Krist-art prezanton artin e mineralogjisë
Një ekspozitë, e cila nuk do të jetë me piktura por do të sjellë metale të cilat do të jenë të shndërruara në veprat e artit pamor. Kjo ekspozitë interesante tashmë është e hapur në mjediset e Fakultetit të Gjeologji-Minierave. Studentët e këtij fakulteti do të kenë mundësi të ekspozojnë punët e tyre tashmë në një sallë të rikonstruktuar, falë një investimi të kompanisë së telefonisë celulare AMC.
E konsideruar si një ekspozitë e rëndësishme nga studentët dhe drejtuesit e këtij fakulteti, ajo do të sjellë diçka krejt ndryshe nga ato që shikohen sot në galeritë e artit në kryeqytet. Në ceremoninë e përurimit dekani i Fakultetit të Gjeologji-Minierave, Përparim Hoxha, në fjalën e tij falënderoi për kontributin dhe mbështetjen që ka dhënë në hapjen e kësaj galerie si edhe ndihmën e vazhdueshme që i ka dhënë Fakultetit të Gjeologji-Minierave kjo kompani e telefonisë celulare. Përurimin e sallës së ekspozitave e përshëndeti edhe Rektori i Universitetit Politeknik të Tiranës Jorgaq Kaçani, i cili falënderoi për kontributin e vazhdueshëm që jepet për përmirësimin e cilësisë në universitetet shqiptare. Pas ceremonisë së përurimit të pranishmit shprehën interes të veçantë për ekspozitën "Krist-art" me punimet e studentëve të Fakultetit të Gjeologji-Minierave të ekspozuara në galeri. "Krist-art" paraqet aplikacione në artin e mineralogjisë. Punimet e ekspozuara kanë në qendër mineralet, më saktësisht karakteristikat specifike të modeleve, p.sh. formën kristalore, ngjyrën dhe strukturën. Studentët janë frymëzuar nga format e mineraleve dhe i kanë shndërruar në vepra të artit figurativ. Salla e re e ekspozitave është e hapur për bashkëpunime edhe me fakultete të tjera. Kjo galeri do të jetë e përdorshme edhe për të ekspozuar punimet e studentëve nga fakultete të tjera.