi se do të bashkëpunojë me çdo forcë politike, por shtoi se PDU-ja do të jetë më afër mazhorancës, pasi, sipas tij, kjo është e vetmja mënyrë e zgjidhjes diplomatike të çështjes çame. “Ne do të jemi më të hapur me qeverinë, sepse mendojmë se mjetet diplomatike janë të fuqishme dhe se ato janë një mënyrë për të shkuar drejt zgjidhjes së çështjes çame”, - tha Idrizi.
Në këtë konferencë shkencore u fol për historinë, situatën politike, ligjore dhe diplomatike, të atëhershme dhe të sotshme, dhe mënyrat se si do të duhet të zgjidhjet çështja çame, duke marrë shumë faktor parasysh. Në konferencë morën pjesë historianë të shumtë nga Shqipëria, si Pëllumb Xhufi, Beqir Meta, Enver Kushi, Ahmet Mehmeti, Bashkim Kuçuku, si edhe tre historianë nga Turqia, prof. Arsllan, prof. Erdoglu etj., si edhe lektorja e Universitetit të Oksfordit, për pjesën ligjore, dr. Rudina Jasini. Në takim foli edhe kryetari i partisë së minoritetit maqedonas në Greqi, "Ylberi", z. Pavlo Voskopulos, i cili sqaroi të përbashkëtat e historisë së diskriminimit të çamëve dhe sllavo-maqedonasve nga shteti grek. Gjatë konferencës, mori fjalën edhe kryetari i Partisë Drejtësi dhe Unitet, z. Shpëtim Idrizi, i cili foli për mënyrat e zgjidhjes së çështjes çame në arenën politike, juridike dhe diplomatike, duke sqaruar edhe rolin që ka luajtur Partia Drejtësi dhe Unitet në ndërkombëtarizimin e çështjes çame, në kontraktimin e studios ligjore për zgjidhjen e çështjes pronësore, si edhe në nxitjen e fortë ndaj qeverisë shqiptare dhe institucioneve të tjera shtetërore për të vepruar në aspektin politik mbi mënyrat e zgjidhjes së çështjes çame. Idrizi kërkoi dy zgjidhje juridike, që janë njëherazi edhe politike: Greqia duhet të shfuqizojë, si në kundërshtim me Konventën Evropiane për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut, të dy ligjeve diskriminuese ndaj popullsisë çame, që dikur kishte shtetësinë greke. Sipas Idrizit, një ligj i viteve ‘70 dhe një ligj tjetër i viteve ‘80 u njohu të drejtën e rikthimit në trojet e tyre vetëm atyre ish-shtetasve grekë me origjinë të djathtë apo të majtë, që megjithëse kishin bashkëpunuar me pushtuesit apo me komunistët, kishin mbajtur 'qëndrim të mirë kombëtar' pas luftës dhe me kusht që të ishin me kombësi greke. “Këtu mbërritëm në një pikë kontakti të çështjes çame me çështje të tjera të ngjashme të krijuara në territorin grek, si çështja sllavo-maqedonase dhe ajo e hebrenjve. Ne kemi qenë e vetmja parti, që ka kërkuar bashkëpunim me faktorë të interesuar në Maqedoni, por edhe në Izrael, për të shkuar te shfuqizimi i këtyre ligjeve, të cilët diskriminojnë mbi bazë kombësie ish-shtetasit e Greqisë. Pra, diskriminojnë shqiptarët, sllavo-maqedonasit dhe hebrenjtë. Greqia duhet të kërkojë falje dhe të shikojë mundësi shpërblimi për viktimat e gjenocidit të organizuar nga forcat paramilitare apo të krahut të djathtë, ashtu sikurse duhet të parashikojë edhe kompensim për pronat e çamëve dhe të shqiptarëve në përgjithësi. Kjo është zgjidhje e propozuar edhe nga ish-diplomati amerikan pavarësisht se ai propozon për masa simbolike të këtij kompensimi”, - deklaroi z. Idrizi. Ai vuri në dukje se Greqia duhet të njohë të drejtën e pakicës shqiptare ortodokse dhe të afirmojë publikisht identitetin e vetë kombëtar dhe kjo është një kërkesë tjetër politike e jona, e cila njëherësh kërkon mundësinë që ish-viktima të gjalla të kësaj lufte të kenë mundësi të kthehen për të parë trojet e tyre, varret e të parëve të tyre. “Siç e patë, unë ju bëra një listë të kërkesave tona, të objektivave tona, të rrugëve për të arritur te ajo zgjidhje. Ndërkohë shumë lëvizje janë në proces, por kryesorja është që politikisht ne kërkojmë zgjidhje në kuadër të normave ndërkombëtare, të cilat duhet të vlejnë njëlloj për të gjithë, për të dobëtit dhe për të fuqishmit. Në këtë mënyrë, ne kemi dinamizuar politikën shqiptare, i kemi dhënë asaj një dimension të fortë kombëtar, dimension i cili realisht kontribuon në zgjidhjen e çështjes çame”, - tha z. Idrizi.