E Diel, 1 Nëntor 2026

Bum vjedhjesh, grabiten 4 qendra biznesi gjatë natës

Bum vjedhjesh në qytetin dhe fshatrat e Sarandës. Mëngjesi i djeshëm ka gjetur të hapura dhe të grabitura të paktën katër qendra biznesi, kryesisht mbi Portin detar të Sarandës. I pari që ka konstatuar hapjen me thyerje të zyrës së vet ka qenë Fatos Demiri, administrator i një tjetër agjencie turistike, në qytetin e Sarandës. Ai thotë se ka shpëtuar pa u grabitur, por disa njësi të tjera tregtare në krah të tij u gjetën të bastisura nga malli dhe nga lekët e lëna gjendje në arkë. "Arsyeja është jo se më kanë falur, por me sa duket ka funksionuar sistemi i alarmit dhe hajdutët janë trembur dhe janë ruajtur për të mos u identifikuar pas kësaj", shprehet duke denoncuar aktin Demiri, i cili ka "shpëtuar" me dëmtimin e portës prej xhami të agjencisë së vet turistike. Ndërkaq, mësohet se një ëmbëltore, një kreperi, një qendër tregtimi veshjesh, kanë rënë pre e grabitjeve.
Ndërkohë, policia vazhdon t‘i përcjellë këto vjedhje me shprehjen standarde "po punojmë për gjetjen dhe kapjen e autorëve".

Tho.Ni.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›